Seanca plenare në Kuvend nisi me debate të ashpra mes opozitës e mazhorancës, ku deputetët e Partisë Demokratike bllokuan foltoren. 

Kryedemokrati Berisha mori fjalën dhe bëri thirrje për dhunë ndaj deputetëve të PS, teksa tha se janë ata që meritojnë plumba gome, gaz lotsjellës e 'çarje kafkash' dhe jo protestuesit.

“Në rrugët e Tiranës u thyen kocka të rinjsh. U çanë kafka. U përshtatën mjetet më të egra dhe u përdorën kundër të rinjve. Këta që shihni këtu janë më kriminelë se ata që thyejnë kocka e çajnë kafka. Këta meritojnë gazin lotsjellës dhe plumbat e gomës”, tha Berisha.

Ndërkohë kryeparlamentari Niko Peleshi i hoqi të drejtën e fjalës për gjithë ditën, duke argumentuar se Berisha bëri thirrje të hapur për dhunë nga foltorja e Kuvendit.

“Zoti Berisha ky nuk është procedurë, por është përdhunim... T’i hiqet fjala, sipas rregullores ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme. Keni bërë thirrje për dhunë nga foltorja e Kuvendit. Uluni te vendi juaj, s’keni të drejtë fjale për gjithë ditën e sotme”, tha Peleshi.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Tensione të forta në seancën plenare, Berisha thirrje për dhunë: Ju meritoni thyerje kockash e çarje kafkash! Peleshi: Të hiqet e drejta e fjalës për gjithë ditën