HASNë periferi të Krumës, qendrës së bashkisë Has është ndërtuar një lagje e veçantë që vendasit i thonë “Lagjja e Londrës”. Që në momentin e parë ndeshesh me vila dy-tre katëshe, të gjitha ndërtime të reja.

Gjithçka që shihni në këto pamje janë investuar nga emigrantët. Por fatkeqësisht në këtë shtëpi të mrekullueshme te stilit britanik jetojnë veç prindërit e tyre të moshuar. Pasi trokitëm në disa dyer, shumica të kyçura, takojmë Agim Nelën, 61-vjeç dhe bashkëshorten e tij, Serveten 57-vjeçe.  

Tre djemtë e tyre kanë emigruar në Angli gjatë 7 viteve të fundit, por prindërit shpresojnë se një ditë do të kthehen pasi jeta në vetmi është e vështirë.

'Krejt kanë ikur! Shtëpia është qyqe vetëm. Na kemi mbetur këtu" thotë një e moshuar. 

Hasjanët kanë emigruar masivisht në Mbretërinë e Bashkuar, por të ardhurat e tyre i kthejnë në të mira materiale për vendlindjen dhe komunitetin. Largimet e para kanë nisur pas viteve ’90, ndërsa kulmin e kanë arritur në djetëvjeçarin e fundit.

Siç vetë banorët tregojnë nuk ka familje në Has që nuk e ka të afërm jashtë vendit. Shkaku kryesor i emigrimit është varfëria dhe ata pak të rinjtë që kanë mbetur nuk e gjejnë veten në Has.