Kuvendi diskuton pr/buxhetin 2012

Kuvendi nis shqyrtimin në parim të pr/buxhetit të shtetit për vitin 2012. Seanca nisi rreth orës 10:40 dhe pritet të vazhdojë deri në orët e vona të mbrëmjes, duke u shoqëruar me debate të forta nga të dy kahet politike

Ora 19.58 RUCI: BUXHETI NUK NDIHMON NE ZHVILLIMIN EKONOMIK
Në fjalën e tij në parlament, Gramoz Ruci i ka kujtuar Berishës se fjalimi i tij zgjati 144 minuta, në të cilat nuk i tha shqiptarëve asgjë nga ato që prisnin të dëgjonin.

Ruci u shpreh se shqiptarët duan të dinë nëse ka rritje ekonomike gjatë këtij buxheti apo nëse luftohet korrupsioni.

“ Ky buxhet nuk ndihmon në zhvillimin ekonomik të vendit, sipas shifrave rritja ka ndaluar. Nuk zbut efektet e krizës, nuk shoqërohet me ulje të borxhit publik, nuk mbështet arsimin, nuk nxjerr bujqësinë nga feudalizmi i sotëm, ky buxhet nuk shpëton dot vendin nga plehrat, nuk lufton korrupsionin,” tha Ruci.

Ora 18.40 BERISHA-SPAHIUT: JENI GENJESHTARE
Berisha ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes socialiste Klodiana Spahiu, se në Shqipëri 1 në 2 persona vuan nga sëmundjet e zemrës. Shefi i qeverisë i bëri thirrje deputetes së PS-së për të mos thënë gënjeshtra.

“Tu thuash shqiptarëve se njëri prej dy prej jush vuan nga sëmundje zemre u thua një nga të pavërtetat më të mëdha. Kjo do thotë se ke një problem serioz me veten se shqiptarët nuk kanë probleme kardiovaskulare. Një deklaratë të tillë nuk mund ta bëjë një njeri me diplomë mjeku, këtë e nxjerr nga universiteti i PS. Ekzistojnë marrëdhëniet më njerëzore midis mjekëve dhe të sëmurëve. Mos merr fjalorin politik për ti transportuar ato në marrëdhëniet mjek pacient”,- deklaroi Berisha.

Klodiana Spahiu deklaroi se statistikat i ka marrë nga ministria e Shëndetësisë.

Ora 17.56 SHAMKU: DUHET RRITUR BUXHETI PER ARSIMIN!
Deputetja e PS-së, Ledi Shamku, deklaroi hapur votën e saj kundër buxhetit.
“Nëse do votën time Sali, rrite me 5% buxhetin për arsimin, nëse nuk e bën ik”, komentoi Shamku.

Ora 16.18 IMAMI: FOND PER MBESHTETJEN E FORCAVE TE ARMATOSURA
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se në buxhetin e vitit 2012 parashikohet një fond për mbështetjen e forcave të armatosura, të denjë për angazhimin e saj në NATO.

“Buxheti do të mbështesë një strukturë organike, dhe gjithë strukturave të forcave të armatosura. Duhet të përcaktojmë demontimin e armëve sipas planit të demontimit,” tha Imami.

Ora 14.47 HALIMI: 2012, BUXHETI ME I MADH PER MINISTRIN E DREJTESISE
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, theksoi sot se fondi për investime në ministrinë e Drejtësisë është katërfishuar për vitin 2012.
Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm, Halimi tha se viti 2012 do të jetë viti me buxhetin më të madh në ministrinë e Drejtësisë.

Ora 14.06 SKENDERBEU, BERISHA: IU KTHYE GJELBERIMI, BLUSHI: DUKET SIKUR KULLOT
Sheshi Skënderbej ishte një tjetër temë debate që u hap në Kuvend. Berisha tha se sheshi “mori drejtimin jeshil”

"Nga betoni kaloi në shesh të gjelbëruar. Shihni more. A e kuptoni se çfarë ishte piramida apo jo? Piramida nuk ndërtojmë më. Nuk bëjmë kurbane e rite të vdekjes. Ne kemi ritin e jetës.
Ndërsa në replikë deputeti Ben Blushi tha: "Ai shesh më ndihmon mua të shkoj në shtëpi 5 minuta më parë, por a më tregoni si të shkoj te busti i Skënderbeut. “E keni fut në një fushë me barë dhe duket sikur kullot. Nëse Saliu ka mundësi të shkojë te Skënderbeu pa hequr këpucët i shkoj dhe unë prapa.”

Ora 14. 00 BERISHA: LEXONI KURBANIN SI VEPRAT E ENVERIT
Berisha duke iu referuar deputetëve socialistë, tha se kreu i PS-së i ka detyruar të lexojnë me detyrim librin e tij "Kurban".
"Dikur më thonit mua që merrem me Harri Poter, tani mbiu Kurbani. Lexoni me detyrim, është bërë si vepra e Enverit për ju”

Ora 13.41 BERISHA: PS NDEZI MOTORET E SHPIFJES
Kryeministri Berisha deklaroi se “PS ka ndezur të gjithë motorët e trillimit të qytetarëve në rastin e buxhetit.” Duke iu referuar akuzave të deputetit Fino për reduktim të fondeve ndaj pushtetit vendor, Berisha tha se qeverive vendore i është rritur fondi me 5 herë më shumë.
“Fondi i rajoneve në grantin e kushtëzuar e të pakushtëzuar janë së paku 35 miliardë lekë, 5 herë më shumë se sa u dhatë ju qeverive vendore. “
Madje duke iu referuar Ramës tha se humbi zgjedhjet për shkak të diskrecioneve. “Për një emër “Shitorja Blushi do paguaje 900 mijë lekë. Nuk ndodh kurrë në vend të botës që të paguash taksë sa biznesi i vogël, për një emër. Po të mos kishte diskrecion nuk do humbte zgjedhjet ai.

Ora 13.00 RULI: PR BUXHETI UL VARFERINE RRIT E ARDHURAT
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, , tha se "projekt buxheti 2012 për ministrinë e Bujqesisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit arrin në rreth 6.8 miliardë lekë, me nje rritje 5,2% më shumë se në 2011, ku prioritet janë zbatimi i programeve që kanë nisur financimin dhe synojnë zhvillimin zinzhir të sektorit rural".
Ministri Ruli i bëri apel deputeve të opozitës që të votojnë projekt-buxhetin 2012, si buxhetin që reflekton vazhdimësinë dhe konsistencën e programit të qeverisë, të ndërmarrë në vite dhe që synon të përmbushë objektivat e qeverisë për uljen e varfërisë dhe rritjen e të ardhurave familjare

Ora 12.50 AHMETAJ: PR/BUXHETI VARFERON SHQIPTARET
Deputeti socialist Arben Ahmetaj tha se realistja e buxhetit është se me Berishën je i varfër, me këtë pr/ buxhet do bëhesh edhe më i varfër në 100 vjetorin e pavarësisë.

Ora 12.45 SHEHU: NESE NUK VOTON, OPOZITA TE ABSTENOJE
Zv ministri i Financave, Sherefedin Shehu tha se kjo qeveri ndërmori reforma të mëdha dhe i bëri thirrje opozitës se në nuk do ta votojë të paktën të abstenojë.

Ora 12.33 BRACE: BERISHA LË DEBATIN, PËR ÇOKA KLIENTELISTE
Brace tha se është e papranueshmë që në një kohë që diskutohet pr/buxheti në parlament mungon 80 % e qeverisë. “Berisha lë debatin e shkon e bën çokën e radhës te një nga klientët e tij” tha Braçe. Deputeti socialist iu referua largimit të kryeministrit Berisha për inaugurimin e qendrës më të madhe tregtare “Tirana east gate”

Ora 12.10 BRACE: BERISHA GENJEN, RRITJA EKONOMIKE E STIMULUAR NGA BORXHET
Deputeti socialist Erjon Braçe tha se Berisha “gënjen”. “Rritja ekonomike është në rënie, dhe është e stimuluar nga borxhi, të cilën një ditë do na duhet ta kthejmë. Kriza tani do shpërthejë”- nënvizoi Braçe, duke e akuzuar kryeministrin se “po luan me falimentimin”
"Ky buxhet synon të mbledhë të ardhura e të ndajë shpenzimet sipas llogarisë qeveritare. 80 % e pasurisë në këtë vend zotërohet prej 1 % të popullsisë shqiptare. Së bashku kemi arsye të rrëzojmë sa më parë këtë qeveri, duke parë varfërinë e madhe, problemet që po has populli çdo ditë e më tepër"

Braçe premtoi se PS me ardhjen në qeveri do ta nisë ndryshimin nga taksimi i drejtë i qytetërve. “kush paguan më shumë do taksohet më shumë, kush paguan më pak do taksohet më pak”- tha Brace duke iu drejtuar me pyetje kryeministrit se “përse po rrjep popullin për të favorizuar 10 bizene”. Ndërsa Braçe mbante fjalën Berisha ishte larguar për të përuruar qëndrën më të re tregtare dhe më të madhe që po hapet në Tiranë.

Ora 11.30 BERISHA: PR/BUXHETI MBESHTET PROJEKTE TE MEDHA
Berisha tha se ky është buxheti i 100 vjetorit, garanton stabilitetin makroenomik dhe synon të paraqesë Shqipërinë si nuse me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë. “Nuk e di si ju mund të votoni kundër pr/buxhetit ”- tha Berisha duke nënvizuar se është buxhet i projekteve të mëdha kombëtare, dixhitale, projektit për drurë frutorë dhe ullinj, dhe infrastrukturës. Sipas tij është dyfishuar rritja ekonimike, dhe Shqipëria është vendi i vetëm në rajon që ka ulje të papunësisë.“Ju nëse shkoni vetëm në PS, parlament e Sheraton nuk e dini si është realiteti. Shkoni në zonat tuaja si gjallnon dhe ecën tregu.”

Ora 11.10 BERISHA: OPOZITA SE VOTON ËSHTË NË TUNEL
“Unë e kuptoj që ju keni ditën më të vështirë të vitit, po më shtyni të dal nga fjalimi, e lexoj në fytyrat tuaja, një vit më parë ratë në sindromën e tmerrshme të tunelit. Përdora të gjitha aftësitë e mia medico psikologjike, por është e pamundur tju shëroj. Ju prapë do mbeteni në sindromën e tunelit. Unë e di që ju nuk do e votoni.”- tha Berisha duke iu drejtuar deputetëve të opozitës. “Unë prisja të vinit këtu me buxhet të votuar në komisione, por ju jeni ende në tunel. Tuneli po përfundon dhe ju prapë mbeteni në pjesën e errët të tij.

Ora 11.00 BERISHA PREZANTON PR/BUXHETIN
Kryeministri Berisha po prezanton sot pr/buxhetin duke e cilësuar sot një vendim të rëndësishëm që parlamenti do të marrë. “Unë besoj se shqiptarët duhet të ndihen të kënaqur sepse falë mundit e djersës së tyre.. dhe modelit ekonomik të vendosur në Shqipëri ia dolën që në një hark kohor 6 vjecar të fusin në buxhetin e tyre, rreth 8 mld dollarë më shumë. Nëse i referohemi buxhetit kulmor të qeverisë së mëparshme të taksës progresive, mund të themi se duke marrë vitin e tyre kulmor del se kemi të bëjmë me 3 buxhete shtesë. Shqiptarët meritojnë 30 buxhete shtesë”- deklaron Berisha

Ora 10.48 SPAHO PREZANTON RAPORTIN E KOMISIONIT TE EKONOMISE
Kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Edmond Spaho po lexon raportin e komisionit të ekonomisë. Sipas maxhorancës pr/buxheti mbështetet në tregun pozitiv dhe të qëndrueshëm që ekonomia shqiptare ka treguar këto vitet e fundit

“Objektivat e pr/buxhetit do të jenë rritja e PBB në 4.3 %, mbajta e normës së inflacionit në 3 % dhe borxhi publik në nivelin 59. 4 % Të ardhurat pritet të jenë 356 miliardë lekë, ku kontribuesi kryesor ai do jenë tatimet dhe doganat. Mos rritja e barrës fiskale do ndikojë pozitivisht në biznes.” deklaroi Spaho.

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja për emigrantët, Tajani: Shqipëria vend mik, aleat i NATO-s! Synojmë një betejë të përbashkët kundër trafikut të qenieve njerëzore