/ATSH/.- Kuvendi i Kosovës do të mbajë të hënën që vjen, 19 janar, seancën e radhës ku pritet të shqyrtohet Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike .
Kështu u vendos sot nga Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas një mbledhje urgjente në të cilën ishin të pranishëm shumica e anëtarëve të saj, të kryesuar nga kryetari Kadri Veseli.
Kryesia ka shqyrtuar rekomandimin e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, lidhur me shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit për Vendimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për ndërmarrjen "Trepça".
"Pasi komisioni ka diskutuar shkresën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vendimin e Dhomës së posaçme të Gjykatës Supreme, pranë Kryesisë së Kuvendit ka rekomanduar fillimin e procedurës së ndryshimit dhe plotësimit të ligjit për këtë çështje", thuhet në një komunikatë të zyrës për media të Kuvendit të Kosoëvs. /KosovaPress/