Një 37-vjeçar, i cili sipas autoriteteve amerikane jetonte së fundmi në Shqipëri, është nxjerrë para një gjykate federale në Camden të Nju Xhersit, i akuzuar se për më shumë se 15 muaj kërcënoi me vdekje dhe përndoqi dy persona në Nju Xhersi dhe Pensilvani.

Sipas Prokurorisë Federale të SHBA-së, Jarvis Shabazz akuzohet për tetë raste të kërcënimeve ndër-shtetërore dhe dy raste të përndjekjes kibernetike. Autoritetet thonë se ai ka pasur lidhje edhe me Nju Xhersin, Xhorxhian, Malajzinë dhe Marokun.

Sipas aktakuzës, seria e kërcënimeve nisi më 10 tetor 2022, kur Shabazz dyshohet se i la një mesazh zanor njërës prej viktimave, duke e kërcënuar me vdekje dhe duke përdorur përshkrime ekstremisht të dhunshme.

Rreth një javë më vonë, ai dyshohet se la një tjetër mesazh, ku i tha viktimës se askush nuk do ta pengonte ta vriste dhe kërcënoi edhe fëmijët e saj.

Hetimet tregojnë se gjatë muajve në vijim ai vijoi të dërgonte mesazhe zanore dhe tekst kërcënuese ndaj dy viktimave. Sipas dokumenteve gjyqësore, ai ndryshonte vazhdimisht numrin e telefonit për të vazhduar kontaktet edhe pasi numrat e tij bllokoheshin. Mesazhet përmbanin kërcënime për vrasje, përshkrime të dhunshme, referenca fetare, fyerje me bazë racore dhe gjuhë fyese.

37-vjeçari u arrestua dhe u paraqit para gjykatës federale në Camden. Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat, ai përballet me një dënim maksimal deri në 50 vite burg, ndërsa masa përfundimtare do të vendoset nga gjykata federale.