Për shkak se qytetarë dhe ekspertë e konsiderojnë këtë rregullore me këto faktorë më shumë ndëshkuese sesa shpërblyese, Komisioni i Ekonomisë në nëntor të 2025-ës, vendosi në rezolutën për AMF-në detyrën për të rishikuar këtë rregullore.

“Të rikthejë për diskutim, rishikim dhe vendimmarrje Rregulloren nr.156/2024 “Për përcaktimin e faktorëve të riskut që përfshihen në përllogaritjen e primit për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, duke e përafruar atë në mënyrë të plotë me modelin italian të sigurimeve motorike, i cili përfaqëson një praktikë të avancuar evropiane në drejtim të transparencës dhe ndëshkimit proporcional të riskut”, thuhej në projektrezolutë.

Po ashtu në projektrezolutë thuhej se rregullorja e re duhet të kishte disa risi, të tilla si:

· Vendosjen e një sistemi funksional “bonus–malus” që nxit sjelljen e kujdesshme dhe penalizon shkeljet e përsëritura.
· Përfshirjen e paketës familjare të sigurimit, që lejon transferimin e bonusit brenda familjes.
· Përllogaritjen e personalizuar të primit sipas historikut individual të drejtimit të mjetit.
· Diferencimin gjeografik të primit sipas nivelit lokal të riskut dhe frekuencës së aksidenteve.

Por kjo projektrezolutë, bashkë me atë të Autoritetit të Konkurrencës nuk kaluan në seancë plenare, duke bërë që viti 2025 të mbyllet pa detyra për këto institucione, e për pasojë lanë në fuqi rregulloren aktuale për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve. Ende nuk dihet se kur do të futet në axhendën e parlamentit.

Për ekspertët kjo rregullore duhet të rishikohet, pasi duhet të bëhet më shpërblyese për qytetarët.

“Rezoluta po përsëri e ka sjell në vëmendje absolutisht faktin që sistemi është më ndëshkues krahasuar me eksperiencat e tjera europiane apo të të vendeve të rajonit dhe kjo nuk krijon një balancim dhe një motivim të drejtë për shoferët. Gjithashtu ka një paqartësi të vogël aty që duhet ndoshta të qartësohet nëse do të ngelet bonus apo malus me shoferin apo me targën e makinës. Gjithashtu me të drejtë është evidentuar në draft rezolutë edhe ë qasja gjeografike. Nuk mund të kemi vetëm tre qarqe të shkëputura, dhe pastaj gjithë të tjerët të jenë në një lloj në njëjtën masë rreziku. Gjithashtu është parë mundësia e shpërndarjes së bonusit në familje për të ndihmuar dhe qasjen për më tepër në realitetin tonë shqiptar të bashkëjetesës dhe të pasjes së familjeve dhe pse jo të përfitimit të këtyre. Dhe në fund të fundit personalizim, nuk mund të jemi të gjithë njësoj kudo”, thotë eksperti Artur Ribaj.

“Duhet parë me shumë seriozitet në mënyrë që të realisht shoferi i mirë të paguante më pak, por nuk u intereson kompanive që nuk e kanë këtë treg, e kanë treg të ngrirë në marrëveshje okulte mes njëra-tjetrës. Prandaj është mirë që kjo rregullore të rishikohet sa më shpejt me këtë drejtim, të jepet më shumë ulje të tarifës të taksës së sigurimit që është i domosdoshme pikërisht shoferëve të mirë”, thotë eksperti Fatos Çoçoli.


Lajmi kryesor:

Sistemi bonus-malus/ Shtrenjtohet sigurimi i mjeteve për shoferët me aksidente, ekspertët: Siguracioni deri 40% më i shtrenjtë! Skema të rishikohet