Report Tv mësoi se ka rënë pre e grabitjes pronari i biznesit, shtetasi Idriz Sinanit, i cili ka denoncuar në polici ngjarjen. Burime të Report Tv bënë me dije se Sinani është pronar i restorantit 'Gersi', i cili është dhe një ndër restorantet më të njohura të zonës së Patokut.
Mësohet se kanë qenë dy persona me maska dhe të armatosur, të cilët nën kërcënimin e armës i kanë marrë këtij shtetasi shumën prej 500 mijë lekë të reja, e siguruar kjo nga xhiroja ditore e restorantit.
Report Tv ka siguruar dëshminë e parë të biznesmenit Sinani, pas grabitjes, i cili ka thënë se nuk i ka parë autorët. Burime nga Policia e Laçit i thanë Report Tv se Sinani nuk ka arritur t'i shohë autorët, për shkak të errësirës, por edhe të maskave, ndërsa ka shtuar se grabitësit mund të kenë pasur dijeni se në makinën e tij kishte para.

(Restoranti i grabitur në Patok të Laçit)
Në lidhje me ngjarjen policia ka shoqëruar disa persona, banorë të zonës, por pa arritur të vërë në pranga autorët e vërtetë të ngjarjes. Duke ju referuar dinamikës së ngjarjes, policia ka dyshime se grabitësit janë banorë të zonës, që e njohin mirë terrenin dhe kanë vepruar pasi lokali është boshatisur nga klientët dhe biznesmeni e ka mbyllur.
Për të rënë në gjurmet e dy grabitësve policia ngriti disa pika kontrolli, si dhe po krihet e gjithë zona përreth. Gjithashtu, janë sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit në fjalë dhe bizneseve aty pranë për të parë nëse autorët apo automjeti i tyre është filmuar, çka do ta ndihmonte grupin hetimor në identifikimin e autorëve.
d.c./shqiptarja.com











