Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama bashkë me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë Vorë, Luan Sallaku, zhvilluan një takim me banorë të zonës së Gërdecit.
 
Luan Rama duke iu referuar tragjedisë së Gërdecit, ku mbetën të vrarë 26 njerëz, tha se Gërdeci është një emër referencë e masakrës së babëzisë shtetërore, që u masakrua nga pushtetarët e pangopur që krijuan rrethanat e shpërthimit të asaj tragjedie.
 
Ai theksoi se, plaga e Gërdecit është një plagë e pashëruar që ka lënë shumë dhimbje. Prandaj, tha ai, është i qartë mesazhi që dhimbja dhe gjaku i banorëve të Gërdecit nuk mund të blihet dhe të konvertohet me një thes miell, me 100 mijë lekë apo me pazare që bën pushteti.
 
“Dhimbja dhe gjaku i banorëve të Gërdecit nuk mund të blihet, dhimbja dhe gjaku i banorëve të Gërdecit nuk mund të konvertohet me një thes miell, me 100 mijë lekë apo me pazare që bën pushteti”, tha Luan Rama duke u kërkuar qytetarëve që të mos harrojnë atë që ka ndodhur dhe të ndëshkojnë me votë përgjegjësit e kësaj tragjedie.
 
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së duke u bërë thirrje banorëve që të jenë “zëdhënës të ndryshimit që duhet të realizojmë më 21 qershor”, kërkoi që ata të punojnë “për t’ia hequr Gërdecit dhe Vorës qeverisjen e keqe të atyre që janë në ikje”.
 
“Të mos tentojë askush të vijë të blejë me heshtje, të blejë me një thes miell. Duhet të jeni jo vetëm të vendosur për ta mbrojtur votën, për të mos lejuar askënd ta trafikojë, ta blejë apo ta falsifikojë votën, por duhet të jeni të vendosur edhe në kontaktet me të tjerët”, u shpreh ai.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)