TIRANË, 4 Dhjetor/ATSH/.- Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, kishte thirrur sot në një interpelancë, kryeministrin Edi Rama për t'u informuar rreth situatës së respektimit të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve si dhe politikat e qeverisë në kuadër të proceseve të integrimit.
Duke parashtruar arsyet e kërkesës për interpelancë, Dule tha situata me minoritetet në Shqipëri e veçanërisht me atë grek, nuk është aspak për t'u marrë shembull siç është shprehur kryeministri Rama gjatë vizitave në Serbi dhe Preshevë.
"Gjatë vizitave tuaja në Beograd dhe Preshevë ku folët për një status të lakmueshëm të minoritetit grek në Shqipëri, të drejtat janë universale, por ju dashur padashur bëtë një gabim. Nëse ju garantoni të drejta si ato të grekëve në Shqipëri ju garantoj se është e papranueshme, sepse janë të drejta të sanksionuara dhe të shndërruara në norma të pashkelshme sipas Konventave Ndërkombëtare", tha Dule.
Vendi, tha ai, kërkon shumë reforma në të gjithë sektorët e jetës së vendit, por nuk shikojmë të ndërmerren nisma të tilla, që synojnë ridimensionimin e politikave të Shqipërisë ndaj shqiptarëve në minoritetet etnike. Situata e vështirë ekonomike që po kalon rajoni e më gjerë rëndon më tepër në pjesëtarët e minoritetit nacional, gjë që krijon kushte për tensione, u shpreh Dule.
/a.s//m.m/