'Kushtetuesja' rikthen në burg Lulzim Berishën, lë në fuqi Gjykatën e Lartë, beteja 10-vjeçare e ish-kreut të Bandës së Durrësit me drejtësinë

'Kushtetuesja' rikthen në burg Lulzim Berishën, lë në fuqi Gjykatën e Lartë, beteja 10-vjeçare e ish-kreut të Bandës së Durrësit me drejtësinë

Lulzim Berisha

TIRANË- Gjykata Kushtetuese, në 27 maj 2022, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë të datës 7 dhjetor 2021, e cila ka vendosur për rikthimin në burg të ish-kreut të Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Kushtetuese ka rrëzuar në dhomë këshillimi kërkesën e Lulzim Berishës, për të hedhur poshtë vendim e Gjykatës së Lartë. Me këtë vendim, praktikisht Lulzim Berisha i ka shterur të gjitha rrugët ligjor në Shqipëri, për t’i shpëtuar rikthimit për vuajtur edhe 5 vite burg.

Lulzim Berisha u lirua me kusht nga burgu në 5 dhjetor të vitit 2016, 5 vite para afatit. Trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit Durrës, kryesohej nga Arben Vrioni, me anëtarë Petrit Çenon dhe Anita Micin. Trupi gjykues renditi nëntë argumente në favor të lirimit të Lulzim Berishës, ku më kryesori ishte kushti i kryerjes së ¾ të dënimit sipas përcaktimit të nenit 64 të Kodit Penal.

Në vitin 2020 Berisha është shpallur në kërkim nga SPAK, për krime të tjera të rënda, të ndodhura 17 vite më parë, por të zbardhura vetëm dy vite më parë.

Lulzim Berisha u arrestua në 6 prill 2006. Prokuroria e Krimeve të Rënda ngriti 10 akuza për Lulzim Berishën, mes të cilave krijimin e një organizate kriminale dhe një seri vrasjesh e atentatesh të kryera mes viteve 1998-1999.

Më 16 janar 2012, Lulzim Berisha ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda për pesë vrasje dhe disa atentate. Organizata e drejtuar prej tij akuzohej për vrasjen e Dritan Sallakut, Viron Currit, Arjan Pajës, Marsel Sotirit, Dritan Dishës dhe Ervin Lames. Vendimi u la në fuqi edhe nga Apeli.

Por, Gjykata e Lartë, në vitin 2014, rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm Berishës dhe vendosi 25 vjet burg për ish-kreun e bandës së Durrësit. Vendimi është marrë nga Shkëlzen Selimi, Andi Çeliku dhe Artan Zeneli. Admir Thanza dhe Ardian Dvorani kanë votuar kundra heqjes së dënimit me burgim të përjetshëm. Në vijim, gjyqtarët Tritan Hamitaj, Shpëtime Pitaku, Fejzo Hysi dhe Eda Kaja, në periudha të ndryshime i kishin ulur dënimin Lulzim Berishës.

Vendimi i lirimit nga burgu për ish-kreun e bandës së Durrësit, Lulzim Berisha, u vulos më 5 dhjetor 2016 nga Gjykata e Apelit, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve që e përshkruajnë atë si “të  dënuar shembullor” dhe një garanci për punësim të ofruar nga kryebashkiaku i asaj kohe Vangjush Dako.

I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha ka qëndruar fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg.

Megjithatë, në vendimin e Gjykatës së Apelit llogaritet se ai ka shlyer 18 vjet, 9 muaj e 22 ditë nga dënimi i tij prej 25 vjetësh, pasi ka përfituar 3 ulje të mëparshme dënimi, një ulje të katërt nga amnistia e vitit 2012 dhe nga koha e gjatë e qëndruar në paraburgim.

Vendimi i lirimit solli një reagim të fortë nga ish ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili tha se  “Lirimi i Lulzim Berishës është bërë për shkaqe të panjohura. Dua t’u them gjykatave të korruptuara se ky vendim është i papranueshëm. Duhet të indinjohemi”.

Ndaj vendimit për lirimin e Lul Berishës bëri rekurs Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës.

Gjykata e Lartë, në 7 dhjetor 2021, vendosi prishjen e vendimit të Apelit, me argumentin se Lulzim Berisha nuk plotësonte kushtin e vuajtjes së ¾-ve të dënimit.

Lulzim Berisha ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë të dhjetorit 2021, vendim i cili kërkonte që të rikthehej në burg. Lulzim Berisha ka pohuar se nuk është njoftuar nga prokuroria për rekursin si dhe nuk është njoftuar rregullisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën e Lartë.

Berisha ka pohuar se Gjykata e Lartë ka kryer rivlerësim të faktit dhe pronave të shqyrtuara nga gjykatat më të ulëta, në kundërshtim me juridiksionin ekskluziv të saj. Sipas tij, Gjykata e Lartë i është referuar legjislacionit në momentin kur është bërë rekursi dhe jo legjislacionit në fuqi. Gjithashtu, Lulzim Berisha ka pretenduar në Kushtetuese se Prokuroria e Apelit ka ndryshuar qëndrim, duke kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës, kërkesë për të cilën Gjykata e Lartë nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në vendim.

Gjykata Kushtetuese ka theksuar se Lulzim Berisha ka marrë dijeni rregullisht për rekursin e paraqitur nga prokuroria, ndërsa për zhvillimin e procesit në Gjykatën e Lartë, Berisha është përfaqësuar me avokat.

Kushtetuesja ka arsyetuar gjithashtu se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në asnjë moment nuk ka bërë rivlerësim të faktit ose vlerësim të provave të marra në shqyrtim në gjykatat më të ulëta.

Kushtetuesja thekon gjithashtu se ligji procedural penal është shprehur në mënyrë specifike për zbatimin e ligjit që ishte në fuqi në kohën e depozitimit të rekursit për të gjitha çështjet e pashqyrtuara.

Sa i takon pretendimit të fundit, Kushtetuesja arsyeton se vendimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë nuk rezulton të jetë alogjik, kontradiktor ose i paqartë në përmbajtjen dhe vlerësimin e tij. Kështu, Gjykata Kushtetuese, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Lulzim Berishës.

Historiku i krimeve të Bandës së Durrësit:
17 tetor 1998
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet për vrasjen e shtetasit Dritan Sallaku, më 17 tetor të vitit 1998 në qytetin e Durrësit. Kjo mbahet si vepra e parë kriminale e këtij grupi.

29 tetor 1998
Pa kaluar as dy javë nga vrasja e parë, organizata e Berishës dhe Saliut akuzohet se ka kryer dy vrasje të tjera. Bëhet fjalë për ekzekutimin e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja më 29 tetor 1998. Në këtë ngjarje u plagos edhe Marsel Sotiri

22 gusht 1999
Një vit më vonë, i vetmi person që arriti t’i mbijetojë atentatit të 29 tetorit 1998 është zënë në pusi nga ana e grupit të Berishës dhe Saliut. Më 22 gusht 1999, Marsel Sotiri ekzekutohet në një pritë, në lagjen Plazh të qytetit të Durrësit.

9 korrik 2000
Organizata kriminale e drejtuar nga Lulëzim Berisha dhe Klodian Saliu akuzohet nga prokuroria e policia edhe për një tjetër vrasje. Këtë herë ata kanë kryer atentatin ku u vra shtetasi Dritan Disha. Kjo vrasje ka ndodhur më 9 korrik 2000 në fshatin Shënavlash të Durrësit

14 janar 2002
Një tjetër vrasje i është faturuar organizatës kriminale Berisha-Saliu. Më 14 janar të vitit 2002 i kanë zënë pritë dhe më pas ka kryer ekzekutimin e shtetasit Ervin Lame në lagjen numër 3 të Durrësit

2003
Në vitin 2003, si pasojë e kontradiktave të brendshme, organizata është ndarë në dy organizata të tjera, të kryesuara respektivisht nga Lulzim Berisha dhe Klodian Saliu. Të dyja këto organizata tashmë janë bërë rivale të njëra- tjetrës duke filluar një luftë ndërmjet tyre

26 shkurt 2005
Pas kësaj ndarjeje, organizata e kryesuar nga Lulzim Berisha ka marrë hak ndaj rivales së saj duke organizuar atentatin për vrasjen e Klodian Saliut. Kjo vrasje është kryer në autostradë më datë 26 shkurt të vitit 2005, pranë fshatit Maminas të rrethit të Durrësit.

13 tetor 2005
Vetëm 9 muaj ka vonuar kundërpërgjigjja e ish- organizatës së Klodian Saliut. Tashmë ajo drejtohet nga Indrit Dokle dhe akuzohet se ka kryer vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005 në Tiranë. Pas vrasjes, trupi i Gashit është hedhur në fshatin Romanat të Durrësit.

30 tetor 2005
Hakmarrja e grupit të kryesuar tashmë nga Indrit Dokle nuk është ndalur me kaq, por 27 ditë më vonë ai ka organizuar vrasjen e shtetasit Ilir Kolgjini, i njohur si mik i Lul Berishës. Kjo vrasje ka ndodhur më 30 tetor të vitit 2005 pranë stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Andi: 05/07/2022 22:58

    Po luli ne dubai me kejvinen ju thoni burg

    Përgjigju
  • Dhendri i Besnik Bekteshit: 05/07/2022 21:14

    Po ai Tan Dajti qe ka vrare 4 police, pervec vrasjeve te tjera?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë