Për 11 orë, nga ora 10:30 e deri në orën 21:40 minuta deputetët e Kuvendit debatuan për rishikimin e buxhetit 2013.
Përveç votave të deputetëve të mazhorancës, kanë qenë dhe dy vota të deputetëve të djathtë, të cilët kanë dalë kundër vendimit të grupit për të votur kundër aktin normativ. Bëhet fjalë për deputetët Mhill Fufi si dhe deputeten Eleina Qirici, të cilët kanë votur pro buxhetit të vitit 2013.
Kryeministri Rama dhe ministrat eqeverisë mbrojtën rishikimin e buxhetit, duke theksuar se borxhi që po merret do të jetë për të kompensuar më shumë shtresat në nevojë që qeveria
e mëparshme i kanë lënë në gjendje të keq.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama tha se, Berisha i zbrazi rezervat e shtetit, gjatë fushatës. dhe la qeverinë e shqiptarëve të zhytur në borxhe. "Rezervat e shtetit në rastet e emergjencave janë bosh dhe paratë për bukën e gojës së paraplegjikëve ushtarëve janë përdorur për të prerë shirita për fushatën elektorale, si dhe janë rimbursuar kompani fantazëm "- tha Rama në fjalën e tij gati 30 minutash për të mbrojtur aktin normativ. Në replikë ish-ministri i Financave, Ridvan Bode theksoi se nga paratë që do merren borxh 100 mln të shkojnë për invalidët, pensionet, ilaçet.
Ministri i Financave Shkëlqim Cani akuzoi opozitën aktuale, në qeverisje para zgjedhjeve të 23 qershorit se ka lënë qëllimisht buxhetin një tokë të djegur. Cani thotë se me aktin normativ po përpiqet për të mbajtur stabël borxhin publik si dhe shkurton në maksimum shpenzimet e ministrive dhe të kryeministrisë.
Nga ana e saj opozita kërkon të tërhiqet akti normativ duke e quajtur të paligjshëm. Ish kryeministri Berisha, deputet i PD-së i cili mori fjalën pas ministrit Cani tha se “Sot vendoset faza e dytë e skenarit të Jorgo Papandreut, i cili futi grekët me shpejtësi më të madhe në grope” dhe i bëri thirrje për të mos e votuar pasi është ”skenar ogurzi i zhytjes në recension e krizë të pashmangshme”
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta hapi punimet e seancës parlamentare duke shprehur ngushëllimet për familjet e 5 adoleshentëve të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të 22 tetorit 2013. Për nder të tyre u mbajt dhe një minutë heshtje.
JA ZHVILLIMET NE KUVEND ORE PAS ORE
ORA 21:40 MIRATOHET AKTI NORMATIV I BUXHETIT
Me 79 vota pro dhe 42 kundër Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar aktin normativ për marrjen e borxhit. Kryetari i Kuvendit, gjatë fjalës së tij tha se, “me këto vota akti normativ merr fuqinë e ligjit dhe miratohet”.
(Në foto: Votimi në Kuvend i rishikimit të buxhetit)
ORA 21:25 AHMETI: E KENI LËNË ARKËN E SHTETIT ME ZERO LEKË
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, duke mbrojtur rishikimin e buxhetit, ka deklaruar se, ky vendim merret për të rregulluar gropat e mëdha që u lanë në buxhet nga qeveria “Berisha”.
“Devijimet fiskale të gjysmës së parë të vitit 2013, bashkë me rritjen e faturave të papaguara të akumuluara sidomos për vitet e fundit, shkon në 4 % të prodhimit të brendshëm. Borxhi merret se ju keni gëlltitur të gjithë buxhetin. Në datë 21 tetor shtetit duhej që të pushonte pasi ju e keni lënë arkën zero lekë. Nuk do paguheshin pagat, ndihma ekonomik madje edhe interneti i Jozefinës nuk do punonte.
Ky akt normativ është hapi i parë i përgjegjshëm për të rregulluar ato që bëri qeveria që iku, qeveria që litarin e ka lënë jashtë. Bëni opozitën, por para 40 ditësh komandonit Shqipërinë, kur edhe shqiptarët ua kishin heqë këtë të drejtë. Na takon ne të pastrojmë si në ’97 ata që këta lanë, pas kanë lënë një gropë dhe para një shkëmb dhe ky është hapi i parë i një qeveria që mban premtimet.
40 mijë tonë fasule, pilaf i keni ngrënë ju dhe vini këtu e talleni. Ju duhet të vini këtu dhe të thonit që po i kemi fshehur shifrat, borxhin. Po çfarë i latë Shqipërisë. Sapo ka dalë INSTAT, prandaj po ju them se ish-ministri që doli i ka gënjyer shqiptarët. Në 2010, rritja ekonomike ishte 3.8 jo 6.6. Në vitin 2011, rritja reale është 3.1, në vitin 2012, rritja reale është 1.6, në vitin 2013 rritja reale është 1.0 për qind.
I latë Shqipërisë një sektor energjitik në ditë zezë, është katandisur i falimentuar. Me 1.2 miliardë borxhe në kaskadë, një privatizim të dështuar, një privatizim të Albpetrolit. Ish-udheheqësi tha që u rrit eksporti, por jo, ka rënë fuqia blerëse sepse qytetari shqiptar është më i varfër.
Doni të vini tek momenti final, që ka të bëjë me filozofinë tuaj. U keni fshehur 650 milionë dollarë borxhe. 790 milionë lekë, është një faturë që nuk e keni paguar një kompanie të pranuar. Cila është arsyeja që nuk keni paguar ata që kanë punuar. Por nuk i paguam këto para ekonomia shqiptare ndalon dhe ne do e heqim këtë shkëmb.
5.2 miliardë është muaji qershor minus. Shtatori jetim është mbi 6 miliardë minus. Buxheti i 2013 është rishikuar me të ardhura më të ulëta. Shqiptarët ju bënë një të mirë, 1 milionë vota kundër, 1 milionë shuplaka”, tha gjatë fjalës së tij, ministri Arben Ahmetaj.
ORA 20:57 BODE: JA PSE NUK E VOTOJMË NDRYSHIMIN E BUXHETIT
Deputeti i PD-së, Ridvan Bode ka bërë thirrje që të mos votohet ky akt i ndryshimit të buxhetit, pasi lekët nuk merren për shpenzime.
“Mendoj se ofruam argumenta të mjaftueshëm që tu kërkojmë edhe deputetëve të tjërë që të mos votojmë. Ne nuk do të votojmë sot këto ndryshime të buxhetit për traditë si opozita e djeshme. Argumentuam se akti normativ për buxhetin 2013 përbën një akt të papërgjegjshëm për ekonominë e vendit dhe të të gjithë shqiptarëve. Këto përmirësime dhe ndryshime duhet të çojnë në përmirësim të situatës.
Por akti që keni sjellë ju është akti i destabilizimi financiar i vendit. Ky akt që keni sjellë është një atentat politik për ekonominë e vendit, prandaj nuk do ta votojmë. Ky akt sjell përkeqësimin e sistemit fiskal, për të shtuar mos realizimin e të ardhurave në 38 miliardë lekë. Nëse për 8 muaj, mosrealizimi ishte 3.5 miliardë lekë, vetëm në katër muaj, ky akt e çon në 25 miliardë lekë mosrealizimin e të ardhurave.
Me këtë akt e thelloni më tej gropën dhe ju bëj thirrje edhe juve që të mos bashkoheni me të. Ky kërkon që të ngrejë një shtresë përfituesish në funksion të kupolës. Me këtë akt, qeveria kërkon që të shpenzojë gjatë 4 muajve më shumë se sa është shpenzuar në 8 muaj. Vazhdoni me ritmin e shpenzime që po bënim ne dhe do të kursenit 30 miliardë lekë.
Ju kërkojmë me lutje ju deputetëve socialistë, mos e votoni këtë akt sepse me këtë akt gjatë 4 muajve kjo qeveri do ti shpenzojë vendit 65 milionë dollarë më shumë huamarrje. Shikojeni dhe ju me kriticizëm sepse ky akt e çon huamarrjen këtë vit në 730 milionë dollarë vetëm për këtë vit. Në 8 muaj huamarrja ishte 308 milion dollarë, ndërsa në 4 muaj në 400 milionë dollarë. Kanë qenë 8 vite qeverisje që kanë bërë një rritje me 4 % 58.1 për qind ka qenë borxhi në vitin 2005 dhe 69.1 për qind u la në fund të vitit të kaluar.
Ne nuk pajtohemi me faktin se paret merren borxh për shqiptarët, brezat e ardhshëm, jo për tu lënë, shkolla, spitale, rrugë, por për të bërë shpenzime. Kryeministri gënjeu këtu kur tha se, duam të marrim borxh për paga, pensione, apo për të rimbursuar ilaçet. Nuk ka rritje në fondin e pagave, por ka ulje. Nuk ka rritje fondi i pensionistëve, por pakësohet fondi me 330 milionë lekë. Nuk ka rritje për ilaçet, rimbursimin e tyre, por ulet me 107 milionë lekë. Nuk ka rritje për pagesën e papunësisë, por do të shkurtohet me 200 milionë. Vetëm dy zëra shtohen, fondi rezervë me 560 milionë lekë dhe fondi i kryeministrit”, tha deputeti demokrat, Ridvan Bode.
ORA 20:35 BLUSHI: PO LAJMË BORXHET TUAJA, BERISHA: SU BËRE KURRË BURRË
Deputeti socialist, Ben Blushi ka deklaruar në Kuvend se, qeveria nuk po bën asgjë më shumë se po merr një vendim për të larë borxhet që qeveria “Berisha”, i la kësaj pasardhëse.
“Në 8 vite keni marrë 1 miliardë dollarë borxh. Deficiti vjetor është 350 milionë dollarë. Doganat dhe tatimet nuk punonin sepse ishin në fushatë apo komisionerë. Të sekuestrojmë pasuritë e tatimorëve dhe doganierëve. 44 milionë dollarë borxh janë ato fatura për ilaçe dhe ushqime të papaguara për të sëmurët.
25 milionë dollarë borxh i ka shteti arsimit. 52 milionë dollarë është fatura e papaguar e invalidëve dhe të papunëve. Keni punësuar 300 vetë por keni shtuar 6 mijë invalidë.
Debiti është 26 milionë dollarë. Makinat e policisë nuk kontrollojnë Shqipërisë, pasi e keni mbaruar karburantin duke na ndjekur neve.
Borxhi i rrugëve është sot 90 milionë dollarë. Ujësjellësat shkojnë në 30 milionë dollarë. Rreth 45 milionë dollarë është borxhi që shteti i ka sistemit energjitik. Shqiptarët e paguajnë energjinë më shtrenjtë se fqinjët e tyre.
Bashkitë e komunat kanë pothuajse një vit që nuk marrin lekë. A thua se qeveri ka ikur në drejt të paditur. Kjo është fatura e medikriotetit, e një partie që në emër të liberalizimit e shkatërroi ekonominë. Kjo është arka e përbashkët dhe secili prej nesh duhet ta dijë sa borxh ka.
Shqipëria është sot një vend i copëtuar që duhet të punojë më shumë se 5 vjet për të larë borxhet që latë. Shqipëria është vjedhur, është rrudhuar, pasi u abuzua me të. Shqipëria është krizë pasi për 8 vite nuk u bë asnjë reformë. E ndatë në dy klasa Shqipërinë, në të varfër dhe të pasur. Por ndodhi që u ul numri i të pasurve dhe u rrit numri i të varfërve.
Unë parimisht jam kundër marrjes së borxhit, sepse jam i bindur që po u qeveris më mirë, Shqipëria e lan borxhin. Mua më dridhet dora për ta votuar këtë vendim për të marrë 240 milionë dollarë. Ky borxh është marrë nga ju dje dhe ne sot por votojmë për të ndrequr faturën tuaj”, tha në fjalën e tij, deputeti socialist, Ben Blushi.
Replika e ish-kryeministrit Sali Berisha: Unë përgëzoj qeverinë për vendimin për të paguar çdo qindarkë të faturave të qeverisë. Por çpo ndodh. Po shpiket një borxh tjetër, detyrimet e biznesit ndaj tatimeve dhe anasjelltas. Këto detyrim, sipas jush janë 180 milionë dollarë, organet tatimore ndaj biznesit, por biznesi ndaj tatimeve sa janë. Janë 770 milionë dollarë dhe 500 milionë dollarë janë pranuar nga biznesni. Këto janë detyrime që i rregullon kodi fiskal. Ju po legjitimoni, vendos sekseri, ku vetëm ky ministër ka tre të punuas. Historia e Enronit është e pashlyer. Enroni ishte njëshi i botës në energji, por mbanin dy inventare.
Ti më kujton Oskarin e Gynter Gras, që i ndodh një fatkeqësi që të shoh në një moment të papërshtashëm nënë e vet dhe kjo i’u kthye në një forcë magjie, ku rrëzonte njerëz, prishte parade. Vuajte shumë nga romani “Beni ecën vetë”, që nuk të la të bëhesh kurrë burrë.
ORA 20:05 BERISHA: PO E ÇONI VENDIN DREJT RECESIONIT
Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë fjalës së tij, ka deklaruar se, me vendimin që do marrë mazhoranca do e çojë vendin me shpejtësi drejt recesionit.
“Edi Rama është kaq antishqiptar dihet, po si ata njerëz rreth tij, pranojnë ti shkelmojnë interesat e vendit, më tha një zyrtar europian. Dhe përgjigja ime ishte e thjeshtë: ata kanë vetëm interesa personale. Për çdo vend të lirë, anëtar i NATO-s, ekonomia ështe e para, e dyta dhe e treta. Në të 40-tat e qeverisë, ju sillni sot verdiktin një dekret me të cilin ndëshkoni çdo fëmijë shqiptar, çdo të papunë, të punësuar, të sëmurë, çdo të moshuar, vendin në tërësi. Bravo!
Pasi na shtuat në aleancë me Haitin, tani na çoni me shpejtësi të madhe drejt humnerës. Vjen e ligjëron këtu në emër të kushërirës në krye të tatimeve. Por tani ajo votë ju kthehet në një dorë të zezë, në një lugë që ju merr kafshatën. Piktura të Shagalit prej 200 mijë eurosh dhe zhdukin brenda natës 600 ikona.
Ekonomia jonë është në vëzhgim nga të gjitha strukturat ndërkombëtare dhe ata thonë se ekonomia shqiptare u rrit. Ekonomia ra gjatë viteve, por mbeti katër herë më lart se vendet e rajonit. Shqipëria pati fatin e keq se dy partnerët kryesorë ranë në krizë. Shqipëria pati fatin e keq së në këtë periudhë ishte jashtë BE-së.
Me të gjithë këta faktorë negativë, kjo ekonomi u mbajt, sepse u zvogëlua qeveria, një reformë fiskale, përpjekje për të thithur investime të huaja dhe në kulmin e kësaj krize trefishoi investimet e huaja. Ja doli që të marrë mbi 1 miliardë dollarë në vit nga investimet e huaja. Shqipëria përjetoi vështirësi serioze, ranë remitancat, eksportet në Itali dhe Greqi.
Shqipëria u mbajt sepse, bëmë një disiplinë fiskale dhe të ardhurat u rritën çdo vit. Bëmë gjithçka për të investuar dhe investimet publike janë shpëtimi në këtë kohë. Bëmë gjithçka për të rritur investimet e huaja.
Kaskada e Devollit dhe projekti TAP bëri që emri i Shqipërisë të rritet. Natyrisht ky 2 % i pamjaftueshëm, cilido të ishte në pushtet të bënte çdo gjë për të ecur më tutje. Çfarë po bëni? Ju po sillni recesionin me shpejtësi të madhe. Një grop për një njeri që nuk ka asnjë informacion, doni ta ktheni në gropë për të gjithë. Kur FMN, KE, ekonomistët flasin për rritje, piktori dështak do ta kthejë në gropë.
Ku jemi këtu? Vetëm Enveri sillej në këtë mënyrë, që thoshte, ‘Unë e kam drejt, të gjithë e kanë gabim’. Qeveritë që vjen, unike në botë dhe që u thotë doganave e tatime pasi vendos kushërinjtë, nuk do realizoni kaq, por 4 herë më pak. Nuk do jeni 2 miliardë lekë mangut në muaj, por 4. Po të emërosh administratorët e Koços në Albpetrol, nuk ka më taksa. Po të lësh në kontroll porte dhe aeroporte të grupeve kriminale në 2005, tatimet e doganat bien në pikiatë.
Në relacionin e tyre këta shkruajnë: Rritja ekonomike në 3-mujorin e parë është 1.7 %, përsa i përket performancës së tremujorit të 2 ka pasur një rritje lehtësuese. Punësimi është rritur. Vetëm nga sektori privat, në periudhën janar-qershor 12600 kontribues, rezultat i hapjes së vendeve të reja. Dëgjoni ju gropa, populli i gropës, se vetëm në gropë hapen biznese të reja. Transfertat nga emigrantët kanë një rënie të fertë, duke u pakësuar me 26 % por investimet e huaja direkte kanë qenë 32 % më të larta. Unë ua kam shkruar këtë relacion. O Pandeli, kush ua ka shkruar, këtë relacion. Sabotim, armiku, ua ka shkruar këtë relacion. Norma e inflacionit ishte 2.2 %, vlera e lekut është rritur 7.7 %, i valutës ka rënie 5.6 %, stoku i borxhit me 31 gusht, o groparë, thonë se është 60 % e prodhimit të brendshëm. Ju keni frikë, nuk i lexoni këto more.
Tani më thoni ju mua, pasi unë ua lexova atë që armiku i klasës ua ka shkruar. Vjet e keni pasur më të vështirë, ka qenë viti më i vështirë i ekonomisë. Çfarë bëmë ne, erdhëm tek ju dhe vendosëm të shkurtojmë shpenzimet 19 miliardë lekë dhe morëm borxh 6 miliardë lekë.
Po ju? Në skemën Papandreu, po shkurtoni 6 miliardë dhe po merrni borxh 40 miliardë lekë. Ju në 4 muaj e rrisni borxhin 10 herë më shumë se Berisha. E rritëm borxhin 4 % por ndërtuam, rrugë, financuam fermerë, ndërtuam shkolla, ujësjellës, kanalizime dhe nuk përdorëm asnjë qindarkë. Ju i dorëzuat doganat klaneve tuaja dhe shkoni merrni borxh në banka.
Në vend që ato kredi të shkojnë tek biznesi, i merrni ju. Për këtë votoni ju sot, e votoni sigurisht, por kjo do t’ju rëndojë në ndërgjegje. A keni njerëz ju në zonat elektorale, as fasule, e makarona, po që kavardisen me shishen e vajit, që u shkon ndihmë. Atëherë ku i çoni 240 milonë dollarët.
Me shpirtin e zi të Spiro Kolekës, ndjek administratën. Ju demotivoni çdo gjë, keni marrë një fushatë të egër kundër bizneseve. Edhe një herë ju them: Unë i them kryetari këto fjalë, çdo fletë, çdo fjalë që ta gjesh keq, nise nga Sali Berisha e deri tek punonjësi më i thjeshte çoi në prokurori. Ke ndërtuar por nuk ke asnjë faturë. Zhduken 600 ikona në një natë, nuk ke asnjë faturë.
Ai ka blerë mandatin me vlerën e trojës së tij. Bëni vendimet tuaja. Del ministri i Shëndetësisë dhe thotë që në tetor do keni shërbim falas. Nëse doni të mburreni, mburruni me vendimet tuaja. 100 ditë të pastrojmë kioskat që të vemë monopolet. Pra, thirrja ime është kjo, mos e votoni se do hyni në Gines, do dëmtoni vendin. Rritja me 4-herë e mos realizimit në tatime e dogana, e tha ministri juaj, u ul me 2.6 %, por në vitin elektoral u ul 10 herë më shumë. Ne bëmë gjithçka për të ruajtur disiplinën fiskale, pasi janë paratë e shqiptarëve. Po ju çpo bëni. Po çoni në dogana, njerëz që nuk kanë asnjë dije.
Ministri sot shpiku një taksë të re dhe injoranca nuk mund të ketë emër tjetër, si emri i ministrit tuaj të financave Edi Rama. Të gjitha këto i kisha për qeverinë Rama-Meta”, tha në fund të fjalës së tij, ish-kryeministri, Sali Berisha.
Replika e minsitrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj: ish-kryeministri Sali Berisha, ju keni tentuar që ti gënjeni shqiptarët me ato vendime që keni nxjerrë. Ai vendimi i 2010 kishte të bënte për ata persona që janë të siguruar.
ORA 19: 53 KLOSI: KENI BËRË SABOTAZH EKONOMIK
Deputeti socialist, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij, ka akuzuar qeverinë “Berisha” se ka lënë një tokë të djegur dhe nuk kanë lënë inventare.
“Kur ju erdhët në pushtet në 2005 i gjetët të gjitha gati, me inventar. Po sot ku janë inventaret? Në asnjë zyrë nuk keni dorëzuar inventarët. Muajt e tranzicionit nuk ishin për tu bërë gati inventaret, por grabitët çmundët në këtë muaj. Realiteti që ju ngritët ishte mashtrues.
Shifrat tuaja kanë qenë të gënjeshtra dhe smund të dorëzoni sot një inventar pasi do të ishte një inventar i mashtrimit. Nuk treguat këtu shifrën e katastrofës ekonomike. Si mund të thonit ju që keni marrë borxhe mbi borxhe për salltanetet tuaja, për të paguar një administarë super të fryrë.
Ujërat e zeza derdhen përsëri në qytetin e Durrësit, mu në mes të Durrësit. Segmenti Tiranë-Durrës është në gjendje të mjerueshme, segmenti Fushë Krujë-Milot është rrugë aksidentash. Rruga e Arbërit nuk ekziston edhe pse keni prerë disa herë shiritat dhe keni marrë kaq shumë borxhe.
Ne e dimë që Berisha ka përgjuar, por meqë i përgjove pse nuk i çove në bankën e të akuzuarve, por këto përgjime kanë shërbyer vetëm për të luftuar bizneset. Keni punuar dhe bërë një inventar, anti qeveri, anti shtet. Kurumi, 3 milionë euro dëm fiskal, nafta, 4 milionë euro, evazion fiskal.
Lojërat e fatit, një situatë abuzive. Janë vetëm 40 ditë dhe janë të gjitha këto fakte. Ju nuk keni inventar se do të tregonte borxhin real, që ka mësues për tu paguar, policë në detyrë për tu paguar dhe çdo gjë u la në errësirë dhe ato karriget në 6 muaj e fundit i shërbyet vetëm lënies së tokës së djegur. Gjatë kohës së tranzicionit kemi rënëie të ardhurash, mos pagesa, fatura të reja. Kjo që keni bërë ju, është sabotazh ekonomik. Dhe këtë e kam të thënë nga administratorë që keni çuar për likujduar fatura.
Jeni ju që tokën e djegur e sollët në ’97. Po të njëjtët gjë donit të bënit. Po ata armë që u morën në 1997 vrasin ende shqiptarët. Ka qenë qëllim i paramenduar kjo gjë, i qëllimshëm dhe kriminal. Dhe për këta njerëz ka vetëm një përgjigje, duhet ndëshkim”, tha Klosi.
ORA 19: 35 PALOKA: 1 MILION SHUPLAKAT DO TË TË KTHEHEN NË 1 MILION SHKELMA
Kreu u grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka akuzuar qeverinë se, edhe pse nuk ka para për të bërë pagesat, udhëton me shpura të mëdha jashtë vendit, duke paguar bileta në klasin e parë apo të biznesit nëpër avionë.
“Sot gjendemi përpara aktit të parë serioz të kësaj qeveria. Ky është akti i parë real i kësaj qeverie. Sot Rama tha se, do ju çojë drejt humnerës. Ka kaq kohë që përsërisin dhe sot thonë që qeveria Berisha u paska lënë një grop. Edhe sot po çojnë vendin drejt një grope dhe prap thonë që fajin e ka Saliu.
Problemi është që ngjyra e mobiljeve duhet ti përshtatet me ngjyrën e çorapeve. Si është e mundur që një qeveri që nuk ka para për invalidët, paguajnë bileta avionësh në klasin e parë dhe biznes. Si është e mundur që një qeveri ska naftë, të shkojë me helikopter atje ku shkohet në këmbë. Ky zotëria që çan për invalidët, veshet me kostume 10 mijë euroshe.
Ne këtej me të vërtetë nuk veshim Versaçe, jo se nuk i njohim siç bëre ironi ti, por nuk i bëjmë dot pa para, siç i bën ti të gjitha. Asgjë nga këto nuk bëhen pa para, por me paratë e atyre derdhnin lot krokodili.
Kështu siç e ke nisur ti zotëri nuk do i arrish ato katër vite. Se sa do durojnë shqiptarët, duke u vënë edhe borxhin, ta shohim se sa do durosh, jo ata që na kanë votuar ne, por ato 1 milion shuplakat që mund të kthehen 1 milionë shkelmat”, përfundoi fjalën e tij, Paloka.
ORA 19:15 XHAÇKA: AKTI ËSHTË SHPËTIMI I PAGESAVE
Deputetja socialiste Olta Xhaçka ka deklaruar se kjo ndërhyrje në buxhet është e nevojshme pasi qeveria “Berisha” e ka lënë arkën bosh.
“Në fillim të vitit 2013 prodhimi i brendshëm pritej të rritej me 3 për qind ndërsa me të dhënat e tanishme nuk do të rritet as sa gjysma. Akti normativ është arka e shpëtimit, për të bërë pagesat. Shqipëria po kalon një krizë që vjen si pasojë e ekonomisë disavjeçare. Dëgjova dikë që tha se ky na qenka fermani i krizës. Po është, pasi kjo është gjendja që na trashëguat. Jemi në krizë dhe ky akt është barka e shpëtimit”, deklaroi Xhaçka në fjalën e saj.
ORA 18:28 BALLA: ME LEKËT E SHQIPTARËVE RREGULLUAT ZYRAT
Deputeti socialist, Taulant Balla ka dhënë shifra konkrete për shpenzimet e qeverisë “Berisha” gjatë fushatës elektorale të 23 qershorit.
“Zonja Topalli të ka ardhë koha të rrish në shpi. Ka bërë aq shumë milje me avion sa duhet ti biesh 72 herë rreth e rrotull tokës me avion që të plotësosh miljet e saj. Jeni mësuar me zarfa, tetë vjet rrjesht, nga anash, para, lart poshtë. Mjafton ky fakt që ju të bëheni të ndërgjegjshëm. Ne nuk po bëjmë gjë tjetër, veç se këta nuk kanë lënë asnjë lek në buxhet, por po miratojmë lekët për të paguar, pagat, pensionet dhe vazhdimin e investimeve.
E keni këtë zanon të keq, pasi i lini gjërat më keq se i merrni dhe ne po rregullojnë thjeshtë paudhësitë tuaja. Opozita nuk do që shteti të ketë mundësi për të bërë pagesa. Këta kopjuterat këtu janë shpenzimet më të pa dobishme të zonjës Topalli. 140 mijë euro për këtë kompjutera, që janë blerë me çmime disa herë më të larta në treg.
MB i ka lënë 25 miliardë borxhe qeverisë. Nga ministria e Mbrojtjes janë harxhuar për 13 ditë 1 milionë litra naftë.
Votat janë blerë me sheqerin, miellin, orizin, fasulen e rezervave të shtetit. Keni bërë dhe një tender për riparimin e SHQUP-it dhe pasi e riparuat me paratë e shqiptarëve ia kaluat Partisë Demokratike. Pse me paratë e shqiptarëve doni të rregulloni zyrat tuaja. Më e keqja është që Ministri i Brendshëm bashkë me sekretarin e ministrisë kishin krijuar një kompani për marrjen e karroatrecave dhe e paguanin këtë kompani, 180 mijë euro”, tha Balla.
Deputeti demokrat Flamur Noka replikon: Brenda grupit tënd të njohin për sharës me pagesë.
ORA 18:12 TOPALLI: FERMANI I RAMËS NUK RESPEKTON LIGJET
Deputetja demokrate Jozefina Topalli ka akuzuar qeverisë se nuk po respekton ligjin. “Shqipëria drejt greminës, shkruhet në fermanin Rama-Meta. Shqipëria që nga fillimi i krizës ruajti stabilitetin, kur rriti rroga e pensione, nuk do të jetë më, pas miratimit të këtij akti. Ky akt është rrokullisja drejt krizës, vetëm 40 ditë nga rilindja. Nuk do ketë më rritje pagash, pensionesh, rrugë të reja, të ardhura të larta.
Me urdhër nga lart kanë vendosur që të ardhurat për 4 muajt e ardhshme të mos hyjnë në buxhet, kanë vendosur që 240 milionë dollarë ti fusin në xhep për qejf dhe të marrin po kaq borxh duke hapur një gropë të madhe në buxhet. Këta por e rrisin borxhin në 70 % dhe gjatë vitit tjetër duan ta çojnë në 73 %. Nuk ka më tendera dhe ligje në Rilindje, por sulltanati nxjerr fermane.
Të gjithë ju që i keni besuar udhëheqësve keni të drejtë të zhgënjeheni. Cila ishte ekonomia që ne i kemi lënë sipas FMN-së jo sipas ne opozitare. Kjo e fundit thotë se, gjatë vitit 2013 prodhimi i brendshëm pritet të shkojë në 2 për qind. Edhe KE-ja e ka thënë që ekonomia ishte në rritje”, tha Topalli në Kuvend.
ORA 16:55 HALIMI: LIGJI NUK LEJON TË MARRËSH BORXH PËR SHPENZIME
Deputeti demokrat, Eduart Halimi, ka deklaruar në Kuvend se ligji për buxhetin nuk të lejon të marrësh borxh për shpenzime.
“Rama që deri në 23 qershor u thoshte shqiptarëve se paratë gjenden, tani ka 40 ditë që i bie këmbanës se nuk i gjen dot lekët. Nuk ka veprim më të rrezikshëm se të injektosh krizën. Menaxhimi i parave u la në dorë të fillestarëve të gocave që janë në dorën e Ramës. Si u zgjodh drejtori i naftës, i Doganave, i Tatime dhe për ti ikur kësaj rruge, Rama i ra shkurt, që të marrim borxh. Por ligji nuk e lejon që të marrësh borxh për shpenzime. Por ligji nuk ekziston për Ramën. Kushtetuta nuk të lejon të firmosësh akt normativ me 84 vota, pasi kushtetuta kërkon konsensus”, tha Halimi në Kuvend.
ORA 16:35 POLLO: PËR NDRYSHIMIN E BUXHETIMIT KEMI NJË LIGJ
Deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se nuk i respekton ligjjet dhe se për atë këto ligje janë pengesë. Ai ka përmendur edhe ndryshimet në Policinë e Shtetit.
“E kam dëgjuar vazhdimisht të flasë për gjendje të tmerrshme, zymtësi të paparë se Shqipëria është në buzë të greminës edhe pse është kundërshtuar nga ministri i tij i Financave, që thotë se gjendja është e keqe. Të gjithë treguasit bazë flasin për një gjendje të shëndetëshme jo se nuk ka probleme. Për ndryshimin e buxhetit kemi një ligj organik që tregon se buxheti edhe mund të diskutohet dhe ndryshohet. Çdo qeveria mund të bëjë rishikim buxheti. Edhe ne e kemi bërë kur të ardhurat nuk i justifikonin parashikimet, por ta bësh në vjeshtë është e pakëshillueshme. Kryetari i Kuvendit nuk reagoj, atëherë kur duhej të reagonte, kur kreu i grupit të PD-së, i tha me gojë e me shkrim se kishte një shkelje. Do citoja edhe shkarkimet masive në Policinë e Shtetit pa asnjë bazë ligjor. Dje ishte një tjetër vendim, shkarkimi i drejtorit të INSTAT, pas revokimit të anëtarëve të këtij institucioni”.
ORA 16:25 MIMA: DO TË FLASIM PËR ATA QË NA VOTUAN
Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka deklaruar, se në vitin 2005 shteti u mor me 1.4 miliardë dollarë më pak të ardhura dhe këto u mblodhën menjëherë edhe pse u ulën taksat në vitin 2006.
“Fjala juaj si qeveri është puna, ndërsa puna jonë është fjala. Kur ne folëm u quajtët këngë e ligjërime, pasi për thumba jeni i pari ndër socialistët. Ne do të vazhdojmë të flasim, pasi jemi votuar nga 700 mijë shqiptarët dhe e bëjmë këtë edhe për ata 1 milionë shqiptarë që ju votuan ju. Gjithmonë kemi qenë të bindur se financat shqiptare nuk mbanin dot në shpatulla një shtet të vogël. Kemi ulur taksat që ata paguanin. Ndërsa sot po na kthehet i dixhitalizuar një film i parë. Shpenzime të reja, ashtu si në vitin 2004 kur shteti i mungonin 1.4 miliardë dollarë në vit pasi ato erdhën më vonë edhe kur ulëm taksat. Administrata u është dhënë si qerasje anëtarëve të FRESSH-it. Po të shikoni në administratë do gjeni specialistë me bindje të majta por që kanë punuar me ne dhe ata sot ndihen të kërcënuar sepse kanë ngrënë bukë në sofrën e hasmit”, tha Mima në fjalën e tij në Kuvend.
ORA 16:19 ERVIN KOÇI: U NDËSHKUAT ME VOTË PËR SHKAK TË KRIZËS
Deputeti socialist Ervin Koçi tha se borxhi nuk do të merret për shpenzime luksi por për të mbuluar nevojat për kategoritë në nevojë.
“Këta ende nuk e besojnë se revolta e qytetarëve me votë në 23 qërshor ishte si pasojë e krizës, situatës së vëshgirë ekonomike, korrupsionit, mungesës së sigurisë, dhe administratës nepotike. Qeveria që iku flet për rritje ekonomike imagjinare. Akti normativ bën transparencën e situatës ekonomike të vendit. Qeveria që iku ka shpenzuar për luks miliona dollarë edhe pse buxheti ishte në krizës”, u shpreh Koçi.
ORA 16:05 FLAMUR NOKA: AKTI NORMATIV, VETËM FILLIM I RRËNIMIT
Sipas deputetit të PD, Flamur Noka, qeveria e re nuk ka një program konkret, dhe nuk do të mbajë premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale. Sipas Nokës, i vetmi premti i mbajtur do të jetë rritja e taksave.
“Qeveria e re shfaqet në një situatë kaotike, pasi nuk ka program dhe nuk mund të mbajë premtimet. Ky akt normatim është vetëm fillimi i rrënimit. Vetë akti tregon atë që Partia Demokratike e paralajmëroi. Kjo do jetë qeveria më e kushtueshme. Do mbahet vetëm premtimi i rritjes së taksave”, tha Noka.
ORA 15: 55 DASHAMIR SHEHI: TË MOS PËRPIQEMI TË NXIJMË SITUATËN
Deputeti Dashamir Shehi, ftoi deputetët e Kuvendit që të diskojnë realisht lidhur me aktin, dhe të mos përpiqen të nxijnë situatën.
“Gjykoj se ky është debat principi, edhe pse qeveria e re i ka votat për ta miratuar atë. Po krijojmë idenë e një gogoli që nuk është realisht. Ka vështirësi, por ato kanë qenë edhe në vitet e kaluara, e do jenë edhe në të ardhmen. Dhe nuk është nevoja të mbahen fjalime me kaq patos këtu. Ne jemi përpara një fakti të kryer, dhe e kemi të kotë që po përpiqemi të nxijmë situatën, duke ia bërë të vështirë biznesit, kreditorëve dhe vetë qeverisë”, tha Shehu.
ORA 15:45 DITMIR BUSHATI: NDODHEMI NË SITUATË EMERGJENTE
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në fjalën e tij tha se vendi ndodhet në situatë emergjente, ndërsa shtoi se edhe buxheti i shërbimit të jashtëm ndodhet në borxhe.
“Ndodhemi në situatë emergjente. Buxheti i shërbimit të jashtëm ndodhet në borxhe. Ambasada shqiptare në SHBA ndodhet në gjendje të rrënuar. Nuk ka vend për medalje, kjo nuk na nderon aspak. Do doja të kishim një debat konstruktiv. Kur të diksutojmë buxhetin e nëntorit do doja të flisnim qartë për t’i dhënë fund problemeve dhe plagëve të tranzicionit”, u shpreh Bushati.
ORA 15:35 OLLDASHI: QEVERIA ËSHTË NJË ÇETË QEVERISËSE
Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, deputeti demokrat, Sokol Olldashi ka akuzuar qeverinë se, ëhstë një çetë dhe jo një administratore e pushtetit.
“Shumica e njerëzve në këtë vend nuk e dinë se çpo bën ky vend, pasi është e pamundur të shikosh se çfarë përparësie e ka. Ky grupi këtu i ngjet një çete, siç e ka pasur dhe një tablo Spiro Xega, “Çeta e Shahinit”. Me të ardhur në qeveri, kjo çetë ka bërë të ditur juve deputetëve se, kjo nuk është qeveria e juaja por e Ramës dhe e Metës. Shumicën e pushteti në terren e ka policia ndërsa atë të kontrollit e ka Rama. Çeta mbylli lokalet e fatit dhe personalisht jam pro mbylljes së tyre.
Por pas mbylljes çeta mblodhi pronarët e lokale dhe tha prisni. Pastaj shkriu dhe policinë e krimit ekonomik, pasi ka hetuar edhe anëtarë të kësaj çete. Dhe pastaj vuri në krye të Doganave dhe Tatimeve, njerëz që nuk kanë lidhje fare me këtë punë. Më pas shkuan të rrëzojnë një pallat me bomba me molotov, pasi kështu e bënë si në 21 janar. Por këtij që është në krye të bandës së ndjekjes, mendoi se fajin e kishte Garda dhe e shkriu dhe këtë”, tha gjatë fjalës së tij, deputeti Sokol Olldashi.
ORA 14:40 GENC RULI: REALITETI PËR EKONOMINË S’KA NDRYSHUAR
“Në 40 ditë qeverisje, shohim befasi në mënyrën sesi realizohet kjo, duke shfaqur papërgjegjshmëri e paligjshmëri. Po kuptojnë që s’i kemi gënjyer gjatë qeverisjes. Tabloidi i situatës reale të ekonomisë po ta shohim me ngjyrat realizste, si BB, FMN dhe progres raporti i KE, shihet se Shqipëria ka një rritje të qendrueshme ekonomike me 2%, papunësia nuk ka shënuar rritje, por është në 12 %. Eksportet shqiptare janë rritur, dhe po bëhen faktor nxitës në rritjen ekonomike. Po të ishte ekonomia shqiptare në një situatë që e keni pasqyruar ju me 1 milionë të papunë, me borxh mbi 70%, si dhe pa rritje ekonomike, nuk jep asnjë garanci se mund të përballen sdifat drejt statusit të vendit kandidat”, tha Ruli.
ORA 14:25 BODE: 100 MLN DOLLARË NGA BORXHI SHPENZOJINI PËR PAGESAT E INVALIDËVE DHE PENSIONET
Në reagim të fjalës se kryeministrit Rama, ish-ministri i Financave, Ridvan Dobe, tha se “në vend që të qajë me lot krokodili, Rama le të shpenzojë 100 100 milionë dollarë nga borxhi për pagesat e invalidëve dhe pensionet.
“Sic bëtë luks zyrat tuaja, shkoni shikoni edhe zyrat dhe kushtet në të cilat punojnë punjonisit në adminstratë në ministrinë e Finanacave. Qatë me lotë krokodili, por s’po nuk i përdorni 100 milionë dollarë nga këto që do merrni borxh për të shlyer këta invalidet, pensionet, ilaçe apo detyrime të tjera. Përse nuk ia jep këtyre që përmende, por administratës për shpenzime të tjera. Ti demagogjinë di ta bësh mirë. Ti ke ardhur me huqet e kalifit të madh, dhe shndërron Shqipërinë në një kalifat, ti ke ardhur me sjelljen e Triumfatorit që nuk pyet për ligj, prendaj je arrogant, je prepotent”, tha Bode.
RAMA 14:35 DO SHLYEJMË NJË NGA NJË BORXHET QË JU KENI LËNË
Kryeministri rama tha se borxhi po merret për të mbuluar këto pagesa, për invalidët, pensionet, ilaçet, si dhe për të paguar detyrimet e prapambetura ndaj biznesit dhe sipëmarrësve.
“Përfitoj t’ju them se ja shembulli i mosdëgjimit. Në të gjitha ato që tha në replikën e vet, sesa jashtë realitetit janë akoma dh sesa shumë e kanë humbur shkallën e degjimit. Pasi ky akt normativ është pikërisht për ato që u thanë. Këto para janë për të sigurar pargesat për invalidët, për pensionet, 74 mln për ujë, dhe 227 milionë për investime në vazhdim. Për të gjitha këto bëhet ky akt normativ. Doni të shkurtoni? Çfarë, pagat, pensionet, pagesat e invalidëve? Doni t’ia shkurtojmë edhe këto që ia shtojmë me aktin normativ. Sa i përket çështjes së borxheve që keni lënë ju, do t’i shlyejmë një e nga një, përpara se të fillojmë punë të reja.
Ne mendojmë se ekonomia është një, se arka e buxhetit të shtetit është shumë e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është për çdo sipërmarrje arka e vet. Çdo shtet që ngrihet mbi përmbuzjen dhe shkeljen me këmbë të sipërmarrjes nuk është e drejtë. Është degjenerim, por shtet nuk është. Në Partinë Demokratike ka problem mes kalifit të madh dhe princit të kurorës, ne jemi të qartë, dhe i dimë përgjegjësitë. Qeveria me dy kate nuk ka kat pa leje, por ju keni problem me dëgjimin, se keni 8 vite që s’doni të dëgjoni. Jua thashë se qeveria jonë do të kushtojë më pak se qeveria e para 23 qeshorit. Ju e kishit qeverinë me një kat, dhe në katin e dytë pa leje bënit zullume”, tha Rama.
ORA 13:45- 14: 22 KRYEMINISTRI RAMA MBRON AKTIN NORMATIV
Kryeministri Edi Rama mbrojti aktiv normativ, duke theksuar nevojën e rishikimit të buxhetit, në mënyrë që të plotësohen detyrimet e prapambetura. Rama tha se qeveria e kaluar shpenzoi shuma të mëdha në fushatë, duke "lënë pa bukë personat me aftësi të kufizuar".
“Sikur këta të dinin të heshtnin do të kishin ditur të bënin më mirë gjërat dhe s’do të ishim sot këtu për të diskutuar për të parën masë të detyruar dhe të dhimbshme që është vetëm fillimi i një reforme drastike që i bëjmë ekonomisë e financave të këtij vendi. Ka shumë për të thënë pa pretenduar se kam zgjedhur shembujt më të mirë. Buxheti i këtij shteti i detyrohet personave më në hall të kësaj shoqërie, atyre me aftësi të kufizuar që për ta është thjesht bukën e gojës.
Për këtë buk goje buxheti i këtij shteti i miratuar nga ata që në 23 qershor morën 1 mln shuplaka parashikonte 174 mln dollarë.
Nga këta 174 mln dollarë në prill maj qershor u shpenzuan 94 % të fondit pa dashur kush t'ia dijë se ku do ta gjejnë në korrik gusht, shtator, tetor, nëntor, dhjetor, bukën e gojës atyre që nuk kanë asnjë mundësi tjetër veçse të presin ditën për të marrë këto para dhe nuk kanë mundësi të sigurojnë bukën gjetkë. Keni harxhuar 94 % për fushatë elektorale e sot në arkën e shtetit janë 7 mln dollarë dhe radha e gjatë e invalidëve pret bukën e gojës", tha Rama.
RAMA: EMERGJENCAT CIVILE, NUK LATE ASNJE KG PILAF E FASULE
Rezervat e shtetit për emergjencat civile sipas Ramës janë në gjëndje të mjerueshme.
“Nga 490 mijë kg që duhej të ishin në rezervat e shtetit për emergjenca, aktualisht është zero. Sheqeri, ku duhej të ishin 45 mijë kilogramë, keni lënë vetëm 85 kilogramë. Tek orizi jeni të mirëkutuar se jeni pilaf dashësh të njohur botërsisht. Miellin e keni kursyer nga 200 mijë kg keni lënë 30 mijë kg. Pavarësisht se keni kaluar te Versaçja keni lënë zero kg fasule nga 30 mijë që duhej të ishin atje.