Zgjedhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit në 5 bashki në vend, përkatësisht në Berat, Vlorë, Cërrik, Mat dhe Tepelenë për analistin Zylyftar Bregu, ishin zgjedhje pa garë.

I ftuar në emisionin ‘5 pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, sipas tij, fakti që PD mbështeti kandidatët e pavarur tregon se nuk u bë pjesë e këtyre zgjedhjeve. Partitë e reja i cilësoi si parti kryeqyteti.

‘Në këto zgjedhje nuk kishte garë. PD nëpërmjet trukut që mbështeti të pavarurit në fakt doli nga gara. PD nuk kandidonte në këto zgjedhje. Mund të kishte një rezultat pak më ndryshe nëse do të kishte kandidatët e saj. Partitë e reja që ngjallën një lloj shpresë treguan se janë parti kryeqyteti. Asnjë nga partitë e reja nuk kanë shtrirje në të gjithë vendin. Partitë e reja nëse duan që të jenë dinjitoze në gara elektorale duhet që të kenë shtrirje kombëtare. Kur kemi të bëjmë më këtë kontekst nuk ka garë dhe nuk ka demokraci. Në Shqipëri nuk kishte garë. Braktisja që u është bërë zgjedhjeve tregon edhe degradimi ku e ka çuar pushteti qendror atë lokal’, tha ai.

Avokati Leonard Karaj, tha se PD mbështeti të pavarurit në këto zgjedhje, për ta pasur këtë si albi për të mos i njohur zgjedhjet në rast humbje.

‘Partia Demokratike mbështeti të pavarurit, pra thotë kandido ti, po unë humbjen tënde se marr përsipër. Kjo ishte alibia që zgjodhi PD. Këto zgjedhje në Vlorë treguan se duke parë pjesëmarrjen nga PS nuk mori ndonjë numë të lartë votash, PD po të ishte në zgjedhje mund ta kishte rrezikuar PS në Vlorë’, tha ai.

Për deputetin e ‘Lëvizjes Bashkë’ Redi Muçi, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje është alarmante. Muçi zbuloi edhe pse partia ku ai bënë pjesë nuk mori pjesë në këto zgjedhje.

‘Pjesëmarrja e ulët tregon se sa pak rëndësi ka qeverisja vendore. Kjo është alarmante. Kryeministri thotë, që ata që them unë do të japin dorëheqjen dhe fakti që kanë bojkotuar procesin tregon se këta janë vetëm të emëruar. Fakti që PS ka marr edhe mandatin e 3 dëshmon se PD me këtë model e ka të pamundur që të rrezikojë PS. Nuk kemi struktura në çdo qytet dhe prandaj nuk morëm pjesë në këto zgjedhje’, tha ai.

Për gazetarin Ermal Peçi fituesi ishte i paracaktuar. Ai theksoi se mungesa e frymës opozitare dhe dobësimi i garës politike po e çojnë çdo situatë në favor të PS.

‘Nuk ishte një garë. Ishte e përcaktuar se kush do të ishte fituesi. Realiteti që ne perceptojmë është pranë asaj që do të ndodh, fushatat ishin pa frymë dhe kur s’ka frymë dihet që do të fitojë mazhoranca. Shqiptarët janë distancuar dhe kanë krijuar një frymë mosbesimi ndaj politikës. Ata që kanë votuar ose kanë lidhje interesi me PS ose janë njerëz që janë të punësuar në shtet. Edhe vet opozita duke mos ngritur dot frynë sjell këtë situatë kaotike. Kemi shumë nga radhët e PS nën hetim, kemi zv.kryeministren Balluku dhe prap kemi këtë rezultat. Unë kam informacione që një nga ish-funksionarët e PS mund të bëhet non grata, ka qenë ministër, por tani s’është më për momentin’, tha ai.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
Berisha thirret në SPAK për ‘21 janarin’, deputeti Muçi: Të ishte marrë i pandehur, është fajtori kryesor

 

Deputeti i ‘Lëvizjes Bashkë’ Redi Muçi, komentoi edhe thirrjen e Sali Berishës në SPAK për vrasjet e '21 janarit', ku u vranë 4 protestues në Bulevard. Ai tha se Berisha duhet të ishte marrë i pandehur lidhur me këtë ngjarje, pasi sipas tij është përgjegjësi kryesor.

‘Jam i lumtur ta shoh aty jo vetëm në pozitën e atij që është në dijeni të ngjarjes por sikur të ishte edhe i pandehur. Unë e mirëpres faktin që është marrë për tu pyetur si personi në dijeni. Provat janë zhdukur, fajtori kryesor është Berisha, dhe Basha ka marrë urdhra nga Berisha’, tha ai.

Ndërkohë, analisti Zylyftar Bregu, e konsideron këtë një lëvizje të SPAK si taktike për të mbyllur çështjen.

“Nuk mund të replikoj që Berisha ka vrarë. Është një lëvizje taktike për ta mbyllur si çështje. Duhet kuptuar se kjo nuk është vetëm një çështje juridike, por edhe një hap politik që lidhet me dinamikat brenda PD-së. Në këto raste, SPAK dhe prokuroria mund të veprojnë me shpejtësi të kufizuar, ndërsa efekti real është politik”, shprehet Bregu.