Nga disa ditë deri në tre javë, kjo është koha që mund t'i duhet Berat Gjimshitit për t'u rikthyer në dispozicion të Atalantës. Në fitoren e djeshme 2-0 të bergamaskëve kundër Torinos, kapiteni i Kombëtares la fushën i dëmtuar pas 44 minutave lojë, duke mos i shijuar dot nga fusha tri pikët.

Menjëherë 32-vjeçari iu nënshtrua një kontrolli të detajuar në spital, teksa ka kaluar alarmi pasi fillimisht u tha se mund të kishte një dëmtim të kockës së djathtë të legenit. Sipas medieve në Itali ai ka një "këputje fasciale të gradës së parë në muskulin biceps femoris të djathtë".

Për një futbollist, rikuperimi nga një këputje fasciale të gradës së parë mund të zgjasë zakonisht nga disa ditë deri në tre javë, në varësi të intensitetit të dëmtimit dhe trajtimit të ndjekur.