PRISHTINË, 19 Janar /ATSH-B.Jashari/.- Kuvendi i Kosovës zhvilloi sonte seancën e tretë të ditës, ku u bë leximi i dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre. Miratimi përfundimtar u bë pak më parë me 67 vota pro, asnjë kundër e 3 abstenime. Votimi u bë pa praninë e opozitës, sikur edhe në seancën e shqyrtimit të parë e të miratimit në parim.
Shqyrtimi për herë të parë dhe miratimi i Projektligjit u bë në seancën dytë të orëve të para të mbrëmjes së sotme.
Në seancën e parë plenare, paraditën e sotme, me propozim të Qeverisë, e cila mbajti dy mbledhje sot, Kuvendi hoqi nga rendi i ditës Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Në mbledhjen e dytë gjatë ditës së sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka aprovuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndërmarrjet publike.
Sipas plotësim ndryshimeve, statusi i Kombinatit Xehtaro Metalurgjik Kimik Trepça do të rregullohet me Strategji dhe Ligj të veçantë, ndërsa ndërmarrjet që kanë hyrë në procesin e riorganizimit, falimentimit apo likuidimit, ndërpriten me hyrjen në fuqi të këtij ligji pa nevojën e ndonjë vendimi gjyqësor./i.v//a.ke/









