Mjaft miq dhe simpatizantë të shkrimeve të mia, më kanë shkruar duke më pyetur se përse nuk jam më aktiv në median on-line me komente politike. Jam përpjekur të justifikohem me lloj-lloj arsyesh, por, thellë-thellë, askujt nuk ia kam treguar vërtet se përse vjen një ditë dhe nuk ndien më asnjë lloj shtyse që të përfshihesh në debate, në komente e në analiza për punët që shtillen në këtë vend. Mund të ketë mijëra arsye, por më kryesorja është neveria që të vjen nga rutina. Në këtë vend, nuk ndodh asgjë, nuk lëviz thuajse asnjë grimë ajër. Heronjtë që popullojnë hapësirën publike, janë po ata.
Mendoni tani se çfarë mjerimi është për mua dhe për brezin tim që kemi filluar të merremi me mediat që në vitet ’90 kur shohim se personazhi qendror i ligjërimit publik në këtë vend është Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Nuk po e përmend Sali Berishën apo Tritan Shehun që jep mend për politikën e jashtme, sepse pastaj neveria e rutinës do të bëhej e papërballueshme.
Aventura ime me «Le monde diplomatique»
Shqipëria, jo vetëm që nuk prodhon ide apo lëvizje, por është bërë një vend karikaturë me delirantë që imitojnë herë Enver Hoxhën e guerrilasit e herë radikalët e përkëdhelur. Para disa kohësh, disa miq që më së shumti i njihja nga zbavitja e përbashkët në kalçeto, më propozuan të drejtoja gazetën Le Monde Diplomatique që do të dilte në shqip. Të drejtën e këtij botimi e kishte marrë Instituti «Musine Kokalari» në Prishtinë dhe konkretisht një farë Belgzim Kamberi që nuk e kisha lexuar e dëgjuar kurrë. Ai do të ishte drejtori, unë kryeredaktori dhe miqtë e kalçetos do të ishin përgjegjësit e Shqipërisë. Një gjë e jashtëzakonshme. Unë që jam rritur me frëngjishten, që e njihja mirë këtë gazetë dhe që kam qenë bashkëpunëtor i Le Monde në disa raste, dhe pjesëtar i Blogue planétaire du TV5 Monde, do të isha edhe kryeredaktori i LMD në shqip. Për përkthimin e materialeve kontaktova Loreta Mokinin, një nga përkthyeset më të mira, asistenten e Jusuf Vrionit, sepse 75 % e materialeve do të ishin të përkthyera dhe 25% origjinale. Nxora numrin e parë tërësisht vetëm dhe gjithçka dukej korrekte derisa vjen një ditë dhe Belgzimi nga Prishtina nis e dërgon shkrime që i kishte botuar më parë te «Courrier de Balkan» dhe i sillte dhe këtu me pseudonime. Kulmi ishte një shkrim për shpopullimin e Shqipërisë në të cilin Belgzimi thoshte se nga viti 2010 deri më 2020 nga Shqipëria janë larguar mbi 1 milion e 200 mijë banorë. Po atë ditë më dërgojnë edhe një shkrim tjetër të marrë nga Reporter i Birn-it për sindikatën në Albchrom. Një ngjarje banale që ashtu si nisi edhe u bitis. Mirëpo tani, delirantët e Tiranës dhe të Prishtinës kishin marrë zjarr dhe kishin nisur betejën kundër oligarkëve. M’u kujtua «qytetari dixhital» dhe në këto kushte me ulërima i thamë njëri-tjetrit që nuk mund të punojmë bashkë. Ditën tjetër dola nëpër Tiranë dhe diku te ETC-ja një grup djemsh me biçikleta dhe me letra marrë nga thasë çimentoje lidhur në gjoks me një altaparlant bërtisnin: «Samir Mane jashtë nga Shqipëria!». « Oligarku i kromit jashtë nga Shqipëria!». Pikërisht me këtë titull u hap dhe gazeta në numrin e fundit para se unë të largohesha.
Kjo nuk është ndonjë ngjarje që mund të lerë gjurmë diku, por ama e vizaton bukur këtë vendin tonë qesharak dhe të bukur. Belgzimi nga Prishtina mashtron zyrën e Le Monde Diplomatique në Paris dhe thotë se do të nxjerrë këtë gazetë në shqip dhe e nis me emra të njohur, u vjedh atyre punën e fillimit dhe pastaj e përkthen të gjithën vetë, boton shkrimet e tij që i merr nga « Courrier des Balkan » dhe nxit edhe në Tiranë shkrime që hedhin baltë mbi biznesmenë që në rastin e kromit kanë bërë një punë të mrekullueshme në Shqipëri. E përmenda këtë rast sepse është hera e dytë që mashtrohem nga një kosovar dhe delirantët e tyre në Tiranë. Dikur në vitin 1990 kosovarët, pasi linin kacijat në stacionin e trenit, siç thoshte miku im Ibrahim Kelemendi, vinin e mashtronin shqiptarët e varfër në Tiranë me një grusht dollarësh. Edhe sot Belgzimi nga Prishtina merr fondet nga Kooperacioni Zviceran dhe mashtron Le Monde Diplomatique duke thënë se po e nxjerr në shqip këtë gazetë të famshme. Në fakt, ai shfrytëzon atë mundësi për të publikuar shkrime që i boton dy herë dhe i shet tre herë. Ndërsa sa i takon përvojës sime, kjo histori më mbushi mendjen përfundimisht se çdo inisiativë për të nxjerrë një organ të ri në këtë vend niset nga arsye krejtësisht klienteliste dhe të ngushta. Ndaj i ftoj të gjithë ata që më kanë lexuar apo parë në tv kur unë promovoja daljen e gazetës Le Monde Diplomatique në shqip, se jo vetëm që unë u mashtrova nga kjo nismë, por askush të mos ketë iluzion më për këtë gazetë që del në shqip dhe humbet peshën që ajo ka.
Kur mjekët sillen si gazetarë të PD-së
Para disa ditësh më tërhoqi vëmendjen një prononcim i shefit të kardiokirurgjisë së QSUT-së për koronavirusin. Prononcimi i tij ishte një lloj pamfleti politik pa asnjë referencë dhe, po ta shihje me vëmendje, ishte një përpjekje për të nxitur panik. Ky mjek me mbiemrin Prifti më duket jo vetëm që u shfaq si mjeku dixhital i Berishës, por ai, në shkelje të rëndë të etikës institucionale, vuri në dyshim dhe hodhi akuza të pabaza mbi institucionin ku punon. Është e paimagjinueshme se si një mjek që e di rrezikun që ka alarmi i tij mbi një nga viruset më të rrezikshme të të gjitha kohërave, pa iu dridhur qerpiku, gënjen e thotë se në spitalet tona gjendja është jo e mirë dhe se nuk është marrë asnjë masë për koronavirusin. Pra, këtë e thotë shefi i repartit të kardiokirurgjisë. Në asnjë vend të botës mjeku që ka bërë betimin për etikën e shërbimit, nuk mund të shpallë alarme të rreme. Atij iu përgjigj menjëherë shefja e Infektivit duke i vërtetuar të kundërtën dhe pastaj prof. Bino e sqaroi gjithë dinamikën dhe situatën e koronavirusit në Shqipëri. Po ky mjek si mund të vazhdojë të jetë më shef e një reparti të rëndësishëm si kardiokirurgjia kur ai mashtron dhe ngjall panik?
Ndërkaq, krejt tjetër ishte reagimi i kujdesshëm i një mjeku tjetër kirurg, zotit Arben Beqiri, i cili, me të drejtë, i kujtoi kryeministrit se investimet në mjekësi dhe në kirurgji nuk kanë filluar me Ramën. Kultura e mohimit dhe e rrafshimit të gjithçkaje që është bërë mirë në të shkruarën, është sindroma e rrezikshme që na vjen qysh nga koha kur diktuatura e njëjtësoi të keqen me regjimin e Zogut.
Ndaj edhe Shqipëria vijion të jetë e ndarë më dysh dhe nuk ka asnjë shans që të ndërtojë stofin e saj social. Kjo ndarje e thellë ka përfshirë universitetet, spitalet, opinionin ndërsa studiot televizive i ka kthyer ashtu siç thoshte me shumë të drejtë Agim Xhafka, në baraka të Nuriut.
Vara e Nuriut xhan o lule por i jane kthyer ne qenef
Përgjigju