Gazetarët protestojnë për vendimin e kryesisë që i lë jashtë, Kuvendi: Sistemi i ri rrit transparencën! Delegacioni i BE-së: Rregullat nuk janë në përgjigje të udhëzimeve tona (VIDEO)

Vendimin e Kuvendit për t’i lënë jashtë Komisioneve dhe seancën plenare, gazetarët e konsiderojnë si tentativë për të censuruar punën e tyre. Ata kanë dalë sot në një protestë para sallës së seancave plenare. Ata shprehen se ky është një vendim jashtë çdo logjike. Gazetarët kanë bërë thirrje që iniciatorët të tërhiqen nga ky vendim pasi sipas tyre pengon punën e gazetarëve, të cilët kanë si mision të transmetojnë gjithçka që sheh vetë dhe jo atë që servir një institucion i caktuar shtetëror.

Gazetarët e terrenit thonë se vendimmarrja është marrë nga një grup deputetësh pa u konsultuar me gazetarët, duke i pozicionuar këta të fundit në një bodrum. Në një njoftim dje, gazetarët kryesisht të politikës në vend u shprehën se vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cenim i pastër i punës dhe lirisë së medias.

Kuvendi i Shqipërisë sqaron se prania e kamerave të shumta në “korridore dhe komisionet parlamentare krijonte vështirësi për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e mbledhjes për shkak të ambienteve shumë të vogla të sallave ku zhvillohen mbledhjet, por edhe kalimi i kabllove, nëpër dritaret e komisioneve gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, ka qenë i vështirë.” Si shkak për ndryshimin e rregullores së akreditimit të medias, Kuvendi liston vjetërsinë e teknologjisë në sistemet e regjistrimit.

Në një reagim në mediat sociale delegacioni i BE-së në Shqipëri thotë se është i keqardhur për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Më tej delegacioni i BE nënvizon se këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014.

Sipas disa ndryshimeve në Rregulloren e Kuvendit, të miratuara në Byronë e këtij institucioni, gazetarët do t’i ndjekin aktivitet vetëm nëpërmjet rrjetit të transmetimit në një sallë të posaçme për gazetarët çka pengon kontaktin e afërt me deputetët. Edhe nëse gazetarët do të duan që të marrin një prononcim apo intervistë nga deputetët në mjediset e këtij intitucioni, ata nuk do të lejohen nëse nuk kanë marrë më parë leje. Organizimi i intervistave me deputetët zhvillohet në bazë të kërkesës së partaqitur te zyra në Kuvend. Në vendimin e Byrosë theksohet se do të lejohen vetëm gazetarët e RTSH-së dhe ATSH-së që të lëvizin të lirë në Kryesinë e Kuvendit dhe sallën e parlamentit me status të veçantë. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:54
Kuvendi lë jashtë gazetarët, ambasadorja franceze kundër rregullave të reja: Le të mbështesim lirinë e shtypit

Ambasadorja Franceze në Shqipëri, Elisabeth Barsacq ka mbështetur reagimin e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri lidhur me rregullat e reja të vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë për praninë e medias gjatë seancave dhe komisioneve.

Diplomatja franceze  në një postim në Twitter, bën thirrje për të mbështetur lirinë e medias, ndërsa shprehet se liria e shtypit është baza e të gjitha lirive të tjera, “me anë të kësaj ne ndriçojmë reciprokisht veten.”

“Le të mbështesim lirinë e shtypit, është baza e të gjitha lirive të tjera, me anë të kësaj ne ndriçojmë reciprokisht veten”.- shkruan Barsacq duke cituar Volterin.

Ora 19:13
Gazetarët jashtë Kuvendit, delegacioni i BE: Keqardhje për mungesën e konsultimeve! Rregullat nuk janë në përgjigje të udhëzimeve tona

Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar në lidhje me dëgjesat publike dhe qasjet e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve.

Delegacioni i BE, në një reagim të Twtitter, thekson se është i keqardhur për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti.

Më tej nënvizon se këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014.

'Dëgjesat publike dhe qasja e mediave në Parlament për të mbuluar punën e seancave dhe komisioneve të tij janë elemente të rëndësishme të një demokracie liberale.

Keqardhje për mungesën e konsultimeve me mediat përpara miratimit të rregullave të reja nga Parlamenti. Këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014.'- shkruan BE.

Ora 16:51
Protesta e gazetarëve, Kuvendi: Sistemi i ri i ndërtuar nga Delegacioni i BE-së! S'censurojmë asnjë pamje, çdo gjë komandohet nga gazetarët!

Kuvendi ka reguar pas protestës së gazetarëve për vendimin e marrë nga Kryesia e Kuvendit për t’i lënë jashtë Komisioneve dhe seancës plenare. Në sqarim bëhet me dije se sistemi i ri audio-video është i rekomanduar dhe i ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri. 

Kuvendi nënvizon se gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve. Sistemi nuk ka regji qendrore, thotë Kuvendi, komandohet nga vetë gazetarët, sipas nevojave të tyre. Ndërsa thekson se ky vendim i ri rrit transparencën dhe nuk e kufizon aksesin e gazetarëve, por e rregullon atë. Duke theksuar se vendimi është i bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të vendeve të BE, thuhet se atje gazetari nuk merr pjesë në komisione, vetëm me autorizim paraprak.

"Nisur nga këto problematika, me qëllim rritjen e transparencës së mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive parlamentare, por dhe nevojës së fuqizimit të procesit legjislativ përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, Kuvendi vendosi të ndërtojë një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.  Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë,  dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.

Teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë. Në “Neës room-in” e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve.

Sistemi i ri rrit transparencën parlamentare dhe nuk e kufizon aksesin e gazetarëve, por e rregullon atë. Gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve dhe ata zgjedhin vetë, në liri të plotë, informacionin që do të transmetojnë. Transmetimi i mbledhjeve të komisioneve, realizohet në kohë reale nëpërmjet këtij sistemi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrjeje. Sistemi nuk ka një regji qendrore, por komandohet nga vetë gazetarët, sipas nevojave të tyre. Gazetarët komandojnë sistemin dhe jo sistemi gazetarët", thuhet mes të tjerash në shpjegim.

Mes të tjerash sqarohet se prania e gazetarëve në korridoret e komisioneve sjell vështirësi në menaxhim.

"Gjithashtu, prania e kamerave të shumta në korridoret e Kuvendit dhe komisionet parlamentare krijonte vështirësi për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e mbledhjes për shkak të ambienteve shumë të vogla të sallave ku zhvillohen mbledhjet, por edhe kalimi i kabllove, nëpër dritaret e komisioneve gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, ka qenë i vështirë".

Reagimi i plotë i Kuvendit:

Duke ndjekur me vëmendje të veçantë shqetësimet e ngritura nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, gazetarët e akredituar në Kuvend, si edhe përfaqësues të tjerë të medias, Kuvendi i Shqipërisë sqaron si më poshtë:

Prej vitesh komisionet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë kanë pasur mangësi në regjistrimin dhe dokumentimin e mbledhjeve. Vetëm katër nga tetë komisionet e përhershme parlamentare kanë qenë të pajisura me mikrofona statikë dhe sistem regjistrimi të mbledhjeve.

Sistemet e regjistrimit në katër komisione kanë qenë me teknologji të vjetëruar, ndërsa komisionet të cilat nuk ishin të pajisura me sistem audio, i regjistronin mbledhjet nëpërmjet diktofonëve, proces që ka shfaqur jo pak herë probleme për zbardhjen e mbledhjeve, për shkak të cilësisë së dobët të regjistrimit.

Gjithashtu, prania e kamerave të shumta në korridoret e Kuvendit dhe komisionet parlamentare krijonte vështirësi për menaxhimin dhe mbarëvajtjen e mbledhjes për shkak të ambienteve shumë të vogla të sallave ku zhvillohen mbledhjet, por edhe kalimi i kabllove, nëpër dritaret e komisioneve gjatë transmetimeve të drejtpërdrejta, ka qenë i vështirë.

Ndërkohë, rekomandimet e Progres-Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë të viteve 2013-2014 kishin theksuar nevojën e rritjes së transparencës dhe përfshirjes së shoqërisë civile në procesin legjislativ, si edhe përmirësimit të informimit të publikut mbi aktivitetet parlamentare dhe dokumentacionin parlamentar. Në veçanti, Raportet e projektit IPA 2013 theksojnë se Kuvendi i Shqipërisë nuk disponon një platformë të unifikuar, që mundëson komunikimin efektiv në format audio-video nga sallat e komisioneve parlamentare dhe se mungesa e një sistemi audio-video në mjediset e Kuvendit është një pengesë serioze, për të siguruar transparencë të plotë të punës në komisionet parlamentare dhe në organet e tjera të Kuvendit.   

Nisur nga këto problematika, me qëllim rritjen e transparencës së mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive parlamentare, por dhe nevojës së fuqizimit të procesit legjislativ përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, Kuvendi vendosi të ndërtojë një sistem të ri audio-video për ndjekjen dhe transmetimin e mbledhjeve të komisioneve parlamentare.

Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian  për Shqipërinë,  dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.

Projekti i sistemit i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare më datën 27 Maj 2014 dhe i është prezantuar nga Kuvendi përfaqësuesve të BE-së në dy takimet e zhvilluara më datat 28 maj dhe 3 qershor 2014. Më datën 17 dhjetor 2014, Komisioni Europian miratoi paketën IPA 2014 për Shqipërinë,  e cila përfshin edhe mbështetjen financiare për Kuvendin për instalimin e sistemit të ri  audio-video.  

Marrëveshja kuadër ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Europian për Rregullat e  Zbatimit të Asistencës Financiare të BE-së për Shqipërinë në Kuadër të Instrumentit për Asistencën  Para-Anëtarësimit (IPA II), u nënshkrua në vitin 2015.

Projekti i sistemit u ndërtua në vitin 2015. Ndërtimi i sistemit filloi në janar 2018 dhe përfundoi në korrik 2019. Në qershor 2020 sistemi u certifikua nga misioni i auditit të BE-së.

Sqarojmë se sistemi audio-video është instaluar vetëm në sallat e komisioneve parlamentare, ndërsa seancat plenare do të vazhdojnë të transmetohen si më parë, pa asnjë ndryshim.

Sistemi audio-video nuk është një model i krijuar nga Kuvendi i Shqipërisë, por një model informimi që zbatohet në Parlamentin Europian, si edhe në mjaft parlamente të vendeve të BE-së, si: Suedi, Francë, Angli, Austri, Estoni, Gjermani, Finlandë, etj. Konkretisht: në Parlamentin Europian gazetarët nuk mund të jenë të pranishëm në  mbledhjet e komisioneve, përveçse kur marrin autorizim paraprak të drejtuesit të mbledhjes. Në Suedi, Francë, Austri, Estoni, gazetarët nuk mund të jenë të pranishëm në sallën e komisionit, përveçse në rastet kur bëjnë kërkesë të veçantë dhe pasi marrin një miratim paraprak nga kryetari i Komisionit ose Zyra e medias. Në Gjermani, komisionet janë vetë përgjegjëse për të vendosur se në cilat raste përfaqësuesit e mediave kanë të drejtë të hyjnë në mbledhje. Në Finlandë, gazetarët mund të marrin pjesë në mbledhjet e komisioneve vetëm me ftesë nga komisionet. Në Hungari, Itali dhe në Republikën Çeke, gazetarët nuk lejohen të jenë të pranishëm në mbledhje, por në mjedise të caktuara ku mund bashkëbisedojnë me deputetët.

Sistemi i ri rrit transparencën parlamentare dhe nuk e kufizon aksesin e gazetarëve, por e rregullon atë. Gazetarëve u mundësohet transmetimi i mbledhjeve të të gjitha komisioneve dhe ata zgjedhin vetë, në liri të plotë, informacionin që do të transmetojnë.

Transmetimi i mbledhjeve të komisioneve, realizohet në kohë reale nëpërmjet këtij sistemi dhe pa asnjë mundësi ndërhyrjeje. Sistemi nuk ka një regji qendrore, por komandohet nga vetë gazetarët, sipas nevojave të tyre. Gazetarët komandojnë sistemin dhe jo sistemi gazetarët.

Sistemi i ri nuk i pengon gazetarët të hyjnë në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit. Ndërhyrjet në Rregulloren e Kuvendit dhe në Rregulloren e Masmedias nuk shtojnë asnjë ndalesë të re lidhur me hapësirat e lejuara për punonjësit e akredituar të medias, krahasuar me rregulloren e mëparshme. Në Rregulloren për Akreditimin, akomodimin dhe orientimin e Masmedias pranë Kuvendit të Shqipërisë, miratuar me vendim të Byrosë së Kuvendit, nr. 4, datë 12.02.2014, shprehimisht, neni 17, pika “a”, mundëson lëvizjen e personave të akredituar në të gjitha mjediset, me përjashtim të hollit nga kati i parë në të katërt në godinën e Kryesisë së Kuvendit. Në Rregulloren e re, përveç “Neës room-it”, referuar nenit 17 pika b, parashikohet vënia në dispozicion të gazetarëve edhe e disa mjediseve të tjera: konkretisht:

  • në ambjentet e përcaktuara të Kryesisë e Kuvendit (salla e gazetarëve -Neës room);
  • në ambjentet e caktuara për intervista dhe konferenca për shtyp te Kryesia e Kuvendit;
  • në godinën e seancave plenare të Kuvendit, në oborr dhe në galerinë e sipërme të kësaj salle.

Disa ambjente të tjera të caktuara për intervista dhe konferenca për shtyp janë:

  • ambjenti në anën veriore të godinës së Kryesisë;
  • stendat e hollit të katit të dytë (“press point-i);
  • salla e konferencave për shtyp në katin e ndërmjetëm në anën perëndimore të godinës së Kryesisë së Kuvendit.

Gjithashtu intervistat mund të zhvillohen edhe në ambjentet më poshtë:

  • në zyrën e deputetit;
  • në zyrën e grupit parlamentar, të cilit ai i përket;
  • në zyrën e komisionit të përhershëm parlamentar ku është anëtar.
  • në ambjentet e tjera të përcaktuara nga Kuvendi për intervista.

Sistemi i ri mundëson:

  • kushte komode për zhvillimin e veprimtarive të komisioneve;
  • siguri, lehtësi dhe komoditet në punë për median, deputetët dhe shërbimet e Kuvendit;
  • transparencë të plotë dhe në kohë reale të çdo detaji që ndodh në sallat e komisioneve;
  • qasje të re teknologjike referuar zhvillimeve të vazhdueshme në këtë drejtim;
  • rritje të standartit të shërbimeve të ofruara nga Kuvendi i Shqipërisë;
  • akses të plotë të materialeve audio-video të mbledhjeve të komisioneve në çdo kohë.

Teknikisht, gazetarët dhe publiku, me ndërmjetësinë ose jo të gazetarit, nuk pengohen nga informimi. Kuvendi i Shqipërisë nuk censuron dhe nuk përzgjedh asnjë pamje dhe asnjë plan, pasi Kuvendi i Shqipërisë nuk po instalon asnjë regji qendrore. Përkundrazi çdo gjë komandohet nga vetë gazetarët dhe janë ata që ndjekin dhe përzgjedhin çdo pamje apo detaj që dëshirojnë të transmetojnë. Në “Neës room-in” e dedikuar për gazetarë nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë regji dhe asnjë regjisor të ngarkuar me detyrën për përzgjedhjen e pamjeve.

“Dhoma e medias”, hapësira në dispozicion të gazetarëve, është një mjedis me 13 kompjutera të pajisur me kufje, ku varësisht se cilin komision përzgjedhin, gazetarët mund të ndjekin audio-video në kohë reale punimet e tij. Në të njëjtin ambjent, për të lehtësuar transmetimin LIVE nga televizionet, gjendet edhe një panel me porta SDI, ku mediat mund të marrin në kohë reale komisionet e përzgjedhura.

Përveç kësaj, njësoj si përgjatë periudhës së pandemisë, ku Kuvendi ka marrë vlerësimet më të mira për transparencën, komisionet do të vijojnë transmetimin direkt si dhe arkivimin e tyre  edhe në faqen zyrtare ËEB dhe në “Facebook” të Kuvendit. Një tjetër alternativë që kjo praktikë e re shton është se në mbyllje të mbledhjes së komisionit, gazetarët, me kërkesën e tyre, mund të marrin të regjistruar të gjithë veprimtarinë.

Në bindjen tonë, ofrimi sipas praktikave më të mira perëndimore, i një tryeze pune, rrjeti të mirë interneti dhe një mundësi për ndjekje në kohë reale të punimeve të të gjitha komisioneve, është një hap cilësor në drejtim të krijimit të kushteve optimale për përmbushjen e misionit informues, përfshirë  të drejtën e tërheqjes së plotë të materialit audio-video, transmetimin livestream në faqen zyrtare si edhe livestream-i dhe arkivimi në faqen zyrtare të Kuvendit dhe në rrjetin social “Facebook”.

Televizionet marrin njëkohësisht disa sinjale për të njëjtin komision: sinjalin e pamjes së përgjithshme të sallës, sinjalin audio të mikrofonit aktiv dhe ambiental, si edhe sinjalin që fokuson folësin aktiv me sinjal audio-video. Përzgjedhja e planeve, siç është thënë më sipër, nuk bëhet me regjisorë, por automatikisht nga sistemi: folësi aktiv inkuadrohet në plan, ndërsa, paralel tij, i arritshëm nga media përmes sinjalit të dytë që u ofrohet, është edhe plani i përgjithshëm i sallës. Automatikisht, ndezja e mikrofonit fokuson edhe planin video.

Gjithashtu lidhur me shqetësimin për trajtimin e diferencuar të RTSH-së dhe ATSH-së, ju informojmë se kjo pikë nuk ka ndryshuar aspak në krahasim me Rregulloren e mëparshme të akreditimit të Masmedias, pasi ka qënë e parashikuar edhe aty po njësoj, statusi i veçantë që gëzojnë RTSH dhe ATSH në lëvizjen në sallën e seancave plenare, sipas përcaktimit  në Vendimin e Byrosë nr.30, datë 10.04.2015 për miratimin e Rregullores “Për hyrjen në selinë dhe sallën e seancave plenare të Kuvendit”.

Pra, nuk ka asnjë diferencim të gazetarëve të RTSH dhe ATSH në raport me gazetarët e tjerë, përsa i takon lëvizjeve në ambjentet e Kryesisë së Kuvendit, por i vetmi diferencim është sikurse ka qënë edhe në Rregulloren e mëparshme, vetëm për në sallën e seancave plenare dhe kjo përsa i takon transmetimit të plotë të seancës në RTSH Kuvend.

Sqarojmë gjithashtu se që nga fillimi i prezantimit të këtij projekti dhe deri më sot, kolegët gazetarë dhe mediat janë informuar në vazhdimësi lidhur me sistemin, mënyrën e funksionimit dhe risitë që do të sillte për  rritjen e transparencës parlamentare.

Sigurojmë gazetarët, mediat dhe publikun se  transparenca mbetet një objektiv prioritar i agjendës parlamentare dhe garantojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë në dispozicion të medias së lirë e të pavarur dhe publikut të gjerë.

Ora 13:17
Gazetarët në gjithë rajonin në krah të kolegëve shqiptarë: Parlamenti të tërheqë vendimin për lënien e tyre jashtë komisioneve e seancës plenare, duhen konsultime

Shoqatat e gazetarëve në Rajon kanë reaguar në lidhje me vendimin e Kuvendit në vendin tonë për t’i gazetarët lënë jashtë Komisioneve dhe seancës plenare. Ata pozicionohen në krah të kolegëve në Shqipëri, ndërsa i kërkojnë Parlamentit të tërheqë këtë vendim dhe t'i përmbahet procesit të konsultimit. Sipas tyre, rregullore të tilla kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin e pavarur të medi dhe se duhet të miratohen vetëm pasi të jetë kryer konsultimi i duhur me palët e interesuara.

"Byroja e Kuvendit të Shqipërisë (Parlamenti) ka botuar në 02 Qershor 2021 një rregullore të re për Akreditimin, Akomodimin dhe Orientimin e Mediave Masive në Parlament.

Kjo rregullore e re prek mediat audiovizive, mediat e shkruara dhe ato online. Në krahasim me rregulloren e vitit 2014 kjo rregullore e re, sanksionon se gazetarët nuk do të mund të lëvizin më në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ku zhvillohen kryesisht seancat e komisioneve parlamentare, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar nga kuvendi, punimet e parlamentit.

Për më tepër, Neni 15 përcakton se Kuvendi i Shqipërisë, kryesisht punonjësit përgjegjës për rendin dhe sigurinë, si edhe, kur shihet e nevojshme edhe përfaqësues nga zyra e shtypit do të sigurojnë shoqërimin e personave të akredituar gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend. Po ashtu Neni 17 përcakton se media mund të akesesoj:

a)      ambjentet e përcaktuara të Kryesisë e Kuvendit sipas nenit 12 të kësaj Rregullore;

b)     ambjentet e caktuara për intervista dhe konferenca për shtyp të Kryesisë së Kuvendit;

c)      godinën e seancave plenare të Kuvendit, oborrin dhe në galerinë e sipërme të sallës

Vetëm gazetarët nga transmetuesit publik si Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe Agjencia e Telegrafike Shqiptare, (ATSH) kanë mundësi të lëvizin lirshëm brenda parlamentit, njëkohësisht mund të ndjekin dhe raportojnë drejtpërdrejt nga komitetet parlamentare ose Asambleja e Përgjithshme.

Neni 18 përcakton se Kuvendi u jep sinjalin e transmetimit medieve të akredituara, sipas përcaktimeve të bëra në Vendimin e Byrosë së Kuvendit nr. 68, datë 25.02.2021 “Protokolli i Sistemit Audio-Video”. Neni 29 përcakton se organizimi i intervistave me deputetë do ë zhvillohet në bazë të kërkesës së paraqitur pranë Zyrës së Shtypit në Kuvend, nga personat e akredituar.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, i ka dërguar më 7 qershor, një kërkesë zyrtare Parlamentit duke kërkuar  më shumë detaje mbi zbatimin e kësaj rregulloreje dhe ndryshimin e artikujve të veçantë që mund të ndikojnë në mbulimin e pavarur të aktiviteteve parlamentare nga media. Sidoqoftë, duke qenë se nuk ka një standard të unifikuar në Bashkimin Evropian në lidhje me këtë çështje, do të ishte e përshtatshme të merren parasysh praktikat më të mira dhe të konsultohen me organizatat përkatëse të medias përpara se të merren vendime të tilla ", tha Aleksandër Çipa, Kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.

 “Ndryshimet në rregulloren e Parlamentit në lidhje me marrëdhëniet me mediat duhet të bëhen në një proces të drejtë konsultimi me shoqërinë civile, organizatat e medias dhe palët e tjera të interesuara. Do të ishte e përshtatshme gjithashtu të konsultohej me KE, OSBE dhe BE në lidhje me praktikat më të mira evropiane. Parlamenti duhet të tërheqë vendimin dhe të fillojë një proces konsultimi”, tha Blerjana Bino, Kërkuese për Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt në Shqipëri (Safe Journalists)

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), që përfaqëson më shumë se 8,200 profesionistë të medias në Ballkanin Perëndimor, qëndron në solidaritet me kolegët shqiptarë dhe shpreh shqetësimin mbi veprime të tilla nga zyrtarët legjislativë që mund të rrezikojnë lirinë e medias.

Ne kërkojmë që Parlamenti Shqiptar të tërheqë këtë vendim dhe t'i përmbahet procesit të konsultimit, pasi rregullore të tilla kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në raportimin e pavarur të mediave, lirinë e shtypit dhe transparencën dhe duhet të miratohen vetëm pasi të jetë kryer konsultimi i duhur me palët e interesuara si media, shoqëria civile dhe sektorët e lidhur me to.

Së fundmi, duke marrë parasysh që raporte të ndryshme të pavarura shprehin shqetësime në lidhje me gjendjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike duke përfshirë Parlamentin, ky vendim ka shumë të ngjarë të ndikojë edhe më tej në nivelin e transparencës së këtij të fundit. Prandaj, është thelbësore që Parlamenti të forcojë transparencën dhe pjesëmarrjen e palëve të interesuara, mënyra se si menaxhohen marrëdhëniet me mediat është gjithashtu me shumë rëndësi.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safejournalista) do të informojë të gjithë palët e interesuara përkatëse kombëtare dhe ndërkombëtare mbi rastin.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Shkup - Beograd - Podgoricë - Prishtinë - Sarajevë - Zagreb, 08.06.2021

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikata e Mediave të Malit të Zi", thuhet në reagim.

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)

Dy ish-kunatat, Nora Istrefi e Tuna bëhen bashkë, këndojnë mbi arkivol 'My love' (VIDEO)