Situatë të rëndë dhe tragjie e kanë cilësuar banorët e lagjes nr.15 në Durrës, përplasjen e 3 fëmijëvë, 2 prej të cilëve ndërruan jetë. Ata bënë apel për më shumë kontrolle të Policisë në zonë dhe për më shumë kujdes nga shoferët.
Për një të moshuar, banor të zonës, është tragjike që makina të ta shtypë fëmijën para derës së shtëpisë. Ngjarja që u ndodhi sot këtyre të miturve, sipas tij mund t'i ndodhë nesër çdokujt.
“Jemi pa fjalë. Të ta shtypin fëmijën para shtëpisë, është tragjike. Ka një problem këtu, ecin shpejtë shoferët, ecin shpejtë shoferët, por Policia duhet të bëjë më tepër kontrolle në këtë rrugë. Asnjëherë nuk vjen Policia këtu, edhe është njoftuar nga ana jonë. Ky është problemi”, tha një tjetër banor i zonës.
Një tjetër banor i zonës tha se momenti i përplasjes së fëmijëve ishte shumë i rëndë, pasi sipas tij, makina i mori të miturit për disa metra zvarrë.
“Ngjarje më të rëndë s’kemi parë. Unë isha ulur në kafe. Fëmijët ishin ulur, imagjino nga goma atje, i ka çuar, i ka plasur atje. Situatë më të keqe s’kemi parë. Veç kam parë kur ka kërcit, që i ka marrë zvarrë. Shoferët ecin shumë shpejtë në këtë rrugë. Disa janë edhe të lagjes, pa patenta, por ecin kokërr plumbi”, tha një tjetër banor i lagjes nr.15 në Durrës.
Ndërsa një grua, banore e zonës, tha se dy prej fëmijëve të aksidentuar ishin kushërinj të parë me njëri-tjetrin.
“Si të tërbuar ecin njerëzit këtu në rrugë. Po bëhet rruga këtu gjak dynjaja përditë e përnatë. Njëri është komshi këtu, tjetri komshi këtu. Të lagjes i kemi, i kemi rritur, ju dhemb mishi, të vegjël. Dy ishin çun halle, çun daje. Këtë këtu jo, e kemi komshi thjeshtë. Njëri është në Tiranë, 2 kanë vdekur, i katërti ka shpëtuar thonë. Të vihet rregull”, tha një banore e zonës.
Për një tjetër banore të zonës, fëmijët në lagjen nr.15 në Durrës janë të pasigurit, pasi automjetet dhe motorat atje qarkullojnë me shpejtësi të lartë. Ajo tha se të rinjtë e lagjes pinë drogë gjatë gjithë kohës.
“Apelin e kemi, Policia të veprojë si duhet. Të shtojë forcat në rrugë. Se po vriten. Kalojnë makinat këtu mbi 160 km në orë. Fëmijët tanë janë të pasigurtë. Siç u gjetën këta fëmijë në rrotat e makinës, mund të gjenden edhe të tjerët. Po tmerrohemi. Këtu pinë drogë, vjen rruga era drogë”, tha një tjetër banore.
Ndërkohë një e afërme e njërit prej të aksidentuarve duke bërtitur e ulëritur, në kushte të rënda psikologjike, deklaroi se në Shqipëri shteti nuk ekziston.
“Ku është shteti i dreqit këtu? Ka mbaruar njerëzimi. Fëmija t’u luajt, e ka hedh makina atje poshtë. Latë nam latë”, tha një e afërme e njërit prej të miturve të aksidentuar.
Lajmi kryesor:
Tragjedi në Durrës! Mjeti me shpejtësi skëterrë u merr jetën 2 të miturve, një tjetër rëndë te Trauma! Po luanin në trotuar, arrestohet shoferi! VIDEO e përplasjes











