Kuvend, hiqet imuniteti me 130
vota, Berisha nuk merr pjesë

Kuvend, hiqet imuniteti me 130 <br />vota, Berisha nuk merr pjesë
TIRANE - Kuvendi miratoi sot heqjen e imunitetit me votimin pro nga 130 deputetë, ndërsa nga votimi i prezencës rezultuan 131 deputetë. Kryeministri Berisha nuk ishte i pranishëm në sallë gjatë votimit. Votimi në parim rezultoi me 129 vota pro, zero kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa në votimin nen për nen, u miratuan neni 2 dhe 3 me redaktimet të cilat ishin zhvilluar në konsultë me deputetët e të dy krahëve.  Më tej votimi në tërësi i projektligjit për heqjen e imunitetit të zyrtarëve, dha rezultatin 130 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

RREZOHET PAKETA ME PROPOZIMET E PARTISE SOCIALISTE
Ndërkaq, paketa me propozimet e Partisë Socialiste për ndërhyrje në Kushtetutë, u rrëzua. Ky votim përfundoi me 60 vota pro, 63 kundër dhe 6 vota abstenim. Mbi këtë paketë abstenuan Oketa, Islami dhe 4 deputetë të LSI-së.

Në kuvend u miratuan një sërë projektligjesh. U miratua me 131 vota (aq sa deputetë janë të pranishëm në Kuvend) marrëveshja për asistencën sociale. Me 115 vota u miratua projektligji për deklarimin e pasurive. Deputeti socialist Erjon Braçe doli kundër duke thënë se ky ligj në disa nene nuk i jep zgjidhje çështjes së bashkëjetuesve dhe bashkëjetueseve të cilët nuk deklarojnë në deklarimin periodik.

Në seancën e sotme në Kuvend akuzat mes palëve kanë qenë të pafundme. Kryeministri Berisha në fjalën e tij tha se opozita i ka pasur krahët e ngrohta me Bamir Topin president, e tani që ai nuk është më fillojnë e bërtasin për pavarësi institucionesh. Nga ana tjetër, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha se thirrjet e tyre vijnë në këtë moment sepse kryeministri nuk i referohet atyre që thotë “tjetër thotë e tjetër bën”.

RUCI BERISHES: "I FORTI" I SHIJAKUT T'U DESH PER FUSHATE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në replikë me kryeministrin tha se Ilir Xhakja, vrasësi i kreut të komisariatit të Shijakut i duhej për fushatë. “Ilir Xhakja, që deri dje e përdorje për të mbushur shportën elektorale, sot mundohesh t`ia faturosh opozitës. Më kot mundohesh. Ai guxoi ngriti dorë në mes të ditës ndaj uniformës së shtetit sepse ju e mbrojtët”, tha Ruçi. Ndërkaq, Ruçi tha se shteti nuk e tregon forcën e tij pasi ende vijojnë pa u kapur vrasësit e gjyqtarit Konomi, deputetit Xhindi e kryetarit të komunës në Shkodër. “Propozimet e PS janë substanciale, për të siguruar luajalitetin dhe disekuilibrin që është vendosur në organet e drejtësisë dhe kërkojnë konsensus politik. Por politika nuk e jep se do të mbajë të kapur sistemin e drejtësisë të varur. Duruam shumë, asnjë përgjgije që kur u vra deputeti Xhindi, kryekomunari i Shkodrës, gjyqtari Skerdilajd Konomi. Sot e kësaj dite asnjë përgjigje dhe ja ku erdhëm. 158 të vrarë vetëm në 3 muaj bëjnë apel. Kush e ka radhën, fëmijët?”, u shpreh Gramoz Ruçi.

BERISHA: PAS VRASJES SE KONOMIT DHE TAHIRAJT FSHIHET TOPI E SPAHIU

Berisha nuk la pa përmendur edhe dy nga vrasjet më të bujshme në vend, atë të gjyqtarit Skerdilajd Konomi në Vlorë, dhe vrasjen e para disa ditëve të kryekomisarit Adem Tahiraj në Shijak. Berisha akuzoi gjatë fjalës së tij në foltoren e Kuvendit, Bamir Topin. “Më vjen keq ta them, por i akuzuar është Topi në rrjetën tuaj. Topi është ndjerë keq kur ka vajtur te familjarët. Mbështetësit e Topit kanë dashur të grabisin tokat e familjes Konomi”, u shpreh Berisha. Duke vijuar me akuzat në adresë të ish presidentit Bamir Topi dhe ish kreut të KLD-së, Kreshnik Spahiu, Berisha tha se vrasja e kryekomisarit Adem Tahiraj fsheh pas dy të sipërpërmendurit. “Gjyqtari që liroi Ilir Xhaken (vrasësi i Adem Tahiraj) ishte thirrur në KLD nga Kreshnik Spahiu për ta liruar”, tha Berisha.

BERISHA: KISHIT NE PUSHTET NJEREZIT TUAJ, SOT BERTISNI

Ora 16: 15 Në fjalën e tij Kryeministri Berisha tha se Partia Socialiste në pushtet ka pasur në krye të institucioneve kushtetuese njerëzit e saj, ndërsa sot në krye të tyre sipas tij qëndrojnë njerëz jopartiak. “Në rast se sot në krye të gjykatës kushtetuese është një gjykatës i cili pas dhjetorit ai nuk shkoi as me PS as me PD, mbrojti rrugën për të cilën studionte në fakultet. Ju kishit Fehmi Avdiun, ish anëtar kryesie në PS
Në Gjykatën e Lartë kishit ish ministrin tuaj Thimio Kondi. Ndërsa sot është një gjykatëse që s’ka bërë ndonjë proces politik dhe që e keni votuar bashkarish në këtë parlament” u shpreh Berisha.

BERISHA: TOPI IU KA HYRE NE QYP, TANI QE S'E KENI DONI PAVARESI

Ndërkaq, Kryeministri ka vijuar me akuzat ndaj ish presidentit Topi dhe lidhjes së tij me Partinë Socialiste. “Bamir Topi është bashkëpunëtor i Partisë Socialiste. Dhe sa qe Topi në rrjetin tuaj i premtuat se do ta përkrahnit, i premtuat se në KLD do të votonit Sali Shehun, dhe këtu abstenuat, s’guxuat të votoni kundër”, tha Kryeministri Berisha.  Sali Berisha vijoi me batutat e tij dhe cilësimet ndaj Bamir Topit dhe Kreshnik Spahiut duke thënë “Topi u ka hyrë në qyp e ju përpiqeni ta nxirrni prej tij. Tani që u iku faqeziu (bëhet fjalë për ish nënkryetarin e KLD-së, Kreshnik Spahiu), bërtisni për pavarësi institucionesh. Pse nuk u ngritët për pavarësi të institucioneve kushtetuese kur Topi dhe Spahiu krijonin parti kur drejtonin institucione?”, theksoi Berisha.

RUCI: PO DHUNOHET OPOZITA, NESE VAZHDONI S'KA BASHKEPUNIM
Seanca e Kuvendit nisi me një denoncim dhune që është ushtruar ndaj drejtorit të Ujësjellësit të Tepelenës, përfaqësues i PS-së. Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së denoncoi dhunën që sipas tij është ushtruar mbrëmjen e djeshme duke paralajmëruar se nëse do të vazhdohet të përdoret dhunë atëherë do ndërpritet cdo mundësi bashkëpunimi. "Mbrëmë drejtori i ujësjellësit në Tepelenë, përfaqësues i PS-së është rrahur dhe dërguar në spital. Nëse do të vazhdoni të përdorni dhunën mos kërkoni bashkëpunimin."- tha Ruçi. Po kështu kreu i grupit parlamentar socialist akuzoi mazhorancën se po bën presion edhe ndaj sistemit gjyqësor dhe theksoi se opozita nuk do të japë kontributin e saj nëse vazhdohet të mos merren parasysh vendimet e gjykatave.  "Në qarkun e Fierit janë një numër i madh vendimesh të gjykatës së shkallës së parë dhe të shkallës së dytë të cilat nuk zbatohen si pasojë e ndërhyrjes politike të mazhorancës dhe në vazhdim të kësaj mbrëmë në Tepelenë është rrahur në mënyrë barbare dhe ndodhet në spital drejtori i ujësjellësit. Nëse nuk zbatohen vendimet e gjykatave dhe nëse ju do të vazhdoni të kapni gjykatat mos kërkoni bashkëpunimin e opozitës” theksoi Ruçi.

HEQJA E IMUNITETIT 

Kuvendi sot pritet të votojë heqjen e imunitetit duke i hapur sinjalin jeshil hetimit të deputetëve të Shqipërisë dhe zyrtarëve të lartë. Partitë politike pritet të votojnë  kufizimin e imunitetit, draftin konsensual të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të parandaluar korrupsionin tek zyrtarët e lartë. Ashtu siç është shprehur më parë edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, opozita do ta votojë heqjen e imunitetit, pavarësisht shqyrtimit të mëvonshëm të paketës tjetër që konsiston në ndryshimet kushtetuese. Me këtë kufizim Prokuroria mund të nisë hetimet për këdo zyrtar që ka sinjale se mund të jetë duke kyer një vepër penale. Por prokurorisë nuk i lejohet me këtë draft që të arrestojë deputetin dhe të bëjë kontrollin në banesën e tij.

ZHVILLIMET E DJESHME

Konferenca e kryetarëve, e mbledhur ditën e djeshme, vendosi  sot të votojë kufizimin e imunitetit. Në mënyrë unanime anëtarët votuan kalendarin e punimeve në Kuvendin e Shqipërisë që ka si pikë kufizimin e imunitetit dhe një sërë ligjesh të tjera të rëndësishme. Është kërkuar në mbledhje që të vendoset edhe për paketën tjetër kushtetutese të Partisë Socialiste, por pretendohet nga burimet, se ka qenë kryetari i grupit kuvendor Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar që të merret një vendim pas mbledhjes së grupit të PS-së. Pas mbarimit të mbledhjes së grupit socialist, Gramoz Ruçi mendohet se ka zhvilluar një takim me kreun e grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi për të vendosur se çfarë do të bëhet me paketën e dytë të Partisë Socialiste për ndryshimet në Kushtetutë. Konferenca është zhvilluar pa debate mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, për kufizimin e imunitetit duke i hapur rrugë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. "Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot dhe diskutoi mbi kalendarin e ri të punimeve. Konferenca e Kryetarëve miratoi me unanimitet Kalendarin trejavor të Punimeve për periudhën 24 shtator-12 tetor, 2012. Gjithashtu, Konferenca e Kryetarëve ra dakord që seanca plenare e radhës të zhvillojë punimet ditën e martë, 18 shtator 2012, ora 11:30", thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët e Partisë Socialiste vendosën në mënyrë unanime që të votojnë 'pro' heqjes së imunitetit. Vendimi u mor në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PS-së, e cila drejtohej nga Gramoz Ruçi, pasi kryesocialisti Rama ndodhet në Bruksel. PD dhe PS harxhuan energji që pas datës 6 gusht dhe deri në zhvillimin e seancës dëgjimore për ndryshimet që PS propozoi në Kushtetutë. Mazhoranca kërkoi që forcat politike në vend të votojnë heqjen e imunitetit më 6 gusht, ndërkohë që opozita kundërshtoi fort duke propozuar një paketë me kushte ndër të cilat vihej theksi tek një reformë rrënjësore në sistemin e drejtësisë. Në këtë pikë, mazhoranca paralajmëroi nisjen e procedurave për mbajtjen e një Referendumi popullor nëse Partia Socialiste nuk do e votonte branda shtatorit nismën e saj. Nisur nga zhvillimet e fundit brenda opozitës për çështjen e imunitetit pritet që sot rreth orës 11:00 të votohet imuniteti, por duke u marrë në konsideratë edhe paketa e dytë e opozitës. PS ka dhënë votat për një tjetër rekomandim të vendosur nga Bashkimi Europian për të marrë statusin e vendit kandidat.

Redaksia Online
(Gre.M/sg/fc/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: 700 cuba që duan t’u imponohen 700 mijë qytetarëve

Mero Baze: 700 cuba që duan t’u imponohen 700 mijë qytetarëve