Kuvend- Pas 16 orësh diskutime për projektligjin e buxhetit të vitit 2018 Parlamenti miratoi në parim me shumicë votash projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.

Projektligji u miratua me 75 vota pro të mazhorancës dhe 47 kundër të opozitës, ndërkohë 17 deputetë nuk kanë qenë prezentë gjatë votimit.

Me 74 vota pro dhe 47 kundër, Kuvendi miratoi edhe 6 projektligjet e paketës fiskale që do të zbatohen gjatë vitit 2018.

Debatet e shumta, akuzat dhe kundërakuzat mes pozitës dhe opozitës i karakterizuan këto punime, në një seancë maratonë.

Lulzim Basha kërkoi mos votimin në parim të këtij projektbuxheti pasi sipas tij favorizon pastrimin e parave të bandave dhe të hashashit.

Ndërkohë Kryeministri Edi Rama teksa prezantoi projektbuxhetin për vitin 2018 u shpreh se treguesit ekonomikë flasin për një klimë të mirë dhe parashikimet janë që në 2018 do të ketë një rritje ekonomike prej 4%.

Po ashtu Kuvendi miratoi edhe emërimin e Ilir Zelës në postin e kreut të Këshillit Drejtues të AKEP-it me 73 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim.

Në përfundim, Kuvendi miratoi me 72 vota pro për zgjedhjen e Eriola Sadushit, si anëtare e bordit të Entit Rregullator të Energjisë.

Parlamenti i filloi punimet në oren 10 të së enjtes dhe përfundoi me votimin në parim të projektligjit për buxhetin e vitit 2018, pas orës 2 të mëngjesit të së premtes.

Redaksia Online
a.dr/shqiptarja.com