Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Marrëveshja u ratifikua me 103 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Ky projektligj ishte paraparë të shqyrtohej në seancën e 27 prillit, por deputetët votuan që të futet në rend të ditës në seancën e sotme.

Më 19 shkurt, ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Washington, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në këtë takim, Osmani bëri të ditur se Kosova është në mesin e pesë shteteve të para që janë zotuar për dërgimin e trupave paqeruajtëse në kuadër të një force të përbashkët ndërkombëtare për sigurinë në Gazë, duke theksuar se vendi nuk do të kontribuojë financiarisht.

Kuvendi i Kosovës tashmë e ka miratuar vendimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese./RTV21