Kur të tjerët pushojnë, ai është në krye të detyrës si bartender. Hilmi Elezi nisi të punonte që në moshën 13-vjeçare në lokale të vogla në qytetin e Durrësit. Ajo që nisi si një punë për një periudhë afatshkurtër, sot është shndërruar në profesionin e tij të jetës.
"Punën time të parë e kam filluar në moshën 13-vjeçare, punoja në lokale shumë të vogla. Në fillim laja vetëm gota, bëja pastrime tek banaku dhe pas dy viteve fillova të bëja porosi. Më pas fillova të mësoja koktejlet, të lexoja për to dhe të mbaja mend recetat. Jam munduar me aq mundësi sa kam pasur të ndjek seminare, të jem më i aktivizuar", thotë Hilmiu ndërsa thekson se pasioni për koktejlet e mbajti të lidhur me këtë profesion.
"Përveç shijes që duhet të jetë në maksimum ka rëndësi dhe dekori. Koktejlet pa dekor, janë si një gotë me ujë. Çdo njeri ka dëshirë të ketë diçka të bukur në dorë, të shijshme dhe të punuar me kujdes.", thotë bartenderi nga Durrësi.
Sakrificat në këtë sektor janë të pashmangshme sipas Hilmiut i cili tregon se pushon pas sezonit dhe i është dashur ndonjëherë të punojë 18 orë.
Sipas tij në Shqipëri ka nevojë për përmirësime: që nga përzgjedhja e stafit profesionist tek trajnimet për mënyrën e shërbimit. Megjithatë, të ardhmen e shikon në Durrës me ambiciet për të hapur një biznes në këtë sektor.
"Me këtë profesion në çdo shtet gjen vende pune. Në moshën 18 vjeçare vendosa të emigroj dhe të largohem në Greqi për tre vite. Më pas emigrova drejt Italisë, në Holandë, Zvicër dhe në Gjermani.
Meqë kam familjen në Durrës e pashë si opsion për të punuar. Mendoj që sektorin e turizmit duhet të ketë ndryshime në mënyrën e shërbimit, në profesionalizëm, njerëz që duan ta bëjnë këtë punë me qejf. Pjesa më e madhe e shohin si diçka afatshkurtër, pasi iu duhet puna pas shkolle. Janë student ose njerëz që për momentin bëjnë këtë lloj pune edhe pse kanë ide të tjera. Ajo që kam vënë re në këtë fushë është që në Shqipëri po i vlerësojnë bartenderat, banakierët, kamarierët, kuzhinierët. Kanë filluar t'i paguajnë më mirë sepse rinia po mundohet të largohet. Duket sikur po reflektojnë që do vijë një moment që nuk do kenë më staf. Idetë e mia janë që të krijoj një biznes timin në Durrës, të kem diçka timen dhe të bëj të njëjtën gjë si sot. Mendoj që eksperienca në këtë fushë, do më bëjë që të mos dështoj në qëllimet e mia.”, përfundon rrëfimin e tij.
Emisionin “Një nga ne” mund ta ndiqni çdo të shtunë, ora 13:00 në ekranin e Report Tv.
Komente










