TIRANË, 5 Shkurt/ ATSH/.- Zëvendëskryeministri Niko Peleshi theksoi sot në Kuvend se si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara në jug të vendit, pozitive është se nuk kemi asnjë jetë të humbur.
Gjatë fjalës në Kuvend, duke informuar se çfarë ka ndodhur përreth një jave me situatën emergjente të përmbytjeve të shkaktuara kryesisht në jugun e vendit, zv/kryeministri Peleshi theksoi se "kryeministri Rama ndodhet jo për herë të parë në terren pranë zonave të përmbytura dhe nuk është vetëm për të bërë atë që bën kreu i opozitës, show me çizme në ujë, por janë të gjitha strukturat e anagazhuara të qeverisë shqiptare, që prej ditës së parë, por edhe para se përmbytja të ndodhte, në gjendje gatishmërie e pune pranë të gjithë qytetarëve".
"Përmbytja nuk mund të shmangej totalisht, pasi i kalonte mundësitë e strukturave të shtetit, por një lajm të mirë e kemi sot, që është rezultat i ndërhyrjes energjike të gjithë strukturave të emergjencës, se nuk kemi asnjë jetë njeriu të humbur. Sot sigurisht prioritet i prioriteteve të qeverisë shqiptare është shpëtimi i jetës së njërëzve, i pasurisë së banorëve të përmbytur", tha Peleshi./vijon/k.s//a.ke/










