TIRANE - Merr fund debati për ligjshmërinë e aktit normativ të qeverisë shqiptare, i cili detyron qiramarrësit të lirojnë banesat. Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë pronarëve të gëzojnë pronat e tyre, duke rrëzuar ankimin e shoqatës së qiramarrësve të cilët kishin kërkuar pranë kësaj gjykate shfuqizimin e vendimit të qeverisë si të papajtueshëm me kushtetutën.

Me Vendimin nr.1 të datës 6 shkurt 2013, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Vitore Tusha, Admir Thanza, Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha, anëtarë, me sekretare Elta Milori, ka vendosur të rrëzojë kërkesën e shoqatës së qiramarrësve në shtëpitë shtetërore, ish-pronë private. Me këtë akt, merr fund edhe procesi ankimor i personave që kishin zënë prej dekadash shtëpitë e të tjerëve.

Gjykata, duke u mbështetur në provat e administruara gjatë seancës plenare si dhe në shpjegimet e palëve pjesëmarrëse, çmon se në momentin e nxjerrjes së aktit normativ nr.3, datë 01.08.2012 nga Këshilli i Ministrave, shteti shqiptar gjendej në një situatë ku nevoja për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare ballafaqimit të vazhdueshëm midis interesit publik, pra garantimit të të drejtës së pronës dhe interesit të grupimit social të qiramarrësve në banesat e ish-pronarëve për strehim, përbën një domosdoshmëri.

Edhe pse interesi i qiramarrësve për një strehim përfundimtar është i një rëndësie të veçantë, në kushtet kur baraspesha midis këtyre interesave vazhdon të jetë e përmbysur, tej çdo afati të arsyeshëm, pasi pronarët mbajnë një peshë individuale tej masës ose shkallës së duhur prej gati 20 vitesh, gjendja e krijuar kërkonte ndërhyrje të shtetit për marrjen e masave urgjente.

Garantimi i të drejtës së pronësisë përbën prioritet të shtetit shqiptar, veçanërisht, bazuar në orientimet e vendimmarrjes më të fundit të GJEDNJ-së në çështjen “Manushaqe Puto dhe të tjerë kundër Shqipërisë” lidhur me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë, të cilat u njohin pronarëve të drejtën e pronësisë. Po ashtu, kërkesat e vazhdueshme të organizmave ndërkombëtare për progres konkret të autoriteteve shqiptare, me qëllim krijimin e një liste të vendimeve të formës së prerë, për të finalizuar hartën e vlerës së tokës, për të llogaritur koston e ekzekutimit të vendimeve që të mundësohej përcaktimi i burimeve të nevojshme, për përdorimin e mekanizimit të ekzekutimit përfundimtar, për mosshtyrje të shpeshta të afateve, siç ka ndodhur deri tani, pasi nuk kontribuojnë në një zgjidhje të shpejtë të problemeve të identifikuara dhe dëmtojnë më tej besimin e publikut, janë arsye për t’i dhënë një zgjidhje më të shpejtë dhe më efektive situatës jofunksionale që cenon mbrojtjen e të drejtës së pronës.  Si përfundim, Gjykata vlerëson se akti normativ është nxjerrë në kushtet e nevojës dhe urgjencës.

Në përfundim, Gjykata, bazuar në analizën në tërësi të pretendimeve të kërkuesit, vlerëson se akti normativ (ligji) nuk bie në kundërshtim me kërkesat e neneve 15, 17, 18, 101 të Kushtetutës; të neneve 6 dhe 8 të KEDNJ-së dhe të nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së; të neneve 2 dhe 11 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore.

Për këto arsye, kërkesa e kërkuesit për shfuqizimin e aktit (ligjit) objekt shqyrtimi, si të papajtueshëm me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, është e pabazuar dhe, për rrjedhojë, duhet rrëzuar.

Dalja e banorëve qiramarrës shpesh herë është shoqëruar me konflikte, akuza dhe deri në dhunë ndërsa pala e qiramarrësve akuzon qeverinë se këtë vendim e mori pa llogaritur se çdo bëhet me ta.


PDF / Vendimi i Gjykatës Kushtetuese