Një histori dashurie e mbështjellë me mister e fantazi, ku realiteti përzihet me botën e ëndrrave, me muzikë të magjishme dhe koreografi plot delikatesë, “La Sylphide” ka sjellë në skenë forcën e ndjenjës dhe bukurinë e artit klasik. Në versionin koreografik të August Bournonville, me muzikën e Herman Severin Løvenskiold dhe nën drejtimin e dirigjentit Gridi Krajës, në shfaqje kanë interpretuar trupa e baletit dhe Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, të cilët sollën për publikun një mbrëmje përrallash.
“Është shumë romantik si balet. Historia ndodh në Skoci, në shekullit 18-të dhe bëhet fjalë për një dashuri të pamundur midis një djaloshi dhe një krijese ajri. Në qoftë se nuk funksionon dramaturgjia në këtë pjesë, bie pjesa, kështu që kemi punuar shumë në anën aktoriale të pjesës.”, tha Edi Blloshmi, drejtues i trupës së baletit në TKOB.
Në Skocinë e vitit 1836, në një atmosferë të mbështjellë nga mjegulla dhe misteri, James, një djalë i ri skocez, është gati të martohet me Effie, por një krijesë nga pylli i shfaqet fillimisht në ëndërr dhe më pas në realitet, duke e magjepsur me bukurinë e saj. I ndarë mes dashurisë tokësore dhe asaj qiellore, James e ndjek atë në pyll, duke braktisur Effie-n. Por dashuria për të pamundurën sjell tragjedinë: një shtrigë i jep James-it një shall të mallkuar që ai duhet ta mbajë pranë tij. Ai përpiqet ta harrojë, por fryma e saj e ndjek kudo.
“Është një rol që më përshtatet shumë. Është ajo delikatesa, është ajo zana e ajrit, është ajo dashuria midis Silfidës dhe Xhejmsit. Emocionet janë shumë të mëdha, si për publikun, por dhe për mua si Silfidë. Edhe fundi i aktit të dytë, që Silfidës i këputen krahët dhe ajo këputet në duart e Xhejmsit është një moment shumë emocionues.”, tha balerina Adela Muçollari.
Baleti është shfaqur premierë mbrëmjen e djeshme ndërsa do të vijë për publikun edhe sonte dhe nesër.
Komente












