Banka e Shqipërisë duhet të shtojë monitorimin ndaj sektorit bankar në raport me ekspozimin e tyre në kreditimin e bizneseve të mëdhenj.

Kjo është një nga detyrat që i ka lënë Kuvendi për t’u përmbushur brenda muajve të mbetur të këtij viti, me synim që kredia të mos jetë e përqendruar vetëm tek projektet e mëdha por të ketë diversifikim të portofolit.

Po ashtu në rezolutën me 13 rekomandime të miratuar në seancën e 30 tetorit, i është kërkuar bankës që të vijojë të mbajë në fokus ekspozimin e sektorit bankar në tregun e pasurive të paluajtshme, edhe pse ka vendosur kufizimin e kredisë për blerje banese.

“Të intensifikojë monitorimin e kredive ndaj sektorit të ndërtimit dhe projekteve të mbështetura me pasuri të paluajtshme, duke siguruar vlerësim më konservator të kolateralit dhe aftësisë paguese për të reduktuar rrezikun e përqendruar në këtë sektor dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit bankar”, tha deputeti i PS-së Erion Braçe.

Relatori i rezolutës, deputeti i PS-së Erion Braçe tha se një tjetër detyrë që i është lënë bankës ka të bëjë me ndërhyrjet në tregun valutor, për të stabilizuar kursin.

“Të adoptojë një qasje të matur dhe të kujdesshme ndaj ndërhyrjeve në tregun valutor, duke i kufizuar ato në raste të nevojshme dhe të justifikuara nga rrethanat e tregut, në mënyrë që të forcohet funksioni i kursit të këmbimit. si një mekanizëm vetërregullues i ekonomisë, i cili ndihmon në zbutjen e goditjeve të jashtme, ruajtjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e një ekuilibri të qëndrueshëm makroekonomik”, tha Braçe.

Më shumë kontroll i kërkohet edhe për zyrat e këmbimit valutor, institucionet jo banka, për parandalimin e pastrimit të parave, të ketë një analizë për rreziqet klimatike si edhe të rrisë bashkëpunimin me institucionet kundër dizinformimit financiar. Në të njëjtën rezolutë i janë lënë 3 detyra Këshillit të Ministrave.

Duke marrë shkas edhe nga skandali me mikrokreditë i ndodhur në vitin 2024 ku penalitetet ishin rritur në shkelje ligjore, Kuvendi i kërkon qeverisë të hartohen ndryshimet ligjore ku përcaktohen tavane për normat e interesit dhe të penaliteteve për kreditë konsumatore, si dhe të ndryshohet Kodi Civil për normën e penalitetit në rast të vonesës së shlyerjes së huasë.

Po ashtu i kërkohet qeverisë të marrë masa për të rishikuar ligjin për shërbimin përmbarimor privat, për të mbrojtur qytetarët nga abuzimet gjatë ekzekutimit të vendimeve.

“Kuvendi i kërkon Këshillit të Ministrave të përshpejtojë plotësimin e kuadrit ligjor për institucione financiare jo banka përmes së pari finalizimit të procesit të ndryshimeve në ligjin 9902 të vitit 2008 për mbrojtjen e konsumatorëve, i ndryshuar duke parashikuar vendosjen e një tavani mbi normat e interesit dhe penalitetet për kreditë konsumatore me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga praktikat abuzuese dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit nga autor mbikëqyrës.

Së dyti, ndërmarrjes së ndryshimeve të nevojshme në kodin civil për përcaktimin me ligj të normës së penalitetit për vonesat në shlyerjen e detyrimeve dhe të kamatës ligjore me qëllim krijimin e një kuadri të qartë dhe të parashikueshëm që parandalon abuzimet dhe garanton trajtim të drejtë për palët kontraktuese.

Së treti, hartim të ndryshimeve të nevojshme në ligjin 26219 për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat me qëllim forcimin e mbrojtjes ligjore të paleve specifikisht konsumatori dhe parandalimin e abuzimeve gjatë ekzekutimit të detyrimeve”, deklaroi Braçe.