Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon SPAK-ut dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të lejojë kryebashkiakun Erion Veliajn, i cili ndodhet i paraburgosur në burgun e Durrësit, të marrë pjesë fizikisht ose online në mbledhjen e ardhshme që do të zhvillohet të premten e kësaj jave, më 21 nëntor 2025.
Në kërkesën e firmosur nga 22 anëtarë socialistë, drejtuar këtyre 2 institucioneve, thuhet se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Paralelisht me kërkesën drejtuar SPAK-ut dhe Drejtorisë së Burgjeve, Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon kryetarit Veliaj objektivat e tij të zhvillimit për Tiranën për vitin 2026 dhe prioritetet e investimeve kapitale, duke specifikuar projektet e reja të Bashkisë Tiranë, për t'i pasqyruar ato në projektbuxhetin e bashkisë për vitin 2026.
Kërkesa e Këshillit Bashkiak drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Këshilli Bashkiak i Tiranës, në zbatim të detyrimeve të tij ligjore dhe me qëllim garantimin e funksionimit të rregullt institucional, ju drejtohet për të kërkuar mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak, e cila do të zhvillohet ditën e premte më datë 21/11/2025, ora 10:00 në ambientet e Bashkisë Tiranë.
Sipas Ligjit nr. 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", konkretisht:
Neni 58, pika 4, përcakton se Kryetari i Bashkisë ka të drejtë të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit Bashkiak dhe të raportojë.
Neni 60, përcakton bashkëpunimin e detyrueshëm ndërmjet Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak për çështje të interesit publik.
Duke qenë se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj, e nevojshme për prezantimin e drafteve, buxhetit, raportimeve vjetore dhe çështjeve të administrimit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, ju kërkojmë që, nëse ndaj tij janë duke u zbatuar masa kufizuese, të vlerësohet:
– lejimi i përkohshëm për pjesëmarrje fizike,
ose, nëse kjo nuk është e mundur,
- mundësimi i pjesëmarrjes së tij nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi (online, videokonferencë apo formë tjetër të aprovuar).
Këshilli Bashkiak është i gatshëm të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie, protokolli apo logjistike të institucioneve tuaja, me qëllim garantimin e një procesi ligjor, transparent dhe funksional.
Ju lutemi të na informoni me shkrim mbi vendimmarrjen tuaj, duke pasur parasysh rëndësinë e respektimit të funksioneve institucionale dhe të të drejtës së Kryetarit të Bashkisë për të raportuar para Këshillit Bashkiak.
Kërkesa për kryebashkiakun Erion Veliaj e firmosur nga 22 anëtarë të Këshillit Bashkiak:
I nderuar zoti Kryetar,
Në kuadër të përgatitjes së Projektbuxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2026 dhe respekt të parashikimeve të Ligjit nr. 68/2017 "Për Financat e Qeverisjes Vendore", ju kërkojmë të na vendosni në dispozicion objektivat dhe prioritetet tuaja buxhetore për vitin e ardhshëm.
Neni 41 i Ligjit nr. 68/2017 parashikon se "Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përgatit projektbuxhetin vjetor dhe ia paraqet për miratim Këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore". Pra përgatitja e projektbuxhetit është një proces që realizohet dhe propozohet në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Duke marrë parasysh edhe kushtet e pazakonta të ushtrimit të detyrës suaj, për shkak të ndodhurit në paraburgimin e Durrësit, si dhe nevojën për një komunikim institucional të rregullt, ju lutemi që përmes administratës së bashkisë të na përcillni:
Objektivat tuaj strategjikë të zhvillimit për vitin 2026 dhe prioritetet e investimeve kapitale, duke specifikuar projektet e reja të Bashkisë Tiranë, si dhe ato në vijim.
Informacioni është i domosdoshëm për të garantuar respektimin e parashikimeve ligjore dhe për të mundësuar shqyrtimin dhe miratimin në kohë të projektbuxhetit nga Këshilli Bashkiak.
Me respekt,
Këshilltarët e Këshillit Bashkiak Tiranë
=
Kliko këtu për të lexuar shkresën për kryebashkiakun Erion Veliaj

Kliko këtu për të lexuar kerkesën drejtuar SPAK dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve
Komente









Erjon velia po te pret tirana Ajo pa ty ka ngel ne vend bravo gjykata kushtetuese Turp te gjitha tjerat..spak e gjykatat tjera u humbët emri..
PërgjigjuKeto jane filmat e te korruptuarve. Ai eshte ne pritje te gjykimit per korrupsion ndersa keto bejne lojera te cilat filluan me mbretin qe ben si shpirt i keq, vazhduan me gjyqtare te kushtetueses qe votuan per nje gje qe su takonte ti jepnin ze dhe perfundon me palacot e vegjel te keshillit. Ju jeni te gjithe per hetim, jo vetem fiku juaj.
PërgjigjuSi nuk keni turp, a ishit ju qe votuat unanimisht per ta shkarkuar,ndersa tani e kerkoni?
PërgjigjuHahahha sa qesha
Përgjigju