Kuvend, PD-LSI miratojnë 3
dekretet e Nishanit për gjyqësorin

Kuvend, PD-LSI miratojnë 3 <br />dekretet e Nishanit për gjyqësorin
TIRANË – Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar sot projektligjin për administratën gjyqësore dhe atë për planifikimin e territorit; PD, me votat edhe të LSI-së, votoi tre dekretet e Presidentit për anëtarin e ri të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin (76 vota) dhe për dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese: Gani Dizdarin (73 vota) dhe Besnik Imeraj (76 vota).
 
Seanca e sotme e Kuvendit u zhvillua përmes debateve të ashpra PD-PS. Partia Socialiste votoi kundër projektligjit për administratën gjyqësore, pasi sipas saj, ai rregullon vetëm pozicionin e ministrit të Drejtësisë, duke e kthyer atë në në administratë të çdo gjykate.

Kuvendi miratoi dhe me 126 vota pro dhe 1 votë kundër disa shtesa dhe ndryshime në ligjin "Për planifikimin e territorit", që synojnë rritjen e autoritetit të pushtetit vendor për zhvillimin e planeve zhvillimore urbanistike në territorin e Shqipërisë.

Foltorja u kthye në arenë debatesh mes kryeministrit Sali Berisha, kreut të grupit parlamentar Gramoz Ruçi, e deputetëve të majtë.

Kryeministri u kërkoi socialistëve që të pendoheshin dhe të jepnin konsensusin për votimin e ligjeve, ndërkohë që në replikë të tij Ruçi, akuzoi Berishën se nuk ka mbajtur premtimet për qytetarët shqiptar.

Përpara këtij votimi socialistët dhe demokratët përplasën argumentat e tyre për propozimin e qeverisë i cili heq TVSH-në mbi inputet bujqësore. “Këtë projektligj që ju parqisni sot, pjesërisht, jo plotësisht, opozita shqiptare ua ka sjellë tre herë. Dhe pikërisht ju dhe ministrat tuaj kanë argumentuar të kundërtën e kësaj qe thua ti. Mirëserdhe. Ne të përshëndesim edhe për aktin e pendesës së zotërisë tënde sot, por ama, këtyre propozimeve që janë të pjesshme, jo tërësore, u mungon akciza e naftës dhe ajo e ilaçeve”, tha Ruçi.

BODE: PAKETA JONE SJELL ULJEN E BUXHETIT, POR ESHTE NE MOMENTIN E DUHUR

Ministri i Financave, Ridvan Bode, gjatë diskutimeve për heqjen e tvsh-së dhe çdo lloj tarife doganore për makineritë e prodhimit, tha se "në 8 vitet e fundit të qeverisjes së PS-së, bujqësia u rrit vetëm me 2.3%, ndërkohë që vetëm 4 vitet e fundit, është rritur 5%", ka deklaruar sot në Parlament, ministri i Financave, Ridvan Bode. Ai iu përgjigj kështu edhe akuzave të deputetit socialist Erion Braçe, që tha më parë se PD-ja në pushtet nuk ka hequr asnjë taksë si dhe sugjeroi që të bëhet 6%, tvsh-ja edhe për energjinë elektrike, që po e blejnë dy herë më shpejt se në 2005-ën; gjithashtu, të ulet edhe ajo për ilaçet.

"Projektligji që sjellim sot për tvsh-në është pjesë e një pakete tepër të rëndësishme të qeverisë", - vuri në dukje Bode si kundëpërgjigje -"dhe ka objektiv krijimin e një hapësire më të madhe për të mbështetur ekonominë shqiptare. Kjo paketë është e fuqishme dhe shkon në 150-200 milionë euro, sipas xhiros së viti të kaluar dhe si e tillë ajo krijon problem në uljen e kapaciteteve të buxhetit, por përbën përgjigjen e duhur në momentin e duhur".

TOPALLI, BATUTA SAIMIR TAHIRIT: PSE RRI NE FUND


“Saimir pse rri në fund. A t’vjen marre?! Të vjen turp, mirë ban që shkon në fund. Mirë ban se njeriu duhet të ketë pak pudore.”- iu drejtua kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli deputetit socialist Saimir Tahiri. Batutat kishin të bënin me arrestimin e babait të tij Bashkim Tahiri javën e kaluar për akuzën e kontrabandës së ilaçeve. Deputeti e quajti arrestimin e të atit presion politik për ti mbyllur gojën.

BERISHA: NE KRYE KENI NASTRADININ

Kryeministri deklaroi se vendimet e sotme të parlamentit janë të rëndësishme për biznesin, investimet vendase dhe të huaja në Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë.”Heqja e TVSH-së në bujqësi, është një ligj i rëndësishëm pasi është ftesa më e shkëlqyer që u bëhet biznesmenëve shqiptarë e të huaj dhe nxitja më e madhe që i bëhet biznesit në Shqipëri”.

Nga ana e tij Berisha tha se ka mbajtur të gjitha premtimet dhe iu drejtua PS-se se natë e ditë kanë 1 prill.  “Për këta shokë 1 prilli është çdo ditë e çdo natë e vitit, nuk kanë faj fajet i ka Nastradini në krye të tyre.”- tha Berisha gati në ikje nga seanca

RUÇI: KRYEMINISTER, GEZUAR 1 PRILLIN!

Kryetari i Grupit PS-së, Gramoz Ruçi akuzoi Berishën se mashtron dhe nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe e uroi për 1 prillin
"Gëzuar festën kryeministër se sot është 1 prilli. Ju keni premtuar dhe të gjitha i keni gënjeshtra dhe unë do ta arsyetoj këtë. 4 vjet më parë ju keni thënë:
Angazhohem se do shqyrtojmë legjislacionet e vendit për ti përshtatur me ato europiane. Sot e kësaj dite në mbyllje të manddit tuaj politik ke dorëzuar muajin e fundit 4 kode.
Objektivi ynë do të jetë renditja e Shqipërisë në 20 vendet e para me korrupsionin më të ulët. Jo se e themi ne por organizmat vëzhgues Shqipëria është vendi i fundit në Europë
Lufta me zero tolerance ndaj krimit të organziuar. Numri i krimeve është 2.8 herë më i madh.
Keni thënë se do të krijojmë 6 parqet industriale, sot nuk është vënë në punë asnjë nga parqet që ke deklaruar
Revolucioni fiskal ke thënë se do të vazhdojë pa ndalim, reformimi i sistemit të pensioneve dhe sigurimeve shoqërore. S`ka asnjë reformë.
Objektivi ynë është se në parqet industriale në autostrada etjdo të punësoje 160 mijë vende por sot numri i të punësuarve ka rënë.
Shfrytëzimi i importit për të ngritur termocentrale me qymyr dhe për fat të keq s`kemi as edhe një TEC."  Fjala e plotë e Gramoz Ruçit

REPLIKAT DHE BATUTAT
Berisha: Tani nuk do të kërkohet tesera e partisë për pronën. I jepet fund një urrejtje patologjike 20 vjeçare ndaj tiranasve autoktonë për faj të vetëm se shtëpinë e themelimit të partisë së lirë e shapllën shtëpinë e turpit të kombit shqiptar. Shega se ti nuk firmos në letër të bardhë se imagjino letrën e bardhën).

A e dini se ka mandate që janë blerë me vilën e Dajtit? Po Pandeli mos thuaj që: “edhe këtë e the”? Pandeli i nderuar, zotëri e vetmja gjë që të ftoj është të vish të presim shiritin e punimeve të Lanës.

Topalli: Pandi foli gjermanisht

Berisha: Po nga ma gjete atë orgjinë, ti ishe patriot i PS. Në ua shpërblejmë fermerëve, jo duke bërë kontrabandë lart e poshtë me hënë dhe pa hënë. Ju mbetet që të votoni këto ligje si akt pendese për të gjitha bllokimet që keni bërë në Parlament në një gjest njerëzor që ju i quanit fermerët, eskimezë.

Ruçi: Fjalinë e parë që do të thoja “Gëzuar festën z.kryeministër se është 1 prilli sot”.

Topalli: Festa e PS ka qenë gjithmonë, absolutisht po.

Ruçi: Ju keni thënë se ‘Angazhohem se do shqyrtojmë legjislacionet e vendit për t’i përshtatur me ato evropiane. Sot e kësaj dite në mbyllje të mandatit tuaj politik ke dorëzuar muajin e fundit 4 kode. Objektivi ynë do të jetë renditja e Shqipërisë në 20 vendet e para me korrupsionin më të ulët. Lufta me zero tolerance ndaj krimit të organizuar. Numri i krimeve është 2.8 herë më i madh.

Topalli: E kemi bërë.

Ruçi: Objektivi ynë është se në parqet industriale në autostrada etj do të punësoje 160 mijë vende, por sot numri i të punësuarve ka rënë. Shfrytëzimi i importit për të ngritur termocentrale me qymyr dhe për fat të keq s`kemi as edhe një TEC. Ndërtimi i portit të Vlorës, nuk është bërë asgjë. Ndërtimi një aeroporti të ri në jug, nuk i dihet adresa se ku.

Topalli: Ta thotë Erjon Veliaj

Ruçi: Autostrada e Shkodrës...

Topalli: Ec e shikoje Gramoz si është bërë yll Gramoz. Thuaji Erjon Velisë, se të ka shkruar gënjeshtra.

Ruçi: O Jozefinë nuk kam punë me ty jam ngritur për atë. Si kryeministër në ikje të mandatit tënd, tregohu të vërtetën popullit.

Topalli: Astrologji, kemi kaluar në astrologji tani. Shohim hënë, yjet, dhe po na bëni zotin me emër.

Berisha: Ore të kanë hequr nga lista. Shkruaj aty ne Facebook që më ka heq Sali Berisha. O Namik unë mund t`i them disa fjalë dhe për atë dramën, Shën Mërinë e Beratit, por s`po i hyjë në bisedë.

Dokle: Pse mo çfarë ishte ajo?

Berisha: Ajo ishte një atavizëm e të shkuarës. Propagandë antifetare e Enver Hoxhës.(Ruçit)Dil nga Rogneri. Ose më mirë dil nga Shefikati se në seli nuk të pranojnë më ty. Pse votuat kundër për Elbasanin? Si do shkojë Blushi në Elbasan e tu thotë dajave që nuk votuan për rrugën?

Duke i mashtruar dibranët me Shkëqim Canin, ku i hanë dibranët ato mo? Tani e nxori nga sunduku pas 20 vitesh dhe do bëj rrugën e Arbrit ai. Fajin e ka Nastradini në krye. O Namik, ajo vepër nuk mund të shkruhej sepse nuk je një vend si në çdo vend tjetër. Mos thuaji që ta bëri Blushi e Rama. Ça e quan veten ti, iluminist?

Dokle: Problemi është se me atë që doja të bëja replikë u nis për në shtëpinë e pleqve se atje e ka vendin.

Topalli: Namik të ka ik dhe batuta.

Dokle: Të lutem shumë mbylle gojën.

Topalli: Jo mo Namik mbylle ti.

Në sallë Berisha sulmon Namik Doklen dhe për veprën e Shën Mërisë, ndërsa ky  i fundit i lexon vjershë Jozefina Topallit  LEXONI ME SHUME

PLANIFIMI I TERRITORIT, BERISHA: MERR FUND KUSHTETUTA E RAMES

Kryeministri Berisha tha se miratimi i ligjit i jep fund një epoke që betonoi Tiranën dhe sulmoi Edi Ramën në kohën kur mbante postin e kryetarit të bashkisë. “Do mbetet në memorie kur kryetari i bashkisë si një i ngratë e i shkretë mbante thasët e plehrave e i shpërndante në bulevard si dëshmi e respektit të tij për qytetin. Merr fund dhe praktika e shpërblimit me leje ndërtimi dhe bërjes milioner brenda natës vetëm me faktin se kishe teserën e PS dhe paguajnë 20 % pa bërë fjalë.”

Duke iu referuar ligjit për planifikimin e territorit, kryeministri Berisha theksoi se me anë të këtij ligji merr fund epoka e betonizimit dhe e shkatërrimit.

“Kushtetuta u mor peng nga një klan miliarderësh të PS që nuk lejuan që Tirana të bëhej me plan rregullues. Një plan i premtuar që në muajin e parë të mandatit nga kreu i PS-së, por një plan i shtyrë në kalendar për të mos u realizuar kurrë prej tij, ndryshimet që votuat në përputhje me planin kanë një rëndësi të madhe se ato heqin autoritetit qendror të gjitha kompetencat e mëparshme të trashëguara nga regjimi i kaluar dhe i kalojnë krerëve të bashkive dhe komunave” tha Berisha.

XHAFAJ: DEKRETET PER GJYQESORIN, PROCES KULISASH

Deputeti Fatmir Xhafaj akuzoi kryetaren e parlamentit dhe presidentin Bujar Nishani se po shkelin Kushtetutën e Ligjin me votimin e 3 dekreteve për Gjykatën e Lartë e në Kushtetutese.  ”Kryertarja e ka bllokuar dekretin e presidentit Topi. Presidenti Nishani nuk ka reaguar por me heshtje e ka miratuar. Kjo është shkelje e rëndë e ligjit nga kryetarja e kuvendit. Presidenti po realizon në proces kulisash e aspak transparent. Një hap prapa krahasur dhe me paardhëshit e tij....një proces i mbyllur brenda presidencës, duke mos u konsultuar me grupet e interesit, partitë. Një proces kulisash që vendoset në kryeministri dhe noterizohet në presidencë dhe mbyllet me kartonat pa zë formale të parlamentit”

Sipas Xhafajt vendimi i presidentit bie ndesh me Kuvendin. Aia thotë se procedurat për emërimin janë antikushtetuese, antiligjore dhe jo tranasparente.
"Emërimin në Gjykatë Kushtetuese e dy gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që i i përfundon mandate në dy vitete e ardhshme nuk bëhet për t’i bërë respekt por për të krijuar vende vakant, për të emëruar 3 gjyqtarë të njohur për lidhje politike e krahinore. Kjo është goditje e radhës për transparencën gjyqësore.”- tha Xhafaj. Nga ana e saj kryetarja e Parlamentit tha se “fjala e Xhafajt ishte jashtë rendit të ditës.”

HALIMI: PS KA PASUR GJYQTARE TE LIDHUR ME KRIMIN
Për ministrin Halimi, kjo nismë është një nga reformat më të rëndësishme të sistemit gjyqësor, reforma për modernizimin dhe konsolidimin e administratës gjyqësore në Shqipëri.

”Pr/ligji mban firmën e ekspertëve europianë dhe 400 gjyqtarëve dhe 500 zonja që punojnë në administratë gjyqësore janë pro këtij pr/ligji. Si mund të thoni që nuk përmbush standardet ?”- tha Halimi.

Ministri i Drejtësisë akuzoi PS-në se kur ka qenë në pushtet ka emëruar në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë që kanë qenë të lidhur me krimin.

"Një gjyqtar e bëtë anëtar të KLD-së duke i pasur dosjet mal. Dhe kur ne kërkuam që ai të largohej, ju me votën tuaj 'të pavarur' thatë "JO, ai duhet të rrijë atje si anëtar i KLD-së', pasi ishte i sponsorizuar personalisht nga ju.

Ishte ky gjyqtar që i hapi rrugën bandës së Lushnjes dhe Aldo Bares. Kjo është drejtësia e pavarur që ju (opozita) bëtë për tetë vjet, ndërsa tani po u bëka qameti se pse ministri i Drejtësisë po bën emërime në gjykata", - iu drejtua ministri Halimi deputetëve të PS-së. Deputeti i PS, Armando Subashi kundërshtoi akuzat e Halimit.

PS KUNDER PR/ LIGJIT PER ADMINISTRATEN
Deputetja socialiste Shega Ligori tha se pr/ligji “Nuk rregullon administratën gjyqësore, por pozicionin e ministrit në gjyqësor. Projektligji e kthen ministrin e Drejtësisë de fakto në kryeadministratorin e çdo gjykate në veçanti dhe të tërë gjykatave të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë në tërësi, duke rrezikuar pavarësinë e funksionimit të tyre."- tha Ligori. 

"Ligjet për reformën në drejtësi duhet të miratohen me shumicë të cilësuar, ndërsa drafti është vendosur të kalojë me shumicë të thjeshtë. Kjo është shkelje kushtetuese, pasi administrata gjyqësore është pjesë e rëndësishme e pushtetit gjyqësor" shtoi deputetja e PS-së.

Nisma ligjore e qeverisë që përfshin 57 nene, është hartuar në bashkëpunim me ekspertizën e misionit EURALIUS bazohet në standardet më të mira të Bashkimit Europian. Drafti i jep administratës gjyqësore një status që e mbron dhe e garanton në ushtrimin e veprimtarisë së përditshme si barriera e parë e përplasjes së publikut me gjykatat.

SEANCEN E KALUAR, DEKRETET S'U VOTUAN

Seancën e kaluar, mazhoranca nuk kishte 71 vota për kalimin e dekreteve për emërimin e Besnik Imerajt dhe Gani Dizdari në Gjykatën Kushtetuese dhe Xhezair Zaganjori në Gjykatën e Lartë, prandaj nuk u hodhën në diskutim.

Maxhoranca seancën e kaluar në sallë kishte 69 deputetë, ndërkohë që Opozita kishte 51 deputetë.  Javën e kaluar  LSI deklaroi se dekretet ishin  tërhequr nga votimi minutën e fundit pasi nuk kishte pasur kuorum, dhe jo ndonjë ftohjeje mes PD e LSI, ndërkohë që mediat duke iu referuar burimeve nga mazhoranca shkruanin se ka qenë një shkak më i fortë, që kishte të bënte me qëndrimin refuzues të LSI-së për të votuar 3 dekretet.

Shkak sipas medias ishte bërë mospërfshirja nga mazhoranca në listën e dekreteve që duhet të votoheshin edhe dekretin e mëparshëm të propozuar nga ish presidenti Bamir Topi për Artan Hoxhën, i cili 10 muaj më parë u propozua për anëtar të Gykatës Kushtetuese në vend të Plarent Plloçit. Kuvendi mbyll punimet më 9 maj dhe vendi hyn zyrtarisht ne fushate elektorale. 

Redaksia online
(ar.sh/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?



×

Lajmi i fundit

Hidhen lule nga ura e Bunës për nënën e mbytur me 3 fëmijë, nënkryetarja e Shkodrës Qyteza: Mos heshtni pas dyerve ku dëgjoni dhunë

Hidhen lule nga ura e Bunës për nënën e mbytur me 3 fëmijë, nënkryetarja e Shkodrës Qyteza: Mos heshtni pas dyerve ku dëgjoni dhunë