Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kryetari i Komisionit për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, Agim Çeku shpjegoi të gjithë punën e këtij procesi, duke thënë se vlerave të luftës qeveria i ka kushtuar rëndësi të veçantë.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Çeku kërkoi ministri për ruajtjen e vlerave të luftës, ndërsa theksoi se në këtë proces nuk ka pasur ndërhyrje politike.
"Kam pasur dy takime me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe dy takime të tjera me kryeministrin Isa Mustafa. Dua të theksoj se asnjëherë në takime nuk kam vërejtur ndonjë fakt me axhendë politike dhe ky proces është plotësisht i zhveshur nga politika", tha Çeku.
Para deputetëve Agim Çeku, apeloi që pas përfundimit të procesit qeveria të shpejtojë punën dhe realizimin e dokumenteve të nevojshme që veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta të marrin të drejtat e tyre.
Ai pranoi që në këtë proces ka shumë të pakënaqur dhe shumë ankesa, por që të gjitha sipas tij do të marrin përgjigje. Por, Çeku fajësoi komandantët e zonave dhe jo komisionin që udhëheq ai për gabimet nëpër lista.
"Pas daljes së listës përfundimtare prapë do të vazhdojë procesi. Për gabime dhe personat që kanë mbetur jashtë listave, apo është futur dikush pa qenë fare në luftë nuk është gabimi ynë, por i komandantëve të atyre zonave", tha Çeku./KosovaPress//atsh/