PRISHTINË, 15 Dhjetor/ATSH-B.Jashari/.- "Propozimi për formimin e komisioneve parlamentare-numri dhe struktura e tyre", është pika e vetme e axhendës së mbledhjea të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës me kryetarët e grupeve parlamentare, të ftuar për nesër.
"Miratimi i propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare" ishte po ashtu pika e vetme e axhendës së mbledhjes së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës. Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës javën e kaluar, Kryesia në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, procedoi ndarjen e komisioneve parlamentare. Por, në seancën e sotme plenare, pas debatit, me 58 vota pro dhe 32 kundër, Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh nuk miratoi propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare.
Në fillim të mbledhjes, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, sqaroi se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është vendosur që gjatë kësaj legjislature të jenë 14 komisione parlamentare, prej tyre katër komisione të përhershme dhe 10 komisione funksionale.
Deputetë nga radhët e opozitës shfaqën pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së komisioneve. Visar Ymeri (VV), Donika Kadaj (AAK), Valdete Bajrami (Nisma) shprehën mospajtimet e grupeve parlamentare të cilat i përfaqësojnë lidhur me formimin e komisioneve parlamentare.
Kryeparlamentari Veseli sqaroi para deputetëve të Kuvendit procesin e vendimmarrjes. "Në bazë të nenit 81, paragrafi 3, i Rregullores së Kuvendit, ndryshimi i rregullores së Kuvendit, miratohet me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Miratimi për formimin e katër komisioneve dhe 10 komisioneve funksionale nënkupton edhe ndryshimin e nenit 69, paragrafi 3 dhe 4, të Rregullores së Kuvendit me të cilin nen janë caktuar katër komisione të përhershme dhe 12 komisione funksionale", theksoi kreu i Kuvendit.
Në fund u votua dhe Kuvendi nuk miratoi propozim-vendimin për formimin e komisioneve parlamentare /z.t//a.ke/







