Kryeministri Edi Rama thotë se aktualisht, Shqipëria nuk i përmbush standardet e BE, lidhur me sigurinë ushqimore, për shkak të standardeve të ulëta.
Gjatë fjalës në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama u shpreh se do të kërkojë një fazë të ndërmjetme, 5 vite pas anëtarësimit në BE, për të plotësuar kriteret për këtë sektor.
“Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme, pas momentit të anëtarësimit, që t’i japim mundësi vendit të jetë i gatshëm të përmbushë kriteret, për të qenë bashkë familjes europiane. Kjo nuk bëhet ekskluzivisht për ne, është pjesë e mekanzimit të anëtarësimit, e kanë bërë vende përpara nesh. Kroacia ka negociuar dhe ka arritur të marrë 10 vjet fazë të ndërmjetme, për përmbushjen e kritereve në aspektin mjedisor. Ne i referohemi atij rasti dhe bazuar me atë precedent, do mund të marrim lehtësi të tillë. Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, për prodhuesit në fshat, për sipërmarrjen. Në kushtet e sotme , ne jemi të paintegrueshëm në BE, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore. Po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme, 5 vjet pas anëtarësimit, përgatitjet duhet të fillojnë tani. Rrugët e Shqipërisë ishin dhe tregje ushqimore, edhe thertore. Duke u kthyer pas në vitin 2013, të gjithë kalonin filmin e kujtesës, gjënë e gjallë që therej në rrugë. Apo të gjitha autostradat e Shqipërisë, ishin lënë rrugëve, ishin kufizuar nga tezgat dhe tregjet informale ushqimore. Shumë përparim është bërë, por jemi ende larg. Duhet të dimë çfarë do thotë kjo. Në momentin e anëtarësimit dhe kur përfundon periudha e ndërmjetme, asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri, nuk mund të shitet përveçse në Shqipëri. Edhe në Shqipëri, ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë. Skenari më pesimit, gjithçka që haet, importohet. Duhet super punë, por edhe super vendosmëri, për të mos faluar asgjë dhe askënd në emër të nevojës, që të vazhdojë të punojë. Puna për t’u bërë është shumë e madhe.", theksoi Rama.
Lajmi kryesor:
‘Siguria ushqimore, e ulët’, Rama: Po përpiqemi të negociojmë me BE plotësimin e kushteve deri në 5 vite pas anëtarësimit! Porosi grupit të PS: Mos falni askënd










