TIRANË, 21 Korrik/ATSH/.- Kuvendi i Shqipërisë, nisur nga parimi se pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje është një element thelbësor për çdo sistem politik të përgjegjshëm e demokratik, ka hartuar një projektmanual që synon nxitjen dhe sigurimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në procesin legjislativ dhe mbikëqyrës të parlamentit.
Zyra e shtypit e Kuvendit bën të ditur se ky pr/manual është publikuar në faqen zyrtare të parlamentit për të tërhequr interesimin e Organizatave të Shoqërisë Civile, si dhe për krijuar mundësinë e shfaqjes së mendimeve dhe sugjerimeve mbi përmirësime të mundshme në shërbim të funksionalitetit dhe efikasitetit të këtij dokumenti.
Pr/manuali përmes pjesëmarrjes së publikut në procesin vendimmarrës të Kuvendit, synon t'i sjellë individët më afër qeverisjes, duke u krijuar mundësinë që të adresojnë problemet dhe të ofrojnë zgjidhje të përshtatshme për to; të vlerësojnë rezultatet e zbatimit të politikave, të mbikëqyrjes së veprimtarisë së të zgjedhurve të tyre për t'i bërë ata më të përgjegjshëm, etj.
Ky dokument, ka si qëllim t'i japë mundësinë publikut që, që nga qytetari më i thjeshtë e deri tek organizatat jofitimprurëse të shndërrohen nga vëzhgues pasivë të politikave ligjore nga të cilat preken, në pjesëmarrës aktivë të zhvillimit të komunitetit ku bëjnë pjesë dhe në ofrues të përmirësimit të këtyre politikave.
Në këtë draft manual, pjesëmarrja e publikut është trajtuar në kuptim të: informimit, konsultimit, dialogut dhe partneritetit. /a.s/./a.g/