LAÇ- Drejtori i Shëndetit Publik në Laç Arben Bruka është plagosur me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së martës. Nga të dhënat e policisë mësohet se Bruka është qëlluar me pistoletë në këmbë në momentin kur po hapte derën e farmacisë që ndodhet para spitalit të qytetit, dhe që është në pronësi të tij.

 Bruka është transportuar menjëherë drejt kryeqytetit dhe tanimë ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë nuk ka dhënë detaje rreth arsyeve të kësaj plagosjeje por ka mohuar mundësinë që ajo të ketë lidhje me funksionin e Brukës si drejtor i DSHP-së. Mjeku Bruka mësohet se më parë ka qenë dhe ish kryetar i Partisë Demokratike të qytetit ndërsa kishte në pronësi edhe një farmaci.

Burimet thanë për A1 Report se mjeku kishte patur konflikte të mëparshme dhe pikërisht konkurenca në tregun e farmaceutikës mund të jetë shkaku i plagosjes. Uniformat blu, deri më tani nuk kanë shoqëruar asnjë person të dyshuar por deklarojnë se kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, identifikuar dhe kapur autorët.
(sg/shqiptarja.com)