/ATSH/.- Kuvendi miratoi të enjten me 91 vota ndryshimet në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronave".
Ndryshimet iu mundësojnë ish-pronarëve të pasurive të paluajtshme zgjatjen e afateve me 6 muaj për trajtimin e kërkesave të tyre për njohje, kthim dhe kompensim pasurie, nga data 30 prill 2015 më 30 tetor 2015.
Me 71 vota Kuvendi zgjodhi Kristaq Trajen Kryetar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.
Seanca e sotme ratifikoi me 92 vota dhe protokollin e 16-të të Konventës "Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore", si dhe me 88 vota marrëveshjen e ndryshuar të ndihmës për objektiva zhvillimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të SHBA-së, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe qeverisjen e mirë.
Me 75 vota Kuvendi miratoi pr/rezolutën për "Për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të personave që i përkasin komunitetit LGBT", ndërsa me 75 vota pr/rezolutën "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) për vitin 2014?. Me 94 vota pro Kuvendi miratoi edhe pr/ligjin "Për shërbimin postar".
Gjithashtu, seanca e sotme miratoi me 83 vota vendimin për shpërndarjen e fondit prej 65 milionë lekësh, si mbështetje financiare për partitë politike në zgjedhjet e reja vendore.