Kuvendi/ PS kalon ligjin, anulohen gjobat për ndërtime pa leje, dhe të AKU në fshat! Rrëzohet amendamenti i PD-së, s'falen faturat e prapambetura të ujit e dritave

TIRANË - Kuvendi i Shqipërisë miratoi pak para mesnatës vetëm me votat e PS (në mazhorancë) ligjin për faljen e gjobave të papaguara në zonat rurale dhe qytet, për ndërtimet pa leje të vendosura nga 1 janari 2015 - 30 nëntor 2024. Gjithashtu amistohen gjobat për shkeljen e rregullave në pandemi dhe të AKU për subjektet bujqësore e blegtorale në fshat, në këtë periudhë. 

Ndërkohë maxhoranca rrëzoi amendamentin e kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit për anulimin e detyrimeve të prapambetura për energjinë dhe ujin.

Projektligji “Për anulimin e masave administrative” u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër e asnjë abstenim në fund të një seance maratonë që nisi në orën 10:00 të 19 dhjetorit dhe përfundoi në mesnatë.  

Cilat gjoba anulohen?
Anulohen të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri më 30 nëntor 2024.  Përfitues janë ata që janë gjobitur për ndërtim të paligjshëm për strehim individual, në qytet ose në fshat nga IMT, IKMT, Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kush përfiton?
-Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
-Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale
-Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë

Seanca
Projektligji përplasi mazhorancën dhe opozitën në seancë. Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, teksa prezantoi projektligjin u shpreh se ky projektligj nuk është një amnisti.

‘Është një ligj i rëndësishëm, nuk është amnisti, sepse iu referuan faktit që është amnisti, madje nuk është as falje. Projektligji nuk fal gjë, por shfuqëzon masat administrative nga 1 janari i vitit 2015 dhe deri më 30 nëntor 2024’, tha ai. 

Ndërkohë, opozita u shpreh se po bëhet me procedurë të përshpejtuar dhe në kundërshtim me rregulloren. 

'Mënyra se si po e kaloni ligjin është në kundërshtim me rregulloren. Duhet shqyrtuar në Kuvend 2 javë pas depozitimit, ndërkohë që po bëhet me procedurë të përshpejtuar', deputeti i PD Edmond Spaho.

Debate në senacë ka pasur edhe projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, teksa foli në Kuvend për projektligjin theksoi se sanksionet mund të shkojnë deri në 10 milionë euro.

Por, për depueten e PD Jorida Tabaku gjobat janë të larta. Ajo u shpreh se ato mund të falen nga mazhoranca pasi të vendosen si po ndodh sipas saj edhe me anulimin e masave administrative.

‘Ky është një nga projektligjet më të rëndësishme. Projekligji ka shkuar 4 herë për mendim në shërbimet e komisionit europian ka përsëritur që të mos preken sanksionet që ju thoni janë të larta. Sanksionet shkojnë deri në 10 mln euro’, tha ai. 

Në sallën e parlamentit Berisha i kërkoi Spiropalit ndërprerjen e seancës dhe votimin për rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë. Por kryetarja e parlamentit iu përgjigj se nesër dy Kuvendet Shqipëri-Kosovë do të dalin me një deklaratë të përbashkët që do përfshijë shumë çështje.

'Ju keni refuzuar rezolutën, votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb që nesër të shkoni si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e gjenocidit, më të padëgjuarat ndonjëherë', tha ai.

 PS duhej ta kalonte sot pr/ligjin pasi nuk lejohet të hyjë në fuqi pas 11 janarit, kur qeveria vendoset në kufizime për të mos joshur elektoratin pranë zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit 2025.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:23
Pr/ligjet e miratuara në Kuvend/ Rimbursohen profesionistët e lirë që paguan këstet e tatim-fitimit! Ngrihet shërbimi rezervist

Pas një seance maratonë Kuvendi miratoi pak para mesnatës një sërë pr/ligjesh, mes tyre  akti normativ që bën të mundur rikthimin e kësteve të parapaguara nga profesionistët e lirë për tatimin mbi fitimi. si dhe u ngrit shërbimi rezervist. Rrëzohet propozimi i Alibeajt për Komision për Hartimin e Reformës ‘Pakti për fëmijët’.

-Akti normativ nr 4, datë 27.11.2024 "Për një shtesë në ligjin nr 29/2023 "Për tatimin mbi të ardhurat", i ndryshuar Miratohet: 76 pro, 0 kundër, 0 abstenime  
-Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes kuadër të huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës për Zhvillim te Keshillit të Evropës për financimin e projektit "Laboratorët inteligjentë (Smart Labs) - digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar'''. Miratohet: 72 pro, 8 kundër, 0 abstenime 
-Projektligji "Për ratifikimin e Konventës për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve Gjyqësore tê Huaja në Çështjet Civile ose Tregtare".  Miratohet: 81 pro, pro edhe 8 deputete të PD 
-Projektligji "Për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për veprat penale qe lidhen me pasurinë kulturore, bërë në Nikosia më 19.5.2017". Miratohet: 78 pro 0 kunder 0 abstenim, pro edhe 5 deputete të PD
-Projektligji "Për mbrojtjen e të dhënave personale". Miratohet:  74 pro, 1 abstenim 
-Projektligji "Për organizimin dhe funksionimin e Forcës Rezerviste në Republikën e Shqipërisë" Miratohet: 74 pro, 6 abstenim 
-Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 091, datë 5.3.2009, "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të audituesit ligjor dhe tê kontabilistit tê miratuar''', i ndryshuar.  Miratohet: 74 pro, 5 kunder
-Projektligji “Për anulimin e masave administrative”. Miratohet 73 vota pro, 0 kundër , 0 abstenime
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, i ndryshuar. Miratohet 73 pro, 0 abstenime, 0 kundër 
-Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”. Miratohet 73 pro, 0 abstenime, 0 kundër
-Projektvendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 92/2017 “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, i ndryshuar. Miratohet: 72 pro, 0 abstenime, 0 kundër
-Projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Hartimin e Reformës “Pakti për fëmijët”. Nuk miratohet: 67 kundër, 0 abstenime
Ora 22:25
Ilda Dhori kërkon përjashtimin e Braçes nga seanca: Tha e ke gojën si paçavure! Deputeti i PS: Në kulinari është ëmbëlsirë


Vijon me tensione dhe debate seanca e sotme në Kuvend. 

Deputetja e PD Ilda Dhori ka kërkuar përjashtimin e deputetit të PS, Erion Braçe, me pretendimin se e ka ofenduar. 

Ilda Dhori: Braçe ka përdorur termin e ke gojën si paçavure. Ju kërkoj të merrni masa, që mos të bëhet të zakonshme dhe të kërkoni përjashtimin nga seanca të kolegut

Erion Braçe: Në kulinari, paçavurja është ëmbëlsirë.

Ora 21:27
Projektligji për faljen e gjobave, Braçe: Nuk është amnisti! Spaho: Po bëhet me procedurë të përshpejtuar

1734641332_erionbracespaho.jpg
Teksa prezantoi projektligjin për anulimin e masave administrative deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, u shpreh se ky ligj nuk është një amnisti.
Deputeti tha se ligji shfuqëzon gjobat nga 1 janari i vitit 2015 dhe deri më 30 nëntor 2024. 

‘Është një ligj i rëndësishëm, nuk është amnisti, sepse iu referuan faktit që është amnisti, madje nuk është as falje. Projektligji nuk fal gjë, por shfuqëzon masat administrative nga 1 janari i vitit 2015 dhe deri më 30 nëntor 2024. Nuk është me natyre financiare në kuptim të asaj që përcakton rregullorja për të tilla ligje. Ka të bëjë me ligjet e paketës fiskale dhe me asnjë ligj tjetër të kësaj natyre. Doja ti sqaroja këto keqkuptime sepse mund të çojnë në procedura që mund të bllokojnë projektligjin. Ka një natyrë të thjeshtë i referohet disa proceseve nga 2014 e këtej’, tha ai. 

Po ashtu, deputeti tha se po ashtu do të ketë edhe një shfuqëzim edhe të masave të marra gjatë periudhës së Covid në vend kryesisht ato që lidhen me mosrespektimin e orarve të përcaktuara për të mos lëvizur. 

'Lidhur me masat që janë marr kur ishim në pandemi, për rregullat shtënguese për të administruar atë situatë në të cilën u ndodh vendi ka ardhur koha që ato masa që kanë mbetur pa u ekzekutuar sidomos ato për mosrespektimin e orave për të dal të shqëzohen’, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i PD Edmond Spaho, u shpreh se projektligji për faljen e gjobave po bëhet me procedurë të përshpejtuar.

'Mënyra se si po e kaloni ligjin është në kundërshtim me rregulloren. Duhet shqyrtuar në Kuvend 2 javë pas depozitimit, ndërkohë që po bëhet me procedurë të përshpejtuar. Është një ligj propagandë që vjen pas 5-6 vite të ngjarjeve që përmendni, tërmeti dhe pandemia. Mirë që u kujtuar sot, port ë paktën të kërkoni një ndjesë formalisht. Ishit ju që vinit gjoba, dhe sot bëni të kundërtën. Atëherë na I shitët si shtet formim', tha ai. 

Ora 20:10
Berisha kërkon votimin e rezolutës kundër gjenocidit serb, Balla: Ju arrestuat Adem Jasharin

Debate në seancën plenare vijojnë ende. Debati shkoi tek gjenocidi serb në Kosovë, për të cilën Berisha i kërkon socialistëve ta votojnë, ndërsa përmend edhe këngën e Adem Jasharit e cila është ndaluar sipas tij edhe prej mazhorancës në stadiume. Por Ministri Taulant Balla tha se Adem Jasharin e arrestuan qeverisja e PD-së në 92-97.

Berisha e hedh poshtë pohimin për arrestimin e Adem Jasharit si një trillim, duke sugjeruar se ky është një shpifje e krijuar nga serbët dhe shqiptarët me qëllime të këqija.

Ai thotë se Jashari është trajnuar midis vitit 1992 dhe 1993, por nuk është arrestuar kurrë.

Balla: Adem Jasharin e arrestuat ju. Sa i përket dhembshurisë së madhe për atë që do të marri liken ë facebook për këngën e mikut tim Naim Gjoshit. Kënga as ka thënë dikush se është ndaluar. I kam Shkurtes mos i beso gojëve të liga. Meqë nesër kemi takimin e Kuvendeve le të themi ca rrena se ecin shumë shpejt. Mos lejoni të flasin për futboll njerëz që nuk marrin vesh nga futbolli.

Berisha: Arrestimi i Adem Jasharit është trillim serbo shqiptar i turpshëm. Nuk ka ndodhur kurrë. U trajnua 1992 1993 dhe nuk është arrestuar kurrë në asnjë rast. Ata të cilët e hapën këtë shpifje e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën e keni rrëzuar, e keni vonuar dy vjet. Votojeni sonte që të hiqni njollën e zezë kundër jush. Nuk po bëj politikë unë. Janë jetët e njerëzve shqiptarë që janë vrarë. Ju keni frikë nga Beogradi.

Ora 20:07
Vangjel Dule: Të shtyhet pr.ligji për të dhënat personale! Manja: Duket qartë që nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE

Kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule teksa foli për pr.ligji për të dhënat personale tha se duhet të shtyhet pr.ligji për të dhënat personale.

Në replikë Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja u shpreh se opozita nuk e do integrimin e Shqipërisë në BE.

Vangjel Dule: Në botë kushdo që gjendet me databaze të qytetarëve vihet para përgjegjësisë ligjore. Po këtu kush u vu para përgjegjësisë. Kush u vë para përgjegjësisë? Të dhënat e qytetarëve ishin në dorën e patronazhistëve të partisë suaj. Ju thoni se do të na anëtarësoni në BE. Ju që Shqipëria fitoi vendin kandidatë në BE në 2014 dhe për arsye gjeopolitike arritët që në 2023 të çelni negociatat.

Ulsi Manja: Ju doni që të dhënat personale të mos mbrohen me të njëtat standarde që ka ly ligj, ju ju intereson retorika poltike. Treni i shqipërisë për në BE se ndalon dot askush. Do ta marrim ftesën për anëtarësim në fund të viti 2027. Ti zoit Dule edhe sot e provove që se do integrimin’, tha ai. 

Ora 20:01
Zgjedhjet e 11 majit 2025, Taulant Balla: Emigrantët nuk do të paguajnë për postën e votës

1734635074_taulantballa.JPG

Duke u ndalur në procesin zgjedhor të 11 majit 2025, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla i kërkoi opozitës të bashkojë votat për t'u siguruar emigrantëve pagesën e shërbimeve postare për dërgimin dhe kthimin e fletës së votimit. 

"Motrat e vëllezërit tanë në diasporë e kanë të qartë gjykimin, e dinë që duhet votuar Edi Rama dhe PS  në 11 maj. Se ka ikur koha që 12 vite më parë e kishin turp të thoshin janë shqiptarë. Pashë udhëheqësin tuaj që kërcënoi ambasadat e diplomatë dhe i bëri thirje militanëteve të godasin me vezë dhe domate diplomatët. Kemi bërë një kallzim për këtë çështje, prisni rezultatet.

Por është e turpshme dhe e papranueshme që një njeri që ka qenë president, kryeministër i këtij vendi dhe non grata në fund, të mos ketë kuptuar që shërbimi diplomatik është i depolitizuar dhe përfaqëson kombin shqiptar, por ajo që ka nevojë ky proces historik është dakordësia që ju duhet të jepni, për shkak se PS nuk i ka 84 vota që të mundësohet ndryshimi i kodit zgjedhor sa i përket afateve të regjistrimit të kandidatëve, siç ka kërkuar KQZ-ja, për të mundësuar dërgimin në kohë të fletës së votimit te të gjithë ata qytetarë shqiptarë që do regjistrohen me shumicë në 11 maj', deklaroi ministri Balla.

Ora 20:01
Berisha: Ndërprisni seancën, votoni gjenocidin serb në Kosovë! Spiropali: Nesër dy Kuvendet do dalin me një deklaratë të përbashkët

 

Në sallën e parlamentit vijojnë debatet. Berisha i kërkoi Spiropalit ndërprerjen e seancës dhe votimin për rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë. Por kryetarja e parlamentit iu përgjigj se nesër dy Kuvendet Shqipëri-Kosovë do të dalin me një deklaratë të përbashkët që do përfshijë shumë çështje.

Berisha: Edhe në mëngjes e ngrita para mediave thashë të ndërprisni punimet të sillni rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë sepse ulja juaj në Kuvendin e Kosovës është si përfaqësues të Serbisë. Sepse ju keni refuzuar rezolutën, votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb që nesër të shkoni si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e gjenocidit, më të padëgjuarat ndonjëherë. Zonjë sille rezolutën ta votoni, një ndjesë publike për sanksionet Kosovës të partë në Europë. për ndalimin që i bëtë himnit për Adem Jasharin Mora Fjalë, u fshehët pastaj se e zëvendësuam me një këngë shumë e bukur. Por nuk zëvendësohej sepse e zuri vendin. Ju erdhi telefoni i kuq nga Beogradi, si do shkoni atje.

Spiropali: Koha juaj ka mbaruar zoti Berisha. E mori për replikë.

Berisha: Jeni dakord të ndërpresim seancën dhe të sjellim rezolutën këtë kërkoj unë.

Spiropali: Nesër do dalim me një deklaratë të përbashkët, do jetë e qartë për të gjithë çështjet, nga rruga evropiane tek kërkesa e rrugëtimit të Kosovës, për çështjet e sigurisë në rajon. Nuk është vendi për të bërë politikën e ditës me Kosovën.

Ora 19:41
Mbrojtja e të dhënave personale, Manja: Sanksione deri në 10 mln euro! Tabaku: Gjobat janë të larta! I vendosni dhe më pas i falni

 

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, foli në Kuvend për projektligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Ai tha se kërkohet më tepër ndërgjegjësim për mbrojtjen e të dhënave personale, ndërsa sanksionet mund të shkojnë deri në 10 milionë euro.

‘Ky është një nga projektligjet më të rëndësishme. Një kërkesë e vazhdueshme e Komisonit europian e cituar edhe në progresraporte. Dua që të kërkojë votën e secilit prej jush për miratimin e një ligji të tillë që përforcon mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë duke përforëcuar standrdet sa i takon mbrojtjes së të dhënave personale njësoj si ato që gëzojnë edhe qytetarët e BE. 

Sa i përket zbatimit të ligjit kapacitetet dhe kompetencat e komisionerit do të duhet që të rriten nëse kërkohet që ai të përballojë me efikasitet përgjegjësit e reja që do të lindin nga miratimi i këtij Ligi. Po ashtu kërkohet ndërgjegjësim për mbrojtjen e të dhënave personale, që është ende në nivele të ulëta. Projektligji ka shkuar 4 herë për mendim në shërbimet e komisionit europian ka përsëritur që të mos preken sanksionet që ju i quani të larta. Shteti ka marr përsipër sanksione që shkojnë deri në 10 mln euro’, tha ai. 

Deputetja e PD Jorida Tabaku u shpreh se gjobat janë të larta, ndërsa u shpreh se ato edhe mund të falen nga mazhoranca pasi të vendosen. 

‘Gjëja që unë kundërshtojë janë gjobat, janë të larta dhe na ndodh ajo që po ndodh sot vini dhe i falni. I vendosni dhe më pas i falni. Po nëse meraku juaj është mbrojtja e dhënave, cfarë ndodh nëse në fushatë elektorale del databazë me të dhënat e qytetarëve, çfarë masa do të marr komisioneri. Do t'i vendos gjobë 10 mln euro, ligji s'duhet të jetë në letër por në praktikë’, tha ajo.  

Ora 19:18
Digjitalizimi, Peleshi: Vizion i qartë i qeverisë! Lançojmë asistentin virtual për të aksesuar në shërbimet publike

 

Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi tha sot se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë sa i takon digjitalizimit të vendit.

Në fjalën e tij në Kuvend, gjatë diskutimeve për ratifikimin e marrëveshjes së huas me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës për financimin e projektit ““Laboratorët inteligjentë” (Smart Labs) – Digjitalizimi i sistemit arsimor shqiptar”, ku mundësohet financimi i 654 laboratorëve inteligjentë në shkolla nga veriu në jug, Peleshi tha se Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë të digjitalizimit.

“Kjo marrëveshje është pjesë e një vizioni që na ndan nga e shkuara dhe qeverisjet e së shkuarës. Bëhet fjalë për modernizimin e Shqipërisë dhe ekonomisë shqiptare, të kulturës dhe edukimit përmes digjitalizimit. Po jetojmë në një epokë transformimi të shpejtë digjital dhe jo të gjitha vendet në këtë epokë lëvizin me të njëjtën shpejtësi”, tha Peleshi.

Sipas tij, ka vende shumë të zhvilluara ta cilat nuk e kanë prioritet digjitalizimin dhe shpejtësia  me të cilën ndjekin këtë udhë nuk është e lartë, teksa ka vende si Shqipëria e cila e ka vendosur digjitalizimin si prioritet.

“Shqipëria po rreshtohet si një nga vendet me shpejtësinë më të lartë në digjitalizim. Shqipëria është një nga vendet e pakta që ka arritur mbi 95% të shërbimeve publike online me e-Albania. Është nga vendet e pakta, që do të lançojë së shpejti asistent virtual me IA për të ndihmuar shqiptarët brenda dhe jashtë vendit, për të aksesuar në shërbime publike pa nevojën e pranisë fizike, duke i marrë ato online.

Nuk duhet parë ky projekt si masë e veçantë për modernizimin e infrastrukturës arsimore, pasi nuk është e vetmja masë, por është pjesë e një vizioni më të gjerë. Duhet parë krahas mbështetjes nga qeveria shqiptare, për kurse kodimi për mijëra të rinj nga i gjithë vendit. Ngritja e agjencisë së startup, duke ndihmuar ngritjen e ndërmarrjeve të reja, si dhe ligjit për kërkimin shkencor, që kërkon ti japi këtij sektori impuls të ri”, tha ai.

Ora 18:37
Vrasja e Martin Canit, Dogjani: Në shkolla nuk ka asnjë siguri! Fëmijët po marrin thika dhe jo libra


Deputeti i PD, Asllan Dogjani, ka folur në Kuvend për vrasjen e 14 vjeçarit Martin Cani nga bashkëmoshatari i tij në ambientet e shkollës Fan Noli. Ai tha në shkolla nuk ka siguri.

‘Nëna e Martinit tha ka një muaj që se sheh djalin dhe ministria i sheh të vetët, ndërsa ajo qan tek krevati i djalit sepse ja vranë në shkollë, në këtë shkollën e famshme që vini dhe thoni kemi bërë labortaore. Fëmijët në vend të librave marrin thikat dhe vrasin njëri-tjetrin, shtyhjen dhe bullizohen, ndërkohë që duhet që të ishte një vend i sigurt ku të merrnin dije. Ja ky është arsimi, c'ju duhen laboratorët atyre kur dhunohen dhe bullizohen. Prindërit janë në ankth sepse nuk e dinë nëse do ti kthehen fëmijët nga shkolla. Çfarë ndodh sot me arsimin parauniversitar. Kryeministri thoshte arsim cilësor, ka degraduar si mos më keq, janë vitet më të keqe për arsimit. Një nga arsyet që largohen të rinjtë nga vëendi është mungesa e arsimit. Mësusit tanë kanë paga më të ulëta në rajon.', tha ai. 

Ora 17:49
Ina Zhupa- Manastirliut: Jep dorëheqjen, i vetmi akt që do duartrokitet nga opozita! Në shkolla mungon digjitalizmi


Deputetja e PD Ina Zhupa, nga foltorja e Kuvendit kërkoi dorëheqjen e Ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu. Ajo u shpreh se në shkolla mungon digjitalizmi. 

‘Smart lab, po teknologjia është e ardhmja, por si i keni përdorur ju si qeveri parat që janë dhënë nga buxheti për të futur teknologjinë në shkolla. Si mund të vihet dhe kërkohet një kredi kur janë shpenzuar për digjitalizimin 18 mln euro nga taksat e shqiptarëve për të mos pasur asnjë rezultat në digjitalizim. Periudha e covid ishte periudha ku nxënësit nuk zhvillonin dot mësim online pasi mungonte digjitalizimi. Një pjesë e shkollave nuk kanë kompjutera, po ashtu edhe aty ku ka kompjutera nuk ka lidhje interneti dhe nuk shërben që të bëjnë mësim online dhe të aksesojnë të dhëna. 5 % e shkollave në vend kanë lidhje interneti.

Tregon se jemi në një gjendje të mjerueshme dhe duhet të investohet po pse duhet të merrni 27 mln euro, kur këto mund ti kishim kaluar me buxhetin e shtetit që kaluan, pse si morëm këto para nga inceneratorët dhe nga Check up dhe nga koncensionet e tjera që vidhen. Zonja ministre largohuni, jepni dorëheqjen dhe merr përsipër faturën e një dështimi si është ai i sigurisë në shkolla, jep dorëheqjen dhe do të jetë akti i vetëm që do të duartrokitesh nga opozita’, tha ajo. 

S.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 18 Janar, 08:40

    A duhen bërë publik emrat e politikaneve që kanë përdorur Sky Ecc?



×

Lajmi i fundit

Superkupa 'deh' Barcelonën, Getafe e ndal 1-1

Superkupa 'deh' Barcelonën, Getafe e ndal 1-1