Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e kryebashkiakut në detyrë të Tiranës, Erion Veliajt tregon se ende ka institucione që përpiqen të ruajnë balancat në një sistemi drejtësie 'të marrë peng nga prokurorë'. Kështu u shpreh gazetari Ilir Yzeiri në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, teksa komentoi kthimin për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë të kërkesës për lirinë e kryebashkiakut të Tiranës. Yzeiri tha se pret që edhe Gjykata e Lartë të japë një vendim të argumentuar mirë dhe të garantojë prezumimin e pafajësisë për Veliajn.
“Përballë këtyre shkeljeve, klimës që është krijuar me skandalin që prodhoi arrestimi i Erion Veliaj, besoja se do të kishim një përgjigje racionale nga Gjykata Kushtetuese. Në kulmin e presionit mbi Erion Veliaj, kur edhe qeveria dukej sikur ishte kundër tij,Gjykata Kushtetuese zbatoi ligjin dhe tha që Veliaj nuk mund të shkarkohet se ai është kryetari i bashkisë në detyrë. Kjo të bën të shpresosh që të paktën ka mbetur një institucion që përpiqet të ruajë balancat në një sistem drejtësie të deformuar të marrë peng nga disa prokurorë. Unë kam shpresë që edhe Gjykata e Lartë do të ndjekë të njëjtën rrugë dhe do të japë një vendim të arsyetuar mirë dhe bindës nëse Veliaj duhet të dalë nga burgu ose jo. Gjykata e Lartë duhet të tregojë që do të bëhet një garant i sigurimit të të drejtave themelore të njeriut dhe ruajtjes së balancave mes palave dhe të sanksionojë presumimin e pafajsisë" tha Yzeiri
Në kornizën e akuzave të tij ndaj prokurorëve në SPAK, ai përmendi Ols Dadon duke thënë se në media akuzohet si në shërbim të qarqeve greke dora e fshehtë e të cilave, po merr hak në SPAK për arrestimin e Fredi Belerit
“Një dorë e fshehtë greke po merr hak në SPAK ndaj atyre prokurorëve që vendosën arrestin e Belerit. Hakmarrja e Mitsotakis ndaj asaj që bëri drejtësia shqiptare me Fredi Belerin nuk ka marrë fund. Gjyqtari Bani dhe prokurori Ols Dado janë akuzuar nga media si të vënë në shërbim të qarqeve greke” tha Yzeiri
Rizgjedhja e Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike pa asnjë rival në garë tregon se PD vazhdon të mbetet “e pushtuar” dhe pa demokraci të brendshme. Kështu u shpreh analisti Ilir Yzeiri, në një intervistë për emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report TV, duke shpjeguar se problemi nuk lidhet vetëm me Berishën, por edhe me mentalitetin politik në Shqipëri, ku sipas tij shoqëria vazhdon të prodhojë liderë dominantë por jo liri apo konkurrencë reale brenda partive.
“Demokracia duhet të vijë nga brenda. Ne e kemi importuar nga jashtë. Nuk funksionon kështu”, tha Yzeiri,
Sipas tij, në këtë fazë të jetës politike, Sali Berisha nuk mund të ndryshojë më mënyrën e të bërit politikë.
“Berisha nuk është demokrat. Nuk mund t’ia mësojmë tani demokracinë në moshën 82-vjeçare. Jemi ne që e mbajmë Berishën aty. Ne nuk e lëmë të largohet sepse ne vetë nuk prodhojmë liri”, deklaroi ai.
Yzeiri tha se PD-ja është “e pushtuar” dhe sipas tij duhet fillimisht të “çlirohet” që të ketë mundësi të fitojë politikisht. Sipas tij, politika shqiptare vazhdon të mbetet e bllokuar mes dy kampeve që vetëm kundërshtojnë njëri-tjetrin, ndërsa sipas tij mungon një projekt i përbashkët për vendin.
“Ne nuk kemi një projekt shqiptar. Kemi 2 forca që kundërshtojnë njëra tjetrën. Njëra është aleatja më e ngushtë e Belerit, sepse do të ruajë pushtetin” tha Yzeiri.
Sipas Yzeirit se gjatë qeverisjes socialiste ka pasur zhvillime dhe përparime që nuk mund të mohohen, por sipas tij për të pasur një qeverisje më të mirë duhet që të dyja anët e politikës të ecin në të njëjtin nivel.
Komente










