Një shokun tim, po e pyeste nëna e vet: a po e merr pagën e veteranit të UÇK-së? Ai i tha se nuk e ka marrë, dhe siç po duket, nuk ka as shenja se do ta marrë brenda këtyre viteve. Plaka që i kishte dëgjuar lajmet se kryeministri Hashim Thaçi ka parashikuar ngritjen e pagave edhe për veteranët, i tha se shokët e tij me siguri janë duke e marrë pensionin, vetëm ai jo.
-Këqyre bir, rri gati letrave, se po më duket se ke mbet pas dore!.

Kështu mendonte halla plakë duke i dëgjuar lajmet, se në mesin e kategorive që Qeveria po ua ngritka pagat, qenkan edhe veteranët e UÇK-së.

Të paktën kështu e ka thënë kryeministri Hashim Thaçi në njërën nga mbledhjet e qeverisë. Ndoshta kryeministrit i ka “rrëshqitur” kjo frazë, dhe aksidentalisht në mesin e kategorive të tjera, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve e invalidëve i ka përmendur edhe ish-luftëtarët e UÇK-së. Dje e tha po ashtu se shumë shpejt do të qitet në Kuvend Ligji për Veteranët, i cili “do të jetë më i miri në rajon”. Gjithnjë sipas asaj që u tha, ky ligj në muajin mars do të miratohet, dhe veteranët do të gëzojnë benefitet e kësaj lirie. 

Instituti “Gallup”, shqiptarët i ka radhitur në mesin e popujve më optimistë në botë, prandaj edhe pse veteranët si “Koloneli i Markezit...”, e kanë humbur shpresën se do t’u vijë një ditë mesazhi vendimtar për të marrë pagën e asaj lufte, prapë mbeten me shpresë së ndoshta kësaj here Thaçi e ka përnjëmend.

Është për çudi se në të gjitha vendet e botës, ku bëhet luftë për liri, luftëtarët që triumfojnë, i gëzojnë privilegjet në liri. Të paktën kanë një përparësi në punësim, lirohen nga taksat shtetërore, shërimin e kanë falas, shkollimin pa pagesë për vete e për fëmijët, etj., ndërsa në Kosovës ka ndodhur paradoksi. Veteranët e kanë pa pagesë vetëm arkivolin edhe flamurin mbi arkivol.

Edhe atë këtë “peshqesh” nuk ia financon qeveria, por shoqata e veteranëve të luftës, nga anëtarësia e vet.
Disa nga ata që kanë drejtuar luftën, jo që e kanë shijuar lirinë, por këtë copë lirie e kanë bërë “rrip” duke e rrjepur në të gjitha segmentet. Ndërsa shumica dërmuese e ish-guerilëve, disa nga të cilët kanë lënë edhe punën në shtetet perëndimore dhe janë kthyer në luftë e tash janë bërë rast social.

Prandaj një pakicë e vogël që ka përfituar nga lufta, duke u bërë milionerë me ndërtime e privatizime, ka bërë që edhe ata luftëtarët e denjë, të rrinë me kokë ulur për një vepër që gjithë jetën do të duhet të ndiheshin krenar. Sipas logjikës së thjeshtë, një kilogram mjaltë e athëton një qime floku. Prandaj mijëra luftëtarë të UÇK-së kanë mbetur nën hijen e disa përfituesve.

Ajo që është emergjente para se të miratohet në Kuvend, Ligji për Veteranët, është pastrimi i listave që ka filluar para dy vitesh. Si mund të zbatohet një ligj, kur nuk dihet sa veteranë i ka pasur UÇK-ja, sa do të jetë paga për një veteran, sa mjete do të influencojë Ligji për Veteranët në buxhetin e Kosovës, sa para ka Kosova për këtë kategori etj. 

Prandaj, Ligji për Veteranët është shumë i vonuar, kurse pastrimi i listave është i stërvonuar. Me këtë dinamikë që ka filluar qeveria, as që do të përfundojë ndonjëherë, dhe ajo çka mbetet është shpresa, që të mos ndihen të turpëruar veteranët që luftuan për çlirimin e Kosovë, ashtu siç u deklarua një ish-gueril i Drenicës, i cili tha se “ndihet pishman për luftën”. Po ashtu gjithnjë mbetemi me shpresë dhe i lutemi Zotit, që të mos ndodhin më vetëvrasje të veteranëve, sikurse ka ndodhur me 45 prej tyre. Nëse çështja e veteranit nuk definohet shpejt, atëherë shumica e tyre duhet t’i shesin gjësendet bash si “Koloneli i Markezit...” gjelin, sahatin, orenditë... për të mbetur gjallë.