Policia e Shtetit do të funksionojë me rregulla të reja, pasi Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj.
Sipas ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, ndryshimet synojnë ta bëjnë Policinë më funksionale, duke thjeshtuar strukturën drejtuese dhe duke përshpejtuar vendimmarrjen.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me sistemin e karrierës. Sipas Lamallarit, rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, me qëllim që emërimet të mbështeten te merita dhe eksperienca.
Amendimet synojnë gjithashtu t'i japin fund vakancave të zgjatura në pozicionet drejtuese, që sipas tij janë krijuar nga procedurat burokratike. Me ndryshimet e reja, synohet që këto poste të plotësohen më shpejt.
Një tjetër pikë e reformës është administrimi i burimeve njerëzore. Lamallari tha se do të vendosen rregulla më të qarta për transferimet e efektivëve dhe një sistem disiplinor më proporcional.
Sipas tij, ndryshimet synojnë edhe ruajtjen e përvojës së punonjësve të Policisë së Shtetit, duke e konsideruar atë si një vlerë për institucionin.
"Duke pasur parasysh sfidat e reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve", shkroi Lamallari pas miratimit të ndryshimeve në Kuvend.
Postimi i plotë i Ministrit Lamallari në rrjete sociale
"Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.
Çfarë ndryshon:
Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë
Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës
Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum
Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional
Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj
Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve" shkroi Lamallari
Komente










