PRISHTINË, 5 Shkurt /ATSH- B.Jashari/.-Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka nisur me "koha për deklarime jashtë rendit të ditës", ku deputetja Vjosa Osmani përkujtoi se janë mbushur 15 vjet nga masakra ndaj shqiptarëve, që jetonin në pjesën veriore të Mitrovicës dhe se drejtësia po vonon ende.
"Në natën mes 3 e 4 shkurtit të vitit 2000 në veriun e Mitrovicës u ekzekutuan 10 qytetarë shqiptarë, kryesisht fëmijë, gra dhe pleqë. U plagosën rëndë e u keqtrajtuan fizikisht edhe dhjetëra të tjerë. Ishte një nga netët më të rënda të spastrimit etnik të veriut të Kosovës nga qytetarët shqiptarë. Vetëm atë natë u dëbuan rreth 100 familje dhe gjatë muajit shkurt të vitit 2000 janë dëbuar afërsisht 2000 familje që bëjnë rreth 12 mijë shqiptarë", përkujtoi deputetja Osmani.
Ajo theksoi se, dëbimi ka vazhduar vite me radhë dhe fatkeqësisht edhe sot e kemi një situatë kur qytetarët shqiptarë të dëbur ende nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre në veriun e Mitrovicës. Vjosa Osmani, nga grupi parlamentar i LDK-së është deputetja më e votuar në zgjedhjet 2014, e 6-ta me vota në listën e 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje në një komunikatë thekson se, ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000 kanë pasoja direkte në atë që po ndodh sot në veri të Kosovës.
"Ishte sulm i organizuar dhe i orkestruar tepër mirë nga ana e strukturave kriminale të Serbisë. Ai sulm kishte për qëllim spastrimin etnik të veriut të Mitrovicës nga shqiptarët dhe joserbët e tjerë, në mënyrë që vendi të sillej para një akti të kryer sa i përket përbërjes etnike dhe kontrollit të territorit", shprehet VV, duke theksuar se sot, 15 vite më vonë ende nuk janë gjykuar krimet e 3-4 shkurtit të vitit 2000.
Sias Qendrës Rajonale të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, natën në mes të datës tre dhe katër shkurt të vitit 2000, në veriun e Mitrovicës u ekzekutuan në shtëpitë dhe banesat e tyre 10 qytetarë shqiptarë, në mesin e të cilëve kishte fëmijë, ndërsa u plagosën rëndë 25 shqiptarë e u keqtrajtuan rëndë fizikisht 93 të tjerë./k.s/