Dhjetëra milionë qytetarë rusë janë detyruar gjatë 18 muajve të fundit të instalojnë në telefonat e tyre aplikacionin Max, një platformë që autoritetet ruse e kanë promovuar si alternativë ndaj Telegram dhe WhatsApp.

Sipas një studimi të kryer nga studiues të Universitetit të Miçiganit dhe të publikuar nga The Guardian, aplikacioni ka aftësi të avancuara mbikëqyrjeje, të cilat, sipas autorëve të kërkimit, mund të krijojnë një "derë të pasme" për akses në pajisjet e përdoruesve.

Max është zhvilluar nga kompania ruse VKontakte, e cila ka lidhje të ngushta me shtetin rus. Sipas raportimeve të cituara nga The Guardian, presidenti rus Vladimir Putin zotëron në mënyrë indirekte aksione në këtë platformë.

Aplikacioni është ndërtuar si një "super-aplikacion", ku në një platformë të vetme përfshihen komunikimi, pagesat, shërbimet bankare dhe një sërë shërbimesh shtetërore. Modeli i tij i ngjan aplikacionit kinez WeChat.

Studiuesit analizuan versionin e Max që përdoret në Rusi dhe arritën në përfundimin se aplikacioni mund të realizojë pamje të ekranit pa dijeninë e përdoruesit, të ketë akses në të dhënat e mini-aplikacioneve të tij, përfshirë mesazhet dhe pagesat, si edhe të veprojë në emër të përdoruesit.

Sipas studimit, Max ka gjithashtu aftësinë të fusë kod në mini-aplikacionet që përdor, çka, sipas studiuesve, teorikisht mund të shfrytëzohet edhe për sulme kibernetike.

Roya Ensafi, profesore e asociuar e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Miçiganit, tha se Max përfaqëson një nivel të ri të kontrollit digjital nga shteti.

"Ne kemi studiuar për një dekadë mënyrën se si Rusia ka zgjeruar kontrollin mbi internetin. Max është taktika më e sofistikuar dhe më shqetësuese që kemi parë deri tani", tha ajo.

Sipas studiuesve, aplikacioni nuk mund të ketë akses në Telegram apo WhatsApp nëse ato janë të instaluara në telefon. Megjithatë, Rusia i ka ndaluar të dyja këto platforma.

Përdorimi i Max është bërë praktikisht i detyrueshëm për shumë kategori në Rusi. Në raport përmenden zyrtarë, punonjës të administratës publike, mësues, studentë dhe madje edhe nxënës, të cilëve u është kërkuar të kalojnë komunikimin në këtë platformë.

Një mësuese në Moskë i tha The Guardian se drejtoria e shkollës e urdhëroi stafin që të përdorte Max për komunikimin me prindërit, shpërndarjen e detyrave dhe njoftimet e shkollës.

Edhe një student nga Shën Petersburgu tha se u detyrua ta instalonte aplikacionin pasi universiteti i kërkoi një kod QR të gjeneruar nga Max për të hyrë në godinat dhe konviktet.

Megjithatë, sipas disa personave të intervistuar nga The Guardian, pjesëtarë të elitës politike dhe të biznesit në Rusi vazhdojnë të përdorin Telegram dhe Signal për komunikimet e tyre të përditshme. Një burim pranë Kremlinit tha se kishte blerë një telefon të dytë vetëm për të instaluar Max, ndërsa telefonin kryesor vazhdon ta përdorë me aplikacionet e tjera.

Shumë përdorues të intervistuar thanë se aplikacioni i ngjan Telegram-it për nga pamja dhe funksionet, por shprehën shqetësime për privatësinë.

Studiuesit paralajmërojnë se përhapja e shpejtë e Max duhet të shërbejë si një sinjal alarmi. Sipas tyre, Rusia ka ndërtuar brenda një dekade një sistem të kontrollit digjital që Kinës iu deshën disa dekada për ta zhvilluar.