Nën interpretimin e Blenard Azizajt dhe Elena Cattardico shfaqja e baletit No-w-here solli në skenën e “Hangart” emocione që lëkunden mes butësisë, konfliktit dhe rezistencës njerëzore. Përmes trupit, tingullit dhe dritës, si dhe muzikës live të interpretuar nga Tomor Kuçi, artistët krijojnë një hapësirë emocionale që flet për largimin, kujtesën dhe kërkimin e identitetit.
“‘No-w-here’ është një pjesë që e ushtron trupin si një arkivë që është krijuar nga memorjet, nga zhvendosja dhe mbijetesa. Janë këto momente që ne po i jetojmë si njerëz në këtë botë të çuditshme, ku largohemi nga njëri-tjetri dhe ndonjëherë edhe nga vetja jonë.”, tha Azizaj për “Report TV”.
Në fund fare, ajo që artisti do të sjellë është shpresa. Koreografi fierak, i cili prej vitesh zhvillon aktivitetin artistik në Berlin, e lidh fort këtë vepër me përvojat personale të emigrimit dhe transformimin e tyre në gjuhë lëvizjeje.
“Emigrimi është një fenomen që ka qenë, është dhe do të jetë gjithmonë. Mundohem që publiku të jetë më empatik ndaj këtij fenomeni. E përdor këtë temë sepse e kam përjetuar edhe vetë dhe dua ta manifestoj nëpërmjet lëvizjes dhe kërcimit.”, vijoi artisti.
Performanca vjen si pjesë e sezonit të ri artistik të HangArt, një hapësirë e dedikuar skenës së pavarur dhe artit bashkëkohor, në kuadër të Javës së Evropës. Përmes gjuhës universale të trupit, “NO-W-HERE” sjell në vëmendje jo vetëm dramën e largimit, por edhe nevojën për solidaritet e dashuri njerëzore.
“Mesazhi është që, pavarësisht vështirësive që kemi në jetë, të luftojmë, të mos dorëzohemi dhe të duam më shumë njëri-tjetrin. Po jetojmë në një botë shumë të çuditshme dhe kemi nevojë për më shumë dashuri dhe respekt.”
Një eksperiencë artistike që, më shumë sesa shikohet, ndihet, “NO-W-HERE” e kthen trupin në histori, kujtesë dhe rezistencë, duke sjellë në skenë emocionet universale të njeriut në lëvizje. Shfaqja është prezantuar edhe në teatrin “Bylis” në Fier, ndërsa do të shfaqet edhe sonte në “Hangart”.
Komente










