Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet për grupin e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri.
Organi i akuzës ka komunikuar mbylljen e hetimeve për personat e dyshuar që u arrestuan në muajin nëntor të vitit 2024, pas një hetimi të kryer nga prokurori Adnan Xholi.
Të dyshuar për trafikun e drogës janë Geis Fejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani, Baki Huqi. Për gjykim janë dërguar edhe tre të huaj, 2 prej të cilëve venezuelianë Joze Ramon Zacarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Moreno Serrano, dhe një kolumbian Hiwlen Ledezma Narvaez.
Hetimi për trafikun e kokainës nisi pas informacioneve të marra mbi laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së ish-funksioniarit vendor Viktor Çervanaku, u zbuluan nga Policia një sasi e madhe droge e llojit kokainë prej 485 kg, e fshehur në plehra kimikë.
Prokuroria ndau çështjen në fraksione dhe ra në gjurmët e një tjetër grupi kriminal, i cili transportonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë përmes lëkurës së kafshëve.
Grupi i trafikut ndërkombëtar të drogës dispononte një laborator të përpunimit të kokainës në Qerekë të Krujës dhe 2 ambiente mbështetëse në Tiranë dhe Durrës.
Nga hetimet rezulton se ata përdornin një biznes për të kamufluar trafikim, nëpërmjet kompanisë “Alb Lëkurë”, e regjistruar në 27 tetor 2020 në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Ky subjekt kreu një pagesë më 11 maj të vitit 2024 me vlerë 23 mijë dollarë tek një firmë me vendndodhje në Republikën Domenikane, periudhë që u porosit edhe një sasi prej 24 ton lëkurë gjedhësh (me kripë).
Ngarkesa e ndarë në 20 paleta u nis me destinacion Portin e Durrësit në datën 17 korrik 2024 dhe një muaj më pas, Dogana e Tiranës kreu veprimet doganore dhe më pas ngarkesa u transportua drejt Mulletit, në një magazinë e përshtatur për ruajtjen e saj. Një muaj më pas, më 23 shtator, merren informacione për nisjen e një tjetër ngarkese prej 24 tonësh, që mbërriti në Portin e Durrësit më datë 8 nëntor për të cilën u paguan rreth 20 mijë dollarë të tjera.
Hetimi pati si indicie ndarjen e disa akteve nga hetimi i një tjetër çështjeje që mban datën 17 nëntor 2023 për një sasi lnde narkotike që u kap me pleh kimik në Frakull Fierit. SPAK ka dyshime që grupi kriminal mund të ketë nxjerrë drogë nga laboratori edhe për llogari të grupeve të tjera kriminale. Në vendimin e Gjykatës për vlerësimin e masave të sigurisë, bie në sy se një nga shtetasit e huaj që ishte marrë nga grupi si ekspert i ndarjes së kokainës nga lëkura, kolumbiani Hiëelenn Ledezma Narvaez me pseudonimin “Gafas”, kërkohej në vendlindjen e tij si lider i një grupi kriminal të trafikut të kokainës.
Ai kishte një vit që ndodhej në Shqipëri. Emri i Narvaez rezultonte në kërkim në kuadër të operacionit policor “Pacifico”, zhvilluar në nëntor të vitit 2023, ku në Kolumbi u arrestua edhe shtetasi shqiptar Klodian Zaimi, që rezulton se është djali i dajës së Artjon Çaushllarit, i arrestuar nga SPAK si një nga financuesit e trafikimit të lëndës narkotike. SPAK bëri të ditur se në maj të vitit 2024 kolumbiani ‘Gafas’ ka qëndruar për disa orë në një vilë në një fshat të Pogradecit i shoqëruar nga Artjon Çaushllari dhe Klajdi Birçe të dy të arrestuar, ku dyshohet se kanë nxjerrë një sasi kokaine. Në atë rast agjentët nuk kanë ndërhyrë pasi operacioni mund të dekonspirohej.
Anëtarët e grupit kriminal nën hetim nga SPAK:
Shtetas shqiptar:
1- Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2- Klajd Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3- Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
4- Artion Çaushllari, 37 vjeç, banues në Tiranë
5- Endi Sejdini, 25 vjeç, banues në Krujë
6- Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7 – Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
8-Hiwlen Ledezma Narvaez, 41 vjeç, shtetas kolumbian
9-Joze Ramon Zacarias Vasquez, 35 vjeç, shtetas venezuelian
10-Samuel Alfonso Moreno Serrano, 42 vjeç, shtetas venezuelian
Komente










