Takimi me krerët e degëve, Bardhi: 5 kryetarë janë shprehur kundër 18 dhjetorit! Frymën e përçarjes e ka përcjellë vetëm Sali Berisha

Ka përfunduar pas 5 orësh mbledhja e 71 kryetarëve të degëve të PD-së me kryetarin Lulzim Basha. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat tha se 5 kryetarë të degëve janë shprehur kundër mbledhjes së kuvendit me 18 dhjetor. Sipas Bardhit, janë kryetarët e degëve në Vlorë, Devoll, Fushë-Krujë dhe dega numër 1 në Tiranë.

'Patëm një diskutim të gjatë dhe shumë të mirë me kolegjin e kryetarëve të Partisë Demokratike, i cili përbëhet nga 71 kryetarët e degëve të partisë, mbi organizimin e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike në datën 18  dhjetor, ora 11 në Pallatin e Kongereseve. Dua të ndaj me ju frymën e lartë të bashkëpunimit që përcolli secili prej kryetarëve të degëve. Sigurisht që dua të jem transparent me ju dhe nëpërmjet jush me opinionin publik, me përjashtim të pesë kryetarëve të pesë degëve, të cilët raportuan për një shqetësim për degët që drejtonin. pra, 5 nga 71 kryetarë degësh, e gjithë pjesa tjetër e kryetarëve të degëve prezent në mbledhje, konfirmuan frymën e bashkimit që përcjell Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i 18 dhjetorit 2021. 

Dua të ftoj çdo anëtar të Partisë Demokratike që të mos shqetësohet nga lajmet e rreme dhe deklaratat dashakeqe, se ky Kuvend do të jetë Kuvendi i përjashtimit të demokratëve që mendojnë ndryshe apo demokratëve që do të marrin pjesë në mitingun e thirrur nga zoti Berisha në 11 dhjetor. 

18 dhjetori, Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike nuk është për të përjashtuar demokratët, është për t’i bërë gjithë demokratët bashkë në Kuvendin e tyre Kombëtar. Frymën e përçarjes dhe të ndarjes për fat të keq gjatë këtyre dy muajve e ka përcjellë zoti Berisha dhe qëndrimet të tij, kundër rregullave tona të bashkëjetesës që janë miratuar nga Kuvendi Kombëtar dhe që përbëjnë statutin e Partisë Demokratike. 

Prandaj, kam një apel për secilin prej kolegëve të mi që flet sot për përjashtimin e 500, 1000 apo ku di unë se sa anëtarëve apo demokratëve, që të qetësohet, të marrë frymë thellë dhe të mos i fryjnë zjarrit të përçarjes. 

Statutin Partisë Demorkatike nuk po e shkelin anëtarët e Partisë Demokratike. Statutin e Partisë Demokratike, për fat të keq po e shkel njohësi më i mirë i statutit, Sali Berisha. Besoj, ju jeni në dijeni, deklaratat publike të Kryetarit të Këshillit Kombëtar, që Sali Berisha ka qenë i qëndrimit, që sipas statutit të partisë, nënshkrimet e aq delegatëve të kuvendit saç janë mbledhur do duhet të dorëzoheshin tek sekretariati i partisë. Se kush ia ka ndryshuar mendjen Sali Berishës dhe për çfarë arsye e ka bërë këtë nuk ndryshim do duhet t’ia shpjegojë vetë opinionit publik. Dua, absolutisht, të ripërsëris se kjo është koha që demokratët të mos përdoren si mish për top për të mbrojtur interesin personal të askujt. 

Partia Demokratike nuk do të bëhet dhe nuk mund të bëhet mburojë e askujt që kërkon ta izolojë, ta armiqësojë dhe ta shpallë të padëshiruar nga aleatët tanë strategjikë. Vendimin nuk e marr, sigurisht, as unë dhe askush tjetër, e marrin institucionet e partisë dhe prandaj dua të konfirmoj sot se më 18 dhjetor është Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, si mundësia që të gjithë demokratët të jenë bashkë për të përcaktuar bashkërisht rrugën e betejës për rrëzimin një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës.'- tha Bardhi.

Pyetje: Zoti Bardhi po thoni se paralajmërimi i Lulzim Bashës ka qenë vetëm për të përjashtuar Sali Berishën? 

Gazment Bardhi: Edhe njëherë dua të ndaj me ju mesazhin nga mbledhja e kolegjit të kryetarëve, ishte mesazh bashkimi. Cilido që në këto dy muaj i ka fryrë zjarrit të përçarjes, demokratët e kanë te qartë që nuk është në interesin e Partisë Demokratike dhe në interesin e demokratëve, është vetëm në interesin e atij që është duke e bërë. 

Prandaj lajmi i mirë sot është që në 18 dhjetor ora 11.00 në Pallatin e Kongreseve, zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, çdo anëtar i Kuvendit Kombëtar dhe demokratët do të kenë mundësi për të folur, për të dialoguar dhe për t'u bërë bashkë në të vetmin mision që kemi, rrëzimin e një orë e më parë të regjimit të Edi Ramës. 

Pyetje: Ju thatë që ishin 5 kryetarë degësh që kanë hapur probleme. Kush janë këta 5 kryetarë degësh? 

Gazment Bardhi: Besoj ishte evidente. Ishin 5 kryetarë degësh që dolën në deklaratën tuaj për shtyp, pra Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Vlorë, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Devoll, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Fushe-Krujë, Kryetari i Degës së Partisë Demokratike Paskuqan dhe Kryetari i Degës 1 në Tiranë. 

Këta 5 kryetarë kanë shfaqur një shqetësim të tyre në lidhje me Kuvendin Kombëtar të PD, janë dëgjuar me shumë respekt edhe pse ishin pakicë në mbledhje, janë respektuar, mendimi i tyre është dëgjuar me shumë vëmendje, janë sqaruar për çdo çështje që kanë kërkuar sqarim, sikundër detyra e çdo demokrati që është në PD për t'i shërbyer interesit të demokratëve dhe nëpërmjet kësaj, interesit të Shqipërisë, është të sqarojë të gjithë anëtarët e PD për çdo çështje apo pikëpyetje që mund të kenë për çështje të ndryshme.


Lajmi kryesor:

Nga 71 kryetarë degësh, vetëm 5 me Berishën! Pas fitores në Kryesi, Bashën e mbështesin 66 drejtues të degëve të PD! Kryedemokrati paralajmëron Berishën për përjashtim nga PD: Askush s' është mbi statutin


M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ekspertiza konfirmon përdhunimin e 31-vjeçarit me probleme mendore në Elbasan! 44-vjeçari pranon se e zhveshi, lihet në burg! Tjetri arrest shtëpie

Ekspertiza konfirmon përdhunimin e 31-vjeçarit me probleme mendore në Elbasan! 44-vjeçari pranon se e zhveshi, lihet në burg! Tjetri arrest shtëpie