TIRANË, 18 Dhjetor/ATSH-Anila Struga/.- Maxhoranca e majtë konfirmoi sot në Kuvend 84 votat e domosdoshme për miratimin e disa projektligjeve me shumicë të cilësuar.
Me 84 vota u miratuan disa ndryshime në ligjin e Kodit Rrugor, në Kodin Penal; ndryshimet në ligjin e Gjykatës së Lartë, ato në ligjin e 'nëpunësit civil', një ndryshim në ligjin e Bankës së Shqipërisë, ndërsa ndryshimi në ligjin "Për ndarjen administrativo-territoriale" u miratua me 85 vota.
Gjithashtu, deputetët miratuan respektivisht me nga 84 vota dy pr/ligje që lidhen me çështjet e pronësisë së tokës bujqësore; me 83 vota pr/ligjin "Për disiplinën në ushtri'; ndërsa ratifikimi i marrëveshjes mes palës shqiptare dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) për transformimin në plotësim të protokollit të Parisit, u miratua me 85 vota.
Kuvendi miratoi sot dhe disa pr/vendime, si ai "Për lirimin e Adrian Civicit si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë" (me 81 vota); pr/vendimi "Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale"(me 84 vota), si dhe pr/vendimi për shqyrtimin dhe miratimin me procedurë të përshpejtuar të disa ndryshimeve dhe shtesave në ligjin "Për prokurimin publik"./a.s//m.m/










