TIRANË- Deputeti demokristian, Nard Ndoka, i vetmi përfaqësues i opozitës në Kuvend, kundërshtoi sot pr/buxhetin 2015 dhe paketën fiskale, gjatë debatit në parim në seancën e sotme plenare.
Sipas Ndokës, paketa fiskale e paraqitur nga qeveria nuk sjell asgjë të re në financat publike dhe as për ekonominë shqiptare apo mirëqenien qytetare. "Kjo paketë, tha ai, godet biznesin dhe qytetarët pasi ecën në gjurmët e paketës 2014 që ndryshoi standardin e taksave në vend".
Në asnjë nga ndryshimet e sjella për ligjet fiskale nuk vihet re një përkujdesje për ekonominë e vendit dhe rritjen e prodhimit të brendshëm bruto, për të rritur eksportet dhe investimet, apo për të ulur importin e produkteve të gatshme. "Paketa përbën rastin më flagrant të ikjes nga parimet moderne të taksimit të ndershëm, e cila deformohet në interesa elektorale. Kjo mund të përkufizohet si paketa e taksimit më të rëndë dhe rrjedhimisht e varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve", u shpreh deputeti Ndoka sot në parlament. /ATSH/