Kuvendi i Kosovës sulmohet
me antitank, nuk ka të lënduar FOTO/ Si duket godina e Kuvendit 

Kuvendi i Kosovës sulmohet<br />me antitank, nuk ka të lënduar FOTO/ Si duket godina e Kuvendit 
Godina e Kuvendit të Kosovës është sulmuar me predha antitank mbrëmjen e së enjtes. Shpërthimi ka ndodhur rreth orës 23:00.

Sipas informacioneve nga mediat kosovare shpërthimi ka ndodhur në katin e katërt të Kuvendit ku ndodhen zyrat e protokollit, arkivës si edhe zyra e presidentit Hashim Thaçi.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forcat e policisë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi, nga ku është bërë me dije se nuk ka të pasur në lënduar por vetëm dëme materiale.

Policia e Kosovës dyshon se autorët e sulmit me predhë antitank në Kuvendin e Kosovës janë larguar me një motoçikletë. Të dy të dyshuarit kanë ikur në drejtim të vendit të quajtur Gërmisë. Motoçikleta është gjetur e djegur në vendin e quajtur Taukbashqe.

Ky shpërthim ka ndodhur në ditën kur Qeveria ka derguar në Kuvend projekligjin për demarkacionin me Malin e Zi, nderkohë që opozita ka paralajmëruar veprime të dhunshme nëse i njëjti projektligj kalon edhe në Kuvend.

Menjëherë pas kësaj ngjarje të rëndë kanë reaguar krerët më të lartë të qeverisë së Kosovës, si kryeministri Mustafa dhe presidenti i vendit Hashim Thaçi. 

Zhvillimet pas sulmit në Kuvendin e Kosovës

Ora 15:45 Bushati: Autorët para drejtësisë
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati ka reaguar përmes një statusi në Tëitter duke dënuar sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës. Bushati e cilëson sulmin kundër demokracisë, stabilitetit dhe rrugës Europiane të Kosovës.
 
 "Sulmi ndaj Kuvendit të Kosovës, sulm kundër demokracisë, stabilitetit, institucioneve legjitime dhe rrugës Europiane! Autorët para drejtësisë"deklaron ai.
 
Sulmi me predha antitank ndaj godinës së Kuvendit të Kosovës u regjistrua mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23:00. Shpërthimi ka ndodhur në katin e katërt të Kuvendit ku ndodhen zyrat e protokollit, arkivës si edhe zyra e presidentit Hashim Thaçi.

Ora 10:20 Vetëvendosje dënon sulmin e ndaj Kuvendit
Lëvizja Vetëvendosje ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se aktet e tilla janë të papranueshme, transmeton Koha.net.

Lëvizja Vetëvendosje dënon sulmin e mbrëmshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i bënë thirrje organeve të sigurisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti. Megjithëse janë dhënë shumë pak informacione rreth rastit, ne konsiderojmë që nuk mund të këtë motiv që do të justifikonte aktet e tilla”, thotë VV përmes një komunikate për media.

Vetëvendosje më tutje shton se aktet e tilla të papranueshme nuk i bëjnë mirë asnjë kauze.

Ne ftojmë këdo që është kundër rrjedhave politike të vendit tonë të bashkohet në protestat paqësore, qytetare dhe publike sepse vetëm përmes aktiviteteve të tilla do të mund ta ndryshojmë gjendjen në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Ora 09:15 Veseli: Sulmi ndaj Kuvendit, me elemente të veprimit terrorist
"Sulmi i mbrëmshëm mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës përbën një sulm kriminal, me elemente të veprimit terrorist, i drejtuar kundër institucioneve dhe popullit të Kosovës".

Kështu është shprehur kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili më tej thekson se si motivuesit, ashtu edhe kryesit e këtij sulmi tinzar, “duhet ta kenë të qartë se asnjë formë e dhunës, as metodat e frikësimit, nuk do të munden kurrë të ndalojnë agjendën e fuqizimit dhe konsolidimit të shtetit tonë”.

“Ftoj të gjitha forcat politike në vend që të distancohen qartë nga veprimet të tilla që duan të destabilizojnë vendin dhe të motivojnë edhe më shumë ata që janë kundër shtetit të Kosovës”, thotë Veseli në reagimin e tij dërguar mediave.

“Ne së bashku e kemi ndërtuar këtë shtet, së bashku duhet ta mbrojmë, ta zhvillojmë e fuqizojmë”, u shpreh më tej ai.

Në fund, Veseli ka ftuar qytetarët që të kenë besim në institucionet vendore, në kapacitetet e tyre për të garantuar rendin, sigurinë dhe sundimin e ligjit në vend. 

Ora 08:47 Thaçi: Sulmuesit nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe
Sulmi i mbrëmshëm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës ka ngjallur edhe reagimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në Facebook, presidenti Thaçi ka dënuar ashpër këtë sulm, ndërsa ka theksuar se ata që e kryen këtë akt, ndonëse ende nuk ua dimë emrat, janë njerëz që nuk e duan Kosovën.

Dhuna sjell frikë, frika sjell urrejtje dhe urrejtja sjell pastaj edhe më shumë dhunë. Mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovën tonë. Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Mund të mos jemi në dijeni të emrave të sulmuesve, por e dimë se ata janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe”, ka thënë Thaçi.

Ai ka shfaqur besimin se organet e drejtësisë do t’i identifikojnë sulmuesit dhe do ta zbardhnin rastin. “Dhe kam besim se të gjithë do të bashkohemi dhe nuk do të lejojmë që dhuna të zë vend në shoqërinë tonë”, u shpreh ai në fund

Ora 08:26 Mustafa: Sulmi ndaj Kuvendit, atak ndaj pavarësisë së shtetit
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, i cili, sipas raportimeve zyrtare të Policisë së Kosovës, mësohet të jetë sulmuar me një mjet shpërthyes nga distanca.
 
Mustafa tha se ky sulm është sulm ndaj pavarësisë së Kosovës pasi Kuvendi, siç u shpreh ai, është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik.
 
Sulmi mbi ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, është atak ndaj pavarësisë sonë. Kuvendi është organi më i lartë legjislativ, simbol i rregullimit tonë shtetëror dhe demokratik. Askujt nuk i lejohet të terrorizojë institucionet e shtetit tonë”, ka thënë Mustafa në një postim në Facebook.
 
Ai ka ftuar organet e rendit që të punojnë në zbardhjen e këtij rasti të cilin kryeministri e cilësoi si “shumë të dëmshëm dhe tepër të shëmtuar” si dhe ka ftuar edhe qytetarët që ta japin ndihmesën e tyre.
 
“Kryerësit e kësaj vepre duhet të dalin para drejtësisë”, theksoi ai në fund.  

Haradinaj: Sulmi ndaj Kuvendit, sulm ndaj shtetit dhe qytetarëve
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, rreth orës 23:00.

Nëse vërtetë është gjuajtur Kuvendi i Kosovës siç po raportohet, ai është sulm mbi mua dhe gjithë ata që votuan për mua. Kjo duhet zbardhur urgjentisht pasi duket hapur se dikujt i nevojitet destabiliteti i këtij vendi, nëse janë të Kosovës duhet ta kuptojnë që kjo do të ndëshkohet herët a vonë”, ka shkruar Haradinaj.

AAK: Akt i rëndë kriminal, të zbardhet urgjentisht
Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është subjekti i parë politik që ka reaguar ndaj sulmit të së enjtes në drejtim të Kuvendit të Kosovës.

E ka quajtur atë akt kriminal.

“Ngjarja e sotme në Prishtinë, është një akt kriminal, I cili kërkon zbardhje urgjente. Sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Aleanca për Ardhmërinë Kosovës, e dënon fuqishëm këtë akt kriminal dhe kërkon nga organet e rendit që të bëjnë krejt çka është në dorën e tyre, që të kapën autorët e tij dhe të nxirren para drejtësisë”.

Autorët janë larguar me një motoçikletë
Policia e Kosovës dyshon se autorët e sulmit me predhë antitank në Kuvendin e Kosovës janë larguar me një motoçikletë. Të dy të dyshuarit kanë ikur në drejtim të vendit të quajtur Gërmisë. 

motocikleta
(Motoçikleta me të cilën janë larguar autorët)

Motoçikleta është gjetur e djegur në fshatin Taukbashqe​. Policia ka mbledhur provat materiale dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.

Policia e Kosovës: Sulmi me mjet shpërthyes
Policia e Kosovës ka reaguar lidhur me shpërthimin që ndodhi në orët e mbrëmjes të së enjtes te Kuvendi. Policia ka njoftuar se ka reaguar menjëherë dhe është duke marrë veprimet intensive për të identifikuar të dyshuarit.
 
“Me 04.08.2016 rreth orës 23:00, në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, në rrugën Agim Ramadani në Prishtinë, nga distanca ka ndodhur një sulm me një mjet të dyshuar shpërthyes. Si pasojë janë shkaktuar dëme materiale, por nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Policia e Kosovës me njësitet relevante të saj menjëherë ka reaguar në lokacion dhe veprime intensive operative dhe hetimore janë duke u kryer për të identifikuar të dyshuarit e involvuar në rast”, thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri