Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, thotë se fakti që kryeministri sot nuk dha llogari siç duhet për McGonigal është tregues se drejtësia në Shqipëri lë për të dëshiruar. Tabaku thotë se kjo është arsyeja se pse vendi ynë renditet ndër më të korruptuarit në Evropë.
“E vërteta është vetëm një, është ajo që ka ndodhur, ajo që shkruhet në akuzë, ajo që shpresojmë të gjithë ta mësojmë më në detaje në një gjyq që po zhvillohet përtej oqeanit. Nuk ka disa të vërteta, nuk ka secili të vërtetën e tij. Dyert e Rashomon, këtu në këtë rast e në çdo rast, duhet të nxjerrin të vërtetën për atë që shumë e konsiderojnë si një nga skandalet më të rënda që ka prekur FBI e që fatkeqësisht ka një pjesë të origjinës edhe nga Shqipëria.
Sot, shqiptarët janë përballë disa provave dhe fakteve që kanë origjinën e tyre nga një hetim dhe dy akuza që i janë kryer një ish zyrtari të lartë të FBI.
Akuza e parë është drejtuar ndaj ish zyrtarit të FBI sepse ai ka kryer biznes të padeklaruar, pra është korruptuar, nga oligarku rus Oleg Deripaska.
Akuza e dytë është ajo e ngritur se McGonigal ka marrë 225 mijë dollarë amerikanë për çështje të lidhura me Shqipërinë qoftë këto politike, përfshirë dhe një hetim kundër Partisë Demokratike.
Unë nuk bëj dot prokuroren, por sot si qytetare, si deputete dhe si anëtare e Partisë Demokratike kam nevojë për transparencë. U deshën të kalonin pesë vjet, që shqiptarët njësoj si dhe unë, mësuam se McGonigal kishte udhëtuar drejt Shqipërisë në së paku 4 herë duke u takuar po kaq herë me kryeministrin e vendit.
U deshën pesë vite, që refreni i rublave ruse të merrte një kuptim tjetër. Një kuptim që nis nga takimet e kryeministrit me ish drejtorin e FBI dhe përfundon në tendera dhe koncesione për rublat ruse!
Fati i madh i shqiptarëve është se kjo çështje po hetohet në një vend që u krijua mbi bazat e institucioneve të pavarura dhe sundimit të ligjit.
Fati i madh i shqiptarëve është se investimi më serioz i shekullit të 21 në vendin tonë nga SHBA dhe BE është pikërisht Reforma në Drejtësi.
Prandaj, SPAK duhet të mësojë nga ky shembull i mirë. Nuk janë rastësi të gjitha këto prova dhe fakte të bëra publike.
Në një shtet autokratik këto janë rastësi, shpifje apo sajesa. Në një shtet ku sundon ligji dhe pavarësia e institucioneve këto janë prova, fakte apo më së paku indicie e që në fund të ditës tregojnë atë që kanë vite e thonë raportet “vendi më i korruptuar në rajon”.”-tha Tabaku.
Lajmi kryesor: