Parlamenti grek sapo e mori vendimin dramatik, Bundestagu Gjerman pritet ta bëjë një mbledhje të tillë. Dhe ka shumë zhurmë teatrale, para seancës së posaçme, mendon Dagmar Engel.

Puna në thelb mund të konsiderohet e mbaruar. Të mërkurën, Bundestagu Gjerman do të hedhë në votë paketën e tretë të ndihmave për Greqinë. Kancelarja e imponoi vullnetin e saj në korrik, në takimin e nivelit të lartë të BE, ministri i Financave e bëri këtë edhe të premten e kaluar.

Në pjesën më të madhe ata patën sukses me moton e tyre: ndihmë vetëm në këmbim të reformave, dhe kjo vetëm me kontrolle të rrepta. Të dy e dinë se vetëm kështu mund ta bëjnë për vete Bundestagun Gjerman. Çmimi për këtë ishte i lartë, emri i Gjermanisë u dëmtua. Pas një faze simpatie të madhe, vendin tonë e perceptojnë sërish si dominues e të pakëndshëm.

Votim pa u harruar kënaqësia e pushimeve vjetore?
Deputetët, që nuk i kaluan pushimet në shtëpi, por në botën e jashtme kthehen me këtë përshtypje në seancën e posaçme të Bundestagut në Berlin. Ndoshta kjo do ta impresionojë njërin apo tjetrin, në kuptimin që të mendohet edhe njëherë nëse do të votojë vërtet kundër paketës së ndihmave. Janë votat kundër ato që e bëjnë këtë votim interesant për publikun. Jo të gjitha votat kundër, kuptohet, ato të CDU-së, të partisë së kancelares.

Numri i tyre rritet me çdo ndihmë që i jepet Greqisë: në vitin 2010, për paketën e parë votuan katër vetë kundër, më 2012 ishin 13 vetë dhe në shkurt të këtij viti ishin 29 deputetë, që votuan kundër. Në korrik kundër votuan 60 vetë. Drejtuesit e Grupit Parlamentar reaguan me presion, gjë që është e zakonshme, por këtë herë reaguan me presion publik - një veprim jo i zgjuar dhe i tepërt./DW/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)