Të enjten nuk do të zhvillohet seancë plenare, por demokratët kanë kërkuar mocion me debat për raportin e Parlamentit Europian dhe kërkesat e protestuesve para Kryeministrisë. Kërkesa për mocion me debat është firmosur nga kreu i grupit, Gazment Bardhi. Burime për Shqiptarja.com sqaruan se Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet të enjten në orën 10:00 për të shqyrtuar dy kërkesat e Bardhit.
Në kërkesën për mocion me debat, theksohet se protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa: dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e kuadrit ligjor për investimet strategjike, anulimin e kuadrit ligjor të njohur si “Paketa e Maleve”, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare. PD thekson se këto janë çështje që opozita i ka ngritur prej kohësh në Kuvend dhe për të cilat ka depozituar edhe nisma ligjore konkrete për shfuqizimin e akteve përkatëse.
"Ndër të tjera, qytetarët kanë paraqitur disa kërkesa që kërkojnë adresim të menjëhershëm, sepse janë të bazuara. Konkretisht, qytetarët kanë paraqitur 5 kërkesa, që përfshijnë:
1. Dorëheqjen e Qeverisë;
2. Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike;
3. Shfuqizimin e kuadrit ligjor për Paketën e Maleve;
4. Anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
5. Anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore shqiptare", thuhet në kërkesën e tyre.
Sa i takon raportit të PE, PD ka listuar 20 pika shqetësuese për të cilat kërkon ballafaqim qëndrimesh. Opozita kërkon 10 minuta kohë për secilin deputet dhe se sipas saj duhet të debatohet edhe në lidhje me imunitetin e deputetëve, pak muaj pasi PD vendosi të mos i hiqte imunitetin deputetes socialiste Belinda Balluku. Investimet strategjike, pronat liria e medias dhe zhvillimet brenda zonës Vjosë-Nartë janë ndër pikat e tjera për të cilat PD kërkon mocionin me debat.
Kliko këtu per të lexuar dokumentin e plotë
Komente










