Kuvend, ngrihet komisioni për
reformën territoriale opozita ikën

Kuvend, ngrihet komisioni për<br />reformën territoriale opozita ikën
TIRANE- Kuvendi miratoi sot me 75 votat e deputetëve të maxhorancës dhe pa praninë e opozitës ( e cila u largua nga salla) projektvendimin “për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
 
Para votimit të pr/vendimit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, propozoi që emrat e anëtarëve të komisionit të miratohen në seancën e ardhshme, për t’i dhënë mundësi dhe opozitës të sjellë propozimet e saj. Kjo e fundit nuk ishte e pranishme në votim, pasi i bojkotoi më herët punimet e seancës së sotme.

Propozimi i z. Ruçi u mbështet dhe nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili hodhi në votim pr/vendimin, për përmbajtjen e të cilit, siç tha ai, nuk ka pasur kontestime nga opozita.

“Ne do ta miratojmë këtë pr/vendim, sepse e vërteta është se nga opozita nuk ka pasur asnjë kontestim për përmbajtjen e tij. 
 
Pr/vendimi i garanton asaj (opozitës) të drejtën për të qënë e barabartë në këtë proces, jo vetëm përmes bashkëkryetarit, por dhe me numrin e barabartë të anëtarëve, si nga ana e opozitës dhe nga ana e maxhorancës. Përderisa nuk ka pasur asnjë kontestim për të dhe nuk ka asnjë ndryshim në përmbajtjen e pikave ne do të shprehemi me votë për ngritjen e tij”, deklaroi Meta.

Para votimit të pr/vendimit, kryeparlamentari, duke komentuar mungesën e konsensusit për këtë çështje në mbledhjen e djeshme të Konferencës së Kryetarëve, tha se kontestimi i opozitës lidhet me qëndrimet e saj politike.

“Dje, në Konferencën e Kryetarëve grupi i PD-së nuk kontestoi asnjë pikë të këtij pr/vendimi që i jep opozitës të gjitha të drejtat maksimale në mënyrë të barabartë. I jep të drejtën e bashkëkryesimit, të drejtën e përfaqësimit të barabartë(tetë me tetë), i garanton konsensusin dhe i jep të drejtën e vetos. Kontestimet e saj kanë qënë për çështje të tjera, që kanë të bëjnë me qëndrimet e saj politike, sikurse ishte dhe bojkotimi i sotëm, i panevojshëm dhe i paarsyeshëm i seancës”, deklaroi kryetari i Kuvendit në mbyllje të punimeve të sotme të parlamentit.

PALOKA:QEVERIA KA SHKELUR LIGJIN DHE KONSENSUSIN

“Do të ishin komike sjelljet e kësaj qeverie sikur të mos ishin tragjike për shqiptarët. Së pari, sot seanca është për një akt normativ të rradhës, me të cilin qeveria ka ndryshuar buxhetin e saj. Kur e ndryshonim ne buxhetin në fund viti, hidheshin përpjetë. Por siç thashë, kjo qeveri është komike. Për dy muaj, e kanë ndryshuar buxhetin tre herë dhe kjo bën pjesë te komiciteti i kësaj qeverie. Për konsensusin dje, e bëra të qartë në konferencë e krytetarëve dje. Ne bëmë të qartë me pak fjalë, se nuk mund rë realizojmë marrëveshje të tjera me konsensus, ndërkohë që ka disa marrëveshje të realizuara më parë, ka edhe një ligj të miratuar, të cilat në mënyrën më absurde janë të shkelura nga qeveria e sotme."- tha Paloka në një prononcim për gazetarët para se të fillonte seanca.
 
MIRATOHET AKTI NORMATIV PER BUXHETIN 2013
Kuvendi miratoi edhe  Aktin Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr.119/2012, “Për buxhetin e vitit 2013”, të ndryshuar”. Ndërkohë opozita para se të niste debati për këtë Akt braktisi punimet e seancës plenare. Akti normativ parashikon një shtesë fondesh prej 4.9 miliardë lekësh. Sipas Aktit Normativ, ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë i alokohet fondi prej 1.9 miliardë lekësh në programin buxhetor “Mbrojtja sociale” me qëllim kryerjen e pagesës së PAK-së dhe ndihmës ekonomike për muajin dhjetor, ndërsa ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës i shtohen 3 miliardë lekë në programin buxhetor “Transporti rrugor”.

Deputeti Ervin Koçi tha se ndryshimet e buxhetit përmes aktit normativ erdhën si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave në buxhetin e shtetit deri në fund të vitit 2013.

Sipas tij, kur ata u larguan nga zyra të ardhurat në buxhet ishin 4 % më pak se në vitin 2012, duke lënë financat e vendit në gjendje kotastrofike. Për këtë, vijoi Koci, ne u detyruam të hartonim një Akt Normativ për të bërë të mundur që shteti të ofronte shërbimet bazë.

Deputeti Anastas Angjeli tha se Akti Normativ plotëson të gjitha kushtet si në aspektin ligjor, ashtu edhe në aspektin e realizmit të paraqitjes, në aspektin e përgjegjshmërisë. “E vetmja papërgjegjshmëri është papërgjeshmëria e parashikimit të të ardhurave në buxhet nga maxhoranca e djeshme”, tha Angjeli.

Qeveria përmes nëj Akti Normativ kreu rishikimin e buxhetit të vitit 2013, duke ulur nivelin e të ardhurave të parashikuara për t’u mbledhur deri në fund të vitit 2013. Por, gjatë tremujorit të fundit, tatimet dhe doganat rriten performancën e tyre në mbledhjen e të ardhurave, duke bërë që qeveria ta rishikonte sërish buxhetin përmes një tjetër akti normativ. Opozita gjatë debatit në Komisionin e Ekonomisë, e ka cilësuar të paligjshëm Aktin Normativ.

Redaksia online
(sg.ata/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS

'S'i bashkon raporti, por leku' PS dhe PD votojnë pro një page shpërblim për orët shtesë në Komisionin e TIMS