Nga 71 kryetarë degësh, vetëm 5 me Berishën! Pas fitores në Kryesi, Bashën e mbështesin 66 drejtues të degëve të PD! Kryedemokrati paralajmëron Berishën për përjashtim nga PD: Askush s' është mbi statutin

Nga 71 kryetarë të degëve të Partisë Demokratike pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me Lulzim Bashën për gati 5 orë në selinë blu, vetëm 5 prej tyre janë shprehur kundër mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së më 18 dhjetor. Kjo është fitorja e dytë e Lulzim Bashës, pas fitores në kryesinë e Partisë Demokratike, të cilët e mbështetën për mbledhjen e Kuvendit me 18 dhjetor dhe jo më datë 11 siç kërkonte grupi i Sali Berishës. Kundër mbledhjes së Kuvendit Kombëtar më datë 18 dolën hapur krerët e degëve të Fushë-Krujës, Agron Loka, Paskuqanit, Antin Pjetërnikaj, Devollit, Arben Miza, degës nr.1 në Tiranë si dhe kreu i degës së Vlorës. Genc Deromemaj i degës së Vlorës është shprehur se Kuvendi do të mbahet më 11 dhjetor, siç e ka përcaktuar anëtarësia.

Mbledhja u shoqërua me deklarata të forta të kryetarit Lulzim Basha kundrejt ish-kryetarit Sali Berisha, i shpallur 'non grata' nga SHBA, të cilin e pasi e përjashtoi nga grupi parlamentar, e paralajmëroi për përjashtim nga partia. Kryedemokrati Lulzim Basha tha në mbledhje se për cilido që nuk respekton vendimin e kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor, do zbatojë statutin e partisë, pikërisht nenin 27 të tij. 

'Boll është boll, asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe as mbi ne', është shprehur Basha gjatë takimit me krerët e degëve, pasi Berisha ka thirrur një Kuvend paralel, duke shkelur kështu vendimin e kryesisë. Lulzim Basha tha se veprimet ilegjitime të Sali Berishës, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në Statut. Ai është shprehur para drejtuesve të degëve se do të zbatojë statutin ndaj kujtdo që shkel vendimin e kryesisë së partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Në nenin 27 pika 2 e statutit të PD parashikohet që anëtarët që thyejnë disiplinën e partisë ndeshkohen me paralajmërim, pezullim dhe përjashtim. Basha është treguar i vendosur në qëndrimin e tij për të mos njohur ato qe i quajti “struktura paralele” që tenton të krijojë Sali Berisha në PD, për interesat e tij personal.

Më tej në takim, Basha ka theksuar se detyra kryesore e PD është që të dalë më e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit dhe se beteja mes demokratëve i shërben vetëm Ramës. Basha edhe njëherë ka theksuar se i vetmi qëllim i Berishës është që ta kthejë PD në mburojë përballë SHBA. Sipas kreut të PD-së, kjo parti ka vetëm dy zgjidhje, 'ose të jemi parti e pranueshme për Perëndimin ose do të shpallemi parti non grata'.

Në qendër të diskutimeve të Kolegjit të kryetarëve janë edhe çështjet që lidhen me organizmin e Kuvendit, i cili ka moton ‘1 parti, 1 Kuvend’. Thirrja e Kuvendit Kombëtar u propozua nga kryetari Basha, pas refuzimit të mbështetësve të Sali Berisha për të verifikuar sipas statutit 4200 firmat e mbledhura prej tyre për thirrjen e Kuvendit.

Neni 27 i Statutit të PD-së për sanksionet

1.Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së.

2.Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e PDSH-së, dhe konfirmohen dhe/ose mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit, Etikës dhe Integritetit. Ato mund të bëhen publike.

3.Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të deklarojë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit, Etikës dhe Integritetit, brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit.

4.Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga kryesia e partisë për të gjitha rastet e tjera.

5.Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e sanksioneve statutore. Sanksioni i ndërmarrë i paraqitet për miratim kryesisë së partisë në afatin më të shkurtër të mundshëm.

6.Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurat e dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët përcaktohen në aktet nënstatutore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:23
Takimi me krerët e degëve, Bardhi: 5 kryetarë janë shprehur kundër 18 dhjetorit! Frymën e përçarjes e ka përcjellë vetëm Sali Berisha

Ka përfunduar pas 5 orësh mbledhja e 71 kryetarëve të degëve të PD-së me kryetarin Lulzim Basha. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat tha se 5 kryetarë të degëve janë shprehur kundër mbledhjes së kuvendit me 18 dhjetor. Sipas Bardhit, janë kryetarët e degëve në Vlorë, Devoll, Fushë-Krujë dhe dega numër 1 në Tiranë.

'Patëm një diskutim të gjatë dhe shumë të mirë me kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike, i cili përbëhet nga 71 kryetarët e degëve të partisë, mbi organizimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18  dhjetor, ora 11 në Pallatin e Kongereseve. Dua të ndaj me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili prej kryetarëve të degëve. Sigurisht që dua të jem transparent me ju dhe nëpërmjet jush me opinionin publik, me përjashtim të pesë kryetarëve të pesë degëve, të cilët raportuan për një shqetësim për degët që drejtonin. pra, 5 nga 71 kryetarë degësh, e gjithë pjesa tjetër e kryetarëve të degëve prezent në mbledhje, konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i 18 dhjetorit 2021. 

Dua të ftoj çdo anëtar të Partisë Demokratike që të mos shqetësohet nga lajmet e rreme dhe deklaratat dashakeqe, se ky Kuvend do të jetë Kuvendi i përjashtimit të demokratëve që mendojnë ndryshe apo demokratëve që do të marrin pjesë në mitingun e thirrur nga zoti Berisha në 11 dhjetor. 

18 dhjetori, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nuk është për të përjashtuar demokratët, është për t’i bërë gjithë demokratët bashkë në Kuvendin e tyre Kombëtar. Frymën e përçarjes dhe të ndarjes për fat të keq gjatë këtyre dy muajve e ka përcjellë zoti Berisha dhe qëndrimet të tij, kundër rregullave tona të bashkëjetesës që janë miratuar nga Kuvendi Kombëtar dhe që përbëjnë statutin e Partisë Demokratike. 

Prandaj, kam një apel për secilin prej kolegëve të mi që flet sot për përjashtimin e 500, 1000 apo ku di unë se sa anëtarëve apo demokratëve, që të qetësohet, të marrë frymë thellë dhe të mos i fryjnë zjarrit të përçarjes. 

Statutin Partisë Demorkatike nuk po e shkelin anëtarët e Partisë Demokratike. Statutin e Partisë Demokratike, për fat të keq po e shkel njohësi më i mirë i statutit, Sali Berisha. Besoj, ju jeni në dijeni, deklaratat publike të Kryetarit të Këshillit Kombëtar, që Sali Berisha ka qenë i qëndrimit, që sipas statutit të partisë, nënshkrimet e aq delegatëve të kuvendit saç janë mbledhur do duhet të dorëzoheshin tek sekretariati i partisë. Se kush ia ka ndryshuar mendjen Sali Berishës dhe për çfarë arsye e ka bërë këtë nuk ndryshim do duhet t’ia shpjegojë vetë opinionit publik. Dua, absolutisht, të ripërsëris se kjo është koha që demokratët të mos përdoren si mish për top për të mbrojtur interesin personal të askujt. 

Partia Demokratike nuk do të bëhet dhe nuk mund të bëhet mburojë e askujt që kërkon ta izolojë, ta armiqësojë dhe ta shpallë të padëshiruar nga aleatët tanë strategjikë. Vendimin nuk e marr, sigurisht, as unë dhe askush tjetër, e marrin institucionet e partisë dhe prandaj dua të konfirmoj sot se më 18 dhjetor është Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, si mundësia që të gjithë demokratët të jenë bashkë për të përcaktuar bashkërisht rrugën e betejës për rrëzimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës.'- tha Bardhi.

Pyetje: Zoti Bardhi po thoni se paralajmërimi i Lulzim Bashës ka qenë vetëm për të përjashtuar Sali Berishën? 

Gazment Bardhi: Edhe njëherë dua të ndaj me ju mesazhin nga mbledhja e kolegjit të kryetarëve, ishte mesazh bashkimi. Cilido që në këto dy muaj i ka fryrë zjarrit të përçarjes, demokratët e kanë te qartë që nuk është në interesin e Partisë Demokratike dhe në interesin e demokratëve, është vetëm në interesin e atij që është duke e bërë. 

Prandaj lajmi i mirë sot është që në 18 dhjetor ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve, zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, çdo anëtar i Kuvendit Kombëtar dhe demokratët do të kenë mundësi për të folur, për të dialoguar dhe për t'u bërë bashkë në të vetmin mision që kemi, rrëzimin e një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës. 

Pyetje: Ju thatë që ishin 5 kryetarë degësh që kanë hapur probleme. Kush janë këta 5 kryetarë degësh? 

Gazment Bardhi: Besoj ishte evidente. Ishin 5 kryetarë degësh që dolën në deklaratën tuaj për shtyp, pra Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Vlorë, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Devoll, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Fushe-Krujë, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Paskuqan dhe Kryetari i Degës 1 në Tiranë. 

Këta 5 kryetarë kanë shfaqur një shqetësim të tyre në lidhje me Kuvendin Kombëtar të PD, janë dëgjuar me shumë respekt edhe pse ishin pakicë në mbledhje, janë respektuar, mendimi i tyre është dëgjuar me shumë vëmendje, janë sqaruar për çdo çështje që kanë kërkuar sqarim, sikundër detyra e çdo demokrati që është në PD për t'i shërbyer interesit të demokratëve dhe nëpërmjet kësaj, interesit të Shqipërisë, është të sqarojë të gjithë anëtarët e PD për çdo çështje apo pikëpyetje që mund të kenë për çështje të ndryshme.

Ora 17:39
Basha u drejtohet demokrateve: Kemi vetëm 2 zgjidhje, të jemi parti e pranueshme për Perëndimin, ose të shpallemi non grata

Kreu i PD ka folur shumë hapur se gjendja e krijuar përfshin drejtpersedrejti marrëdhenien e PD me SHBA.

“Kemi përgjegjësinë historike, përpara demokratëve dhe shqiptarëve, që të mos lejojmë që partia që në 1992 erdhi në pushtet në partneritet të ngusht me Shtetet e Bashkuara, që ndërtoi lidhjet më të forta me partnerët perëndimorë, të mos përfundojë non grata. Ky është thelbi që disa përpiqen të fshehin nga gjithë kjo histori, si nga ata që e shfrytëzojnë këtë moment për interesa personale, por edhe nga ata që duan të dëmtojnë Partinë Demokratike. Prandaj të jetë e qartë për të gjithë, ose ne do të jemi një parti e pranueshme për Perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara, mikun tonë të madh, ose do të jemi një parti non-grata. Nuk ka zgjidhje tjetër dhe kushdo me mend në kokë e kupton që është ekzaktësisht kështu.”- theksoi Basha.

Ora 17:10
Basha mesazh Berishës: Jo struktura paralele, do të zbatoj statutin për shkeljen e vendimit të kryesisë

Lulzim Basha tha se në takimin me kryetarët e degëve të PD-së se vota e kryesisë i dha përgjigje kujtdo që dyshon në procedurat demokratike në parti.

Basha tha se më 18 dhjetor mbahet Kuvendi Kombëtar i PD dhe nga ky Kuvend në dalin të bashkuar, partner të palëkundër të SHBA dhe BE.  Nga ana tjetër Basha tha se do të zbatoj statutin ndaj kujtdo kush shkel vendimin e kryesisë së partisë , fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën.

“Do të bëjë Sali Berisha miting me 11 dhjetor? Apo mendon se do të ngrejë struktura paralele? Ka thënë që nuk e njeh Kuvendin e datës 18 si Kuvend legjitim. E kuptoj, asgjë legjitime nuk njeh Sali Berisha. Sepse qëllimi është ilegaliteti, bunkerizimi, destabilizimi i PD. Por veprimet ilegjitime, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në Statut. Dhe do ta zbatoj Statutin ndaj kujtdo. Kush shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Boll është boll. Asnjë anëtar nuk është mbi Statutin dhe nuk është mbi te tjerët.”- u shpreh Basha.

Ora 16:46
'Berisha nuk njeh asnjë institucion në PD', Basha i prerë: Halli i tij është ta kthejë PD në mburojë të veten përballë SHBA

Kryetari i Partisë Demokratik Lulzim Basha ka ngritur më kryetarët e degëve të Partisë Demokratike shqetësimin për qëndrimet anti-statuore të Sali Berishës, për të cilën tha se 'ai nuk njeh asnjë institucion të PD-së, nuk njeh asnjë vendimarrje'.

Basha u shpreh i vendosur 'për të mos lejuar që këto kushte të krijuara të çojnë PD-në në izolim, ta bunkerizojnë atë apo ta kthejnë në mburojë të interesave personale'.

'Kjo histori e përdorimit të demokratëve si mburojë e interesave personale të kujtdo merr fund njëherë e përgjithmonë. Kryesia e Partisë Demokratike votoi për mbledhjen e Kuvendit legjitim. Sali Berisha thotë se prap nuk e njeh. Ku qëndron morali i statutit që me forcë ngre Sali Berisha? Çfarë po kërkon ai? Sali Berisha nuk e ka hallin te statuti ai nuk njeh asnjë strukturë të Partisë, sepse qëllimi i tij është që partia të shndërrohet në një mburojë të tij përballë Shteteve të Bashkuara.' tha Basha. 

Basha tha se Sali Berisha e kishte justifikim nisjen e Foltores me qëndrimin se vendimi për të nuk ishte marre nga forumet.

'Pse nuk e përmend më Sali Berisha faktin me të cilin nisi foltoren, sepse nuk u votua në Kryesi? Sepse ky ishte një justifikim. Ja ku është vendimi i Kryesisë me 28 vota pro për mbledhjen e Kuvendit, dhe ai përsëri thotë s”e njoh. Është e qartë se sido që të merrej ai vendim, me çfarëdo votimi, Sali Berisha dëshmon se nuk do ta njihte. Sepse sot ai nuk njeh asnjë organ zyrtar te PD.'- tha Basha.

Ora 16:40
Zbardhet fjala e Bashës me kryetarët e degëve të PD: Beteja me njëri-tjetrin i shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij

Në mbledhjen me 71 kryetaret e degëve të PD, Kryetari i PD, Lulzim Basha theksoi si detyrë kryesore që partia të dalë e bashkuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit. Qëllimi kryesor është vazhdimi i betejës kundër Rames.

'Rama është kundërshtari ynë i përbashkët, pavarësisht çfarë mendojmë në këtë situatë që po kalojmë. Beteja me njëri- tjetrin nuk na çon askund. I shërben vetëm Ramës dhe patericave të tij, që po bëjnë gjithçka që beteja mes nesh të çojë në një ndarje të partisë. Ju jeni dëshmitare të kësaj'- tha Basha.

I.K/K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besi: 18/11/2021 01:10

    E kuptoj qe eshte disi e veshtire te pozicionohesh lidhur me kete ceshtje. Nese leme jashte cdo faktor jo racional, jo thjesht ne kontekst partiak por me gjere, edhe kombetar, cfare problemi ka qe populli, ne emer te te cilit flitet, te vendose? Po pse xhanem akoma mbetemi pengje te ish kryetareve, apo kryetareve anadollak e te tyre? Pse akoma me te tille sofizma, kryesia (qe une e zgjodha) apo kryetaret lokale (qe une zgjodha) jane me mua? Ta mbledhim kuvendin sot apo neser, ne 11, 18 apo 88? Ose,.nje kryeminister me mire e ka te qeverise i vetem pa opozite se sa te kerkoje e te pranoje zgjedhje. Ore eshte norme ne radhe te pare demokracie. E kemi pare se si zgjedhin ne Itali, Greqi e kudo. Ose se fundmi ne Kanada! Dua zgjedhje, tha kryeministri, pasi dua shumice normale! Nje muaj me pas u bene zgjedhje dhe populli votoi njesoj. I vetmi shqetesim qe pse u harxhuan para kot por nenfund te fundit vendimin nuk e merr nje i vetem por zgjedhesit. Kaq frike keni mor derezinj, ju marrte shen athanoi ju marrte.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

2-vjeçari me tumor s’nis kimioterapinë pasi QSUT s'ka ilaçin, Agjencia e Barnave për Report Tv: ‘Actinomycin D’ mungon në treg prej 2006, duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë

2-vjeçari me tumor s’nis kimioterapinë pasi QSUT s'ka ilaçin, Agjencia e Barnave për Report Tv: ‘Actinomycin D’ mungon në treg prej 2006, duhet ta sigurojë Ministria e Shëndetësisë